1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të lejohen testet gjenetike të embrionit? Nëse po, në çfarë kushtesh?

7 Korrik 2011

Parlamenti gjerman ndodhet sot (07.07.2011) para një vendimi të vështirë. Duhet të vendosë, nëse do të ndalojë kategorikisht në Gjermani diagnostikimin pre-implatativ, apo do ta lejojë atë me rregulla shumë të rrepta.

https://p.dw.com/p/11qph
Vezë me spermie pas fekondimit artificial
Vezë me spermie pas fekondimit artificialFotografi: picture-alliance/dpa

Parlamenti gjerman vendos sot për lejimin e testeve genetike tek embrionet e fertilizimit artificial. Për aprovim janë prezantuar tre projektligje. Ato përfshijnë që nga ndalimi i plotë i diagnostikimit gjenetik preimplantativ e deri tek lejimi i tyre. Gjatë diagnostikës gjenetike preimplantative kontrollohet gjenotipi i embrioneve, i cili parashikon, nëse duhet pritur shfaqja e sëmundjeve të rënda. Në këtë mënyrë në mitër vendosen vetëm embrione të shëndosha. Kritikët thonë se me diagnozën gjenetike preimplantative vendoset në mënyrë arbitrare, kush duhet dhe kush nuk duhet të jetojë. Ligjvënësi pyetet tani, sepse për diagnostikimin gjenetik pre-implatativ nuk flitet shprehimisht në ligjin për mbrojtjen e embrioneve të vitit 1990, prandaj është vlerësuar për një kohë të gjatë si vepër penale. Gjykata Federale lejoi korrikun e kaluar kontrollimin e vezëve të fertilizuara artificialisht tek çiftet e prirura për të patur sëmundje të rënda.

Tre projektligje

Kancelarja Angela Merkel (CDU) dhe ministri i Mbrojtjes Thomas de Maiziere (CSU)
Diskutimi në Bundestag Kancelarja Angela Merkel (CDU) dhe ministri i Mbrojtjes Thomas de Maiziere (CSU)Fotografi: picture alliance/dpa

Ata, që janë për lejimin e kontrolleve gjenetike tek embrionet e fertilizimit artificial, argumentojnë se nëpërmjet tyre mund të testohen për defekte gjenetike edhe embrionet në epruvetë, para se të futen në barkun e nënës, një argument të cilin kundërshtarët e përdorin për të mos e pranuar këtë procedurë. Deri në minutat e fundit kanë vazhduar diskutimet, nëse ky problem mund të rregullohet në mënyrë të qartë nëpër paragrafet e ligjit. Pavarësisht cilës parti i përkasin, pikëpamjet janë të ndryshme. Prandaj parashikohet që sot diskutimet në parlament të zgjasin pesë orë dhe votimi do të bëhet duke hequr përkatësinë në fraksion. Prognozat kanë qenë gati të pamundura, sepse nga 620 deputetë të parlamentit 178 nuk kanë thënë ende fjalën e tyre për një nga tre projektligjet.


Ndalim i rreptë i diagnostikimit pre-implatativ?

Deri ku lejohet të shkojë mjekësia?
Deri ku lejohet të shkojë mjekësia?Fotografi: picture-alliance/dpa

92 deputetë të mbledhur rreth zëdhënëses për çështjet shëndetësore të Të gjelbërve, Birgitt Bender dhe kryetarit të fraksionit të kristiansocialiëve Johannes Singhammer (CSU), janë për ndalim të rreptë. Ata argumentojnë se seleksionimi i embrioneve të sëmura nëpërmjet diagnostikimit pre-implatativ rrezikon "akceptimin e shumëllojshmërisë shoqërore". Në këtë mënyrë rritet presioni ndaj prindërve, se duhet të kenë një fëmijë të shëndetshëm. Nuk mund të vendoset nëpërmjet një lloj kontrolli kualiteti, cila jetë duhet të lejohet të zhvillohet dhe cila jo.

Përkrahës të kësaj ideje janë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryetari i fraksionit, Volker Kauder si dhe sekretarja e përgjithshme e Partisë Socialdemokrate, Andrea Nahles, si dhe ish ministrja e Shëndetësisë, Ulla Schmidt (SPD).


Lejimi pas sqarimit dhe këshillimit?

Grua shtatzënë
Grua shtatzënëFotografi: Fotolia/Karen Roach

Një grup politikanësh të mbledhur rreth politikanit kristiandemokrat Peter Hintze, demokrates liberale Ulrike Flach dhe parlamentares socialdemokrate Carola Reimann janë për lejimin e kufizuar të diagnostikimit pre-implatativ. Këta mendojnë se kusht duhet të jetë që çiftet të kenë predispozitën për sëmundje të rënda të trashëgueshme, ose rrezikshmërinë që fëmija të dalë i vdekur, apo që lindja të dështojë. Për të shmangur keqpërdorimet prindërit janë të detyruar të marrin pjesë në këshillime. Përveç kësaj një komision për çështjet etike duhet të vendosë pro diagnostikimit të tillë. Përveç kësaj diagnostikimi pre-implatativ duhet të kryhet vetëm në pak qendra të licencuara. Rregulla të tilla duhet të pengojnë të shkaktohen keqpërdorime të tipit "Designerbabys". 215 deputetë mbrojnë këtë propozim.


Apo mosndëshkim në raste të veçanta?

Debat në Bundestag për ligjin e diagnostikimit pre-implatativ
Debat në Bundestag për ligjin e diagnostikimit pre-implatativFotografi: dapd

Një grup i vogël rreth presidentit të parlamentit Norbert Lammert (CDU), politikanes socialdemorkate Rene Rëspel dhe deputetes së Të gjelbërve Priska Hinz janë për ndalimin në përgjithësi të diagnostikimit pre-implatativ dhe në raste të caktuara të mos quhet "i paligjshëm". Një diagnostikim i tillë duhet të jetë i mundur vetëm në raste trashëgimish sëmundesh të rënda të prindërve, të cilat shkaktojnë me propabilitet të lartë dëmtim të embrionit, ose dështim, apo vdekje. Edhe në këtë rast parashikohen këshillime dhe aprovimi i një komisioni ethike. Ky projektligj ka paraprakisht 36 përkrahës.

Autor: Hartmut Lüning/Aida Cama

Redaktoi: Angjelina Verbica