1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Franca dhe Gjermania shtojnë ndihmat ushtarake për Ukrainën

29 Mars 2023

Franca dyfishon furnizimin mujor me predha, kurse Gjermania planifikon më shumë ndihma ushtarake për Ukrainën.

https://p.dw.com/p/4PPMC
Franca dyfishon furnizimin mujor me predha per Ukrainen
Franca dyfishon furnizimin mujor me predha per UkrainenFotografi: Alex Brandon/dpa/AP/picture alliance

Ministri francez i Mbrojtjes, Sébastien Lecornu tha se Franca do të rrisë duke filluar nga fundi i marsit furnizimet me predha 155 mm duke dërguar 2,000 predha në muaj. Franca do të vërë në dispozicion pajisjet e nevojshme për kundërsulmin e Ukrainës. Predhat 155 milimetra mund të përdoren jo vetëm me armë artilerie të prodhimit francez, por edhe me armë artilerie të tipit Panzerhaubitze 2000, që Gjermania i ka vënë në dispozicion Ukrainës. Sipas Lecornu Franca sikurse kishte premtuar po përgatit për t'i dorëzuar së shpejti Ukrainësnjë sistem të mbrojtjes ajrore SAMP/T. Përveç kësaj Franca po shqyrton edhe rimbushjen e një fondi mbështetës për Ukrainën.

Macron mbështet "ekonominë e luftës"

Pasi Bashkimi Evropian vendosi të shpenzojë bashkarisht dy miliardë euro për një milion predha, presidenti francez Emmanuel Macron po zhvillon bisedime me përfaqësues të industrisë së armatimeve për të diskutuar kalimin në një "ekonomi lufte", për të cilën po bën prej disa kohësh thirrje.

Macron mbështet "ekonominë e luftës"
Macron mbështet "ekonominë e luftës"Fotografi: Sven Eckelkamp/imago images

Kompania franceze Nexter planifikon që deri në vitin 2025 të prodhojë 150,000 granata në vit - tri herë më shumë se para shpërthimit të luftës. Në shkurt Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi për mungesë municionesh në Ukrainë, sepse në front sipas tij po përdoret më shumë municion sesa mund të prodhojë NATO-ja.

Gjermania planifikon më shumë ndihma ushtarake për Kievin

Edhe qeveria gjermane synon të rrisë ndjeshëm ndihmën ushtarake për Ukrainën. Komisioni i Buxhetit pritet të miratojë sot (29.03) fonde shtesë prej 12 miliardë eurosh. për Ukrainën. Një pjesë e parave do të përdoret për të blerë direkt armë për Ukrainën, si pjesë e të ashtuquajturës "nismë për kalitjen e Ukrainës". Pjesa tjetër do të shërbejë për të mbushur boshllëqet në depot e ushtrisë gjermane Bundeswehr, që u shkaktuan nga dërgimi i armëve në Ukrainë.