Serbët hoqën barrikadat në veri të Kosovës
30 Dhjetor 2022Janë larguar barrikadat në veriun e Kosovës të vendosura nga serbët lokalë, që për 19 ditë mbajtën të mbyllura rrugët kryesore të kësaj pjesë të banuar me shumicë serbe. Barrikadat u larguan nga vet serbët lokal gjatë pasdites dhe natës të së enjtes, ashtu siç paralajmëroi Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, i cili tha se ka marrë garanci nga SHBA-ja dhe BE-ja që askush nga barrikaduesit nuk do të ndiqet penalisht. Njerëz me maska u panë gjatë tërheqjes së mjeteve të rënda që bllokonin rrugët e veriut, ndërsa, tërheqja e barrikadave monitorohej nga pjesëtarë të forcave paqeruajtëse dhe të misionit EULEX. Gjatë natës, disa kamionë, me të cilët ishte bllokuar rruga kryesore në Mitrovicë të Veriut, u dogjën dhe sipas policisë përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar.
Rihapet pika kufitare Merdare
Policia e Kosovës njoftoi se është rihapur vendkalimi kufitar me Serbinë në Merdare, dy ditë pas bllokimit të tij nga një grup serbësh në territorin e Serbisë, si shenjë "mbështetjeje për serbët në veriun e Kosovës”. Dy pikat e tjera kufitare me Serbinë Jarinje dhe Bërnjak, akoma mbesin të mbyllura ndonëse rrugët tashmë janë liruar nga Barrikadat.
Autoritetet e Prishtinës për vendosjen e barrikadave fajësuan "bandat kriminale" që kanë mbështetjen e Serbisë. "Barrikadat po hiqen. Të dielën e thamë që është çështje ditësh kur do të largohen ato. Edhe më mirë që kjo të bëhet pa ndërhyrjen e policisë sonë. Vetë i vunë barrikadat, vetë i hoqën ato. Me fjalë të tjera, krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan veten”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
BE vlerëson diplomacinë dhe pret zgjidhje për dialogun në vitin 2023
Heqjen e barrikadave e përshëndeti edhe kreu i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili tha se "diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës”. "Dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje”, shkroi Borrell në Twitter duke shtuar se "tani kemi nevojë për përparim urgjent në dialog”. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dy ditë më parë thanë se "janë duke punuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike që të ulen tensionet në veri të Kosovës”.
I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ndërkaq, tha se "mosbesimi në mes të Kosovës dhe Serbisë ka mbërritur nivelin më të lartë ndonjëherë, pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës”. Sipas tij po qe se dialogu nuk përmbyllet në vitin 2023, "atëherë, duhet nisur gjithçka nga e para”. "Ajo që ka rëndësi shumë të madhe tani është të mos lejojmë që situata të kthehet në ndonjë krizë tjetër dhe është e rëndësishme që liderët e Kosovës dhe Serbisë të nisin të krijojnë atmosferë të favorshme për diskutime produktive për normalizim raportesh”, tha Lajçak për gazetën Politico. Sipas tij, aktualisht është koha ideale për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi dhe nëse humb ky rast, mosmarrëveshja mund të zgjasë me dekada. "Tani për tani, kemi strukturë shumë të favorshme: Kemi vëmendjen e top-lidershipit në SHBA dhe BE, dhe kemi bashkëpunim të shkëlqyer BE-SHBA, prandaj kjo është dritare e vërtetë e mundësisë, diku deri në dhjetor 2023 ose fillim 2024”, ka thënë Lajçak, transmeton Politico. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga ana e tij tha se "ka vetëm një zgjidhje paqësore dhe demokratike për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e kjo është njohja e ndërsjellë”.