1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pakistan Flut Taliban

11 Gusht 2010

Pas përmbytjeve shkatërruese në Pakistan talibanët radikalë islamikë po përpiqen të përfitojnë prej gjendjes katastrofike. Duke ndihmuar ata duan të përmirësojnë imazhin dhe të zgjerojnë ndikimin në vend.

https://p.dw.com/p/OiFA
Talibanët ndihmojnë në zonat e përmbytura në Pakistan.
Talibanët ndihmojnë në zonat e përmbytura në Pakistan.Fotografi: AP

Talibanët i bënë thirrje qeverisë pakistaneze të heqë dorë nga ndihma e SHBA-së prej 55 milionë dollarëve. Kryengritësit ofruan nga ana e tyre 20 milionë dollarë ndihma për viktimat e përmbytjeve.

"Jo, qeveria s'bën asgjë për ne."

Është vetëm një fjali, por ajo është asgjësuese. Dhe ky burrë, një viktimë e përmbytjeve nga veriperëndimi, shpreh atë, për të cilën janë ankuar vazhdimisht të dëshpëruar ditët e kaluara aq shumë pakistanezë.

Qeveria s'bën asgjë
Qeveria s'bën asgjëFotografi: DW

Një shans i madh ky për ekstremistët, që të trumbetojnë me të madhe: qeveria s'bën asgjë, ne po: "Nuk mund të them prerazi se janë talibanë, por grupime të ndryshme fetare kanë qenë gjithmonë në radhë të parë, kur bëhet fjalë për masa ndihme. Po, partitë fetare janë në ballë, kur është fjalë për këtë", tregon për përvojën në terren një bashkëpunëtore e një organizate humanitare, që parapëlqen të mos e thotë emrin.

Shumë grupe terroriste, si p.sh. famëkeqi Lashkar-e-Toiba, përgjegjës për serinë e atentateve të Bombeit, mbajnë organizata bamirësie. Tani, pas përmbytjeve, ato përpiqen t'u vijnë në ndihmë viktimave. Sipas gazetës "New York Times" ndihmat shpërndahen me mesazhin: Mos i besoni qeverisë dhe aleatëve të saj.

Organizatat nuk duhet të jenë doemos talibanë, por në Pakistan grupet fetare të skajshme kanë qenë gjithmonë të shpejta me ndihmën, kur bëhej fjalë për të shpërndarë ndihma dhe mesazhe politike, si të thuash në paketë. Kështu edhe gjatë tërmetit katastrofik të vitit 2005.

Mithan Kot, Pakistani qëndror
Mithan Kot, Pakistani qëndrorFotografi: AP

Fakti që pikërisht tani presidenti pakistanez Asif Ali Zardari, vizitoi për kohë të gjatë Francën dhe Anglinë, nuk mendohet ta ketë ndihmuar kampin qeveritar. Sepse edhe tani islamistët përpiqen të fitojnë zemrat dhe mendjet e njerëzve, të cilat shteti duket se po i humbet.

Gara e forcave të shpëtimit kundër shkretimit prej përmbytjeve duket të jetë të paktën pjesërisht edhe garë kundër ekstremistëve.´

Autor: Kai Küstner/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama