Pakistan: Katastrofë pas katastrofe
9 Gusht 2010Rindërtimi i vendit do të kushtojë miliarda dollarë, u shpreh i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Jean-Maurice Ripert. „Nuk është e mundur të gjesh në kujtesë një dramë të ngjashme. Këto janë përmbytjet më të rënda në historinë e Pakistanit. Dhe ato pasojnë një tjetër katastrofë humanitare: të mos harrojmë që vitin e kaluar në të njëjtën kohë kishim tri milionë të zhvendosur brenda vendit, për shkak të luftimeve mes militantëve dhe ushtrisë pakistaneze. Pra flasim për një katastrofë pas katastrofës.“
Ai e vlerësoi gjendjen në shtetin aziatiko-jugor si të "tepër shqetësuese". Kryeministri pakistanez, Jusuf Raza Gilani deklaroi se vendi i tij nuk e ka fuqinë e duhur të përballojë i vetëm pasojat e katastrofës. Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e rrëmbyeshme i kanë marrë jetën 1.800 vetëve. Qindra mijëra të tjerë kanë mbetur të pastrehë. Në disa pjesë të vendit është shkatërruar infrastruktura.
Autor: DW/ Lindita Arapi