Teste gjenetike po, por vetëm të kufizuara
7 Korrik 2011Në Gjermani do të lejohen në të ardhmen testet gjenetike ndaj embrionëve njerëzore. Pas një debati disa orësh në Bundestag pro kësaj kërkese votuan 326 deputetë pro, 260 kundër dhe 8 abstenuan. Teste të tilla do të lejohen në rastet, kur një apo të dy prindërit vuajnë nga ndonjë sëmundje gjenetike e trashëgueshme, apo më rast se mendohet se fëmija mund të lindë i vdekur, apo që nëna mund të dështojë.
Maksima është katër vjeç e gjysmë, një vajzë e gjallë me një histori të veçantë. Në Gjermani ajo është fëmija e vetme, në rastin e të cilit tek nëna është aplikuar diagnostikimi përpara implantimit. Sonja Werner kishte pasur tri shtatzani të dështuara dhe vetëm pas së tretës mjekët kishin konstatuar se shkaku ishte një defekt gjenetik. Pas kësaj ajo vendosi që përpara se t'i hynte një shtatzanie të tretë me fekondim artificial, mjekët të kontrollonin, nëse fëmija do të dilte me defekte. Në këtë mënyrë përpara se të bëhej fekondimi artificial i qelizave femërore, ato u kontrolluan dhe u implantua vetëm embrioni i shëndetshëm dhe pa defekte. Rezultati qe vajza Maksima: "Sipas meje këtu nuk kemi të bëjmë me ndonjë ndërhyrje në punët e Zotit. Po të sëmurem me kancer, unë përpiqem që të shërohem përmes kimioterapive, apo operacioneve dhe jam shumë e lumtur që mjekësia ka bërë përparime të tilla. Unë mendoj se edhe në këtë rast, kështu duhet të veprohet. Në rast se mjekësia e bën të mundshëm një test të tillë, atëhere unë nuk kam pse të mos e bëj, por të them se ashtu ishte fati."
Diagnostikimi para implantimit i mundur që në fillim të viteve 90-të
Por ndaj aplikimit të tij në Gjermani ka pasur shumë kritika, që lidheshin me çështjen, nëse me vrasjen e fetusit vritej edhe një jetë njeriu, apo jo. Këto kritika vinin kryesisht prej krahut konservator, që mendon se edhe qelizat e spermës, apo vezët e femrës përbëjnë pjesë të njeriut dhe se me to nuk duhet të eksperimetohet. I këtij mendimi është p.sh. Volker Kauder, kryetar i grupit parlamentar të CDU/CSU.
Ky diskutim është i vështirë në Gjermani, sepse lidhet me të kaluarën naziste.
Gjatë kësaj periudhe në emër të ligjeve për pastërtinë e rracës janë tredhur, apo sterilizuar me detyrim qindra-mijëra persona me të meta, në mënyrë që të mos mund të sillnin fëmijë të sëmurë në jetë. Po ashtu meqenëse sipas teorisë dhe terminologjisë naziste njerëzit me të meta konsideroheshin si "jetë e pavlerë" shumë prej tyre janë vrarë dhe shfarosur.
Në disa vende kjo lloj diagnostike është krejtësisht e ndaluar
P.sh. në Itali, Austri dhe Zvicër. Në dhjetë vende kjo mund të aplikohet me disa kufizime. Në Gjermani, Irlandë dhe Finlandë kjo nuk është rregullar ende me ligj. Kurse në Belgjikë një diasnoktikë e tillë është e lejuar.
Professor Paul Devroey nga Brukseli, një ndër ekspertët më të njohur në botë për diagnostikimin përpara implantimit, tregon se kjo lloj analize merret vetem me defektet monogjenetike dhe se ai dhe kolegët e tij nuk mund të ofrojnë bebe me porosi, pra me sy bojëqielli etj. Fjala është për t'u kursyer fëmijëve sëmundje dhe vuajtje.
Autor: Uta Bollow/Pandeli Pani
Redaktoi: Angjelina Verbica