1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

170810 Indien Pakistan

18 Gusht 2010

India i ka ofruar Pakistanit një ndihmë urgjente prej rreth pesë milionë dollarësh. Megjithatë Pakistani heziton të pranojë ndihmat nga India.

https://p.dw.com/p/OpzK
20 milionë të prekur nga katastrofa natyrore.
20 milionë të prekur nga katastrofa natyrore.Fotografi: AP

Si pasojë e vërshimeve të vazhdueshme në dy javët e fundit, më të rëndat në historinë e vendit, më shumë se një e pesta e territorit pakistanez ndodhet nën ujë. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon gjatë një vizite në rajonin e katastrofës i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për një ndihmë urgjente prej 460 milionë dollarësh, në mënyrë që të sigurohet përkujdesja gjatë tre muajve të ardhshëm ndaj 20 milionë të prekurëve nga katastrofa natyrore.

India ende pa përgjigje

Është një temë delikate, thuhet në qarqet e qeverisë pakistaneze. Pesë milionë dollarë ndihmë urgjente i ka ofruar Pakistanit armiku i betuar dhe vendi fqinj India, si kontribut për tejkalimin e katastrofës së përmbytjeve. Megjithatë Pakistani ende nuk i ka dhënë përgjegje Indisë.

Më shumë se një e pesta e territorit pakistanez ndodhet nën ujë.
Më shumë se një e pesta e territorit pakistanez ndodhet nën ujë.Fotografi: DW

Politologu pakistanez Sajjas Naseer nga Lahore sqaron shkaqet: "Ky ngurrim ka të bëj me krenarinë kombëtare. Nga ana tjetër duke marrë parasysh përmasat e tmerrshme të kësaj katastrofe do të duhej të mirëpritej çdo lloj ndihme. Megjithatë qeveria pakistaneze duhet të mendojë edhe për pasojat politike. Ajo e ndjen veten të dobësuar. Mediet diskutojnë tani për besueshmërinë e kësaj qeverie dhe për një drejtim të keq qeveritare. Pranimi i ndihmave nga India në një moment të tillë mund të rrezikojë edhe më shumë imazhin e saj."

Ndihma të ndërsjellta ka patur

Dy fuqitë atomike, India dhe Pakistani megjithë tensionet kanë ndihmuar njëra-tjetrën gjatë dhjetë viteve të fundit në përballimin e katastrofave natyrore. Në vitin 2001 në qytetin Bhuj në shtetit federal indian Gujarat, si pasojë e një tërmeti patën humbur jetën rreth 25 mijë njerëz. Pakistani dërgoi menjëherë çadra, ushqime dhe batanije për të mbijetuarit. Në vitin 2005 si pasojë e një tërmeti në pjesën pakistaneze të rajonit të Kashmirit, i cili ndahet në mes të dy vendeve fqinje patën humbur jetën rreth 80 mijë vetë. India kishte ofruar menjëherë helikopterë për shpërndarjen e ndihmave në fshatrat kodrinore, që nuk mund të arriheshin përmes rrugëve tokësore. Megjithatë presidenti i atëhershëm Pervez Musharaf pati refuzuar ndihmën indiane. Helikopterët duhet të drejtohen ga pilotë pakistanezë, kërkonte ai, për shkak se Kashmiri është një rajon ushtarak shumë delikat.

Familje e mbuluar me plastikë
Familje e mbuluar me plastikëFotografi: AP

Sidoqoftë pozitive ishte hapja e të ashtuquajturës "vijë e kontrollit kufitar ", e cila ndan Kashmirin në një pjesë indiane dhe në një pakistaneze. Në këtë mënyrë banorët e Kashmirit kishin mundësi të ndihmonin njëri-tjetrin për rindërtimin e shtëpive. Përveç kësaj India kishte premtuar një nidhmë urgjente prej 25 milionë dollarësh.

Gjestet pozitive

Politologu Sajjad Naseer thekson se sa të rëndësishme janë gjestet e tilla pasi që përmes tyre mbështeten edhe përpjekjet e shoqërisë civile për arritjen e pajtimit mes dy vendeve. "Marrëdhëniet mes Indisë dhe Pakistanit duhet të shihen nga dy këndvështrime. Nga njëra anë kemi marrëdhëniet ndërqeveritare të cilat i nënshtrohen kufizimeve të caktuara. Megjithatë diplomacia mes njerëzve funksionon ndryshe. Ka 12 apo 14 vjet që gazetarët dhe grupet e tjera të shoqërisë civile kryejnë vizita të ndërsjella. Javën e fundit gazetarët indianë në Lahore kanë grumbulluar ndihma për viktimat e përmbytjeve. Kjo është shumë me rëndësi. Kjo sepse me forcimin e këtyre lëvizjeve rritet edhe presioni ndaj qeverive të dy vendeve, që ato të kërkojnë mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve."

Që prej pavarësisë së tyre në vitin 1947 India dhe Pakistani kanë zhvilluar tri luftëra. Përpjekjet e fundit modeste për të filluar një proces të qëndrueshëm paqësor kanë dështuar. Së fundi sulmet e nëntorit 2008 në metropolin financiar Mumbai i kanë dhënë një goditje të rëndë përpjekjeve për çtensionimin e raporteve mes dy vendeve. I mbijetuari i vetëm i sulmeve, Ajmal Kasab ishte nga Pakistani. Ai e ka pranuar se sulmet ishin planifikuar nga territori pakistanez.

Autor: Priya Esselborn/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama