SHBA: Dhoma e Përfaqësuesve miratoi ndihmat për Ukrainën
21 Prill 2024Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA miratoi ndihmat ushtarake për Ukrainën pas një bllokade disamujore. Me votat e republikanëve dhe demokratëve, deputetët miratuan një paketë prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën si mbështetje në luftën kundër Rusisë agresore. Më pas procedura kalon në Senatin Amerikan, dhomën e dytë, që mund të bëhet më së shpejti të martën. Demokratët kanë në Senat një shumicë të lehtë, dhe miratimi aty konsiderohet i sigurtë. Presidenti amerikan, Joe Biden kishte bërë të ditur më parë, se do t'i nënshkruajë pa vonesë ndihmat për Ukrainën pas një vendimi përkatës të kongresit. Kreu republikan i Dhomës së Kongresit, republikani Mike Johnson e njoftoi votimin para disa ditësh, me rrezikun e një rebelimi të skajit të djathtë të grupit të tij parlamentar.
Zelensky falëndëron SHBA
Ukraina dhe NATO e përshëndetën votimin në Dhomën e Përfaqësueve. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski falënderoi SHBA. Miratimi për "ndihmën ekzistenciale" do të pengojë që lufta "të zgjerohet", shkroi presidenti Zelenski në platformën X. Ndihmat e reja "do të shpëtojnë mijëra e mijëra jetë dhe do të ndihmojnë të dy vendet tona të bëhen më të fuqishme."
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e përshëndeti vendimin në SHBA. "Ukraina i përdor armët që venë në dispozicion aleatët për të shkatërruar kapacitetet ruse", shkroi ai në X. "Kjo na bën ne të gjithëve më të sigurtë, në Europë dhe në Amerikën e Veriut."
la/ag