Media gjermane: Ngjarjet në veri shkallëzim i rrezikshëm
29 Dhjetor 2022Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" në analizën e saj pas ashpërsimit të situatës në veri, shkruan se ajo që po ndodh aktualisht në veriun e Kosovës është një shkallëzim i rrezikshëm, të cilin perëndimi duhet ta marrë seriozisht. "Për shkak të konfliktit në Ukrainë [...] shumë kanë harruar, se lufta nuk është rikthyer këtë vit në Europë. Fuçia e parë e barutit, që shpërtheu pas Rënies së Murit ishte ish-Jugosllavia. [...] Por shumë më tepër se në Ukrainë, Brukseli dhe Uashingtoni kanë mundësi direkte të ndikimit në Ballkan. [...]Prandaj duhet këtë herë të jetë parimisht e mundur, që ta vendosin gjendjen sërish nën kontroll. As Serbia dhe as Kosova nuk kanë interes për dhunën apo kthime serioze pas në marrëdhënien me perëndimin. Për Moskën [...] kjo nuk vlen. Vetëm për këtë arsye është kaq urgjente, që europianët të kujdesen më fort për Ballkanin."
Kurse gazeta "Märkische Zeitung" reagon në lidhje me politikën e Serbisë ndaj Kosovës dhe Rusisë. "Megjithatë Vuçiqi pritet gati me përulje nga përfaqësues të Bashkimit Europian. Kjo politikë "appeasement" e qetësimit ka bërë që gjendja të shkallëzohet. Prandaj ka ardhur koha për ndryshim të politikës: Faktorët perëndimorë duhet të kërkojnë qartë nga presidenti serb t'i japë fund provokimeve dhe dëshirës për fuqinë e madhe serbe dhe të kontrollojnë kanalet e rrjedhjes së parave nga Rusia. Përveç kësaj BE duhet që ta kushtëzojë dhënien e parave tek Serbia dhe të kuptojë më në fund që Vuçiqi as nuk do të hyjë në BE."
Ndërsa "Welt" nën titullin "Loja e ndezjeve e Serbisë mund të përhapë zjarrin" shkruan se shumë të le të kuptosh, se është Rusia në sfond, që e nxit konfliktin mes Serbisë dhe Kosovës, edhe për të shkaktuar pasiguri në perëndim. "Presidenti Putin e përdor presidentin serb, Aleksandar Vuçiq si ndihmësin e tij.[...] Në rastin më të keq grindja mund të dalë jashtë kontrolli dhe të shkaktojë një konflikt të zgjeruar në Ballkanin e brishtë, megjithë prezencën e NATO-s dhe këtë para derës së BE." "Welt" analizon më tej se përplasjet aktuale tregojnë, se marrëveshja e ndërmjetësuar nga BE nuk ishte me shumë vlerë. "Marrëveshja ishte shumë miqësore ndaj serbëve kundrejt Serbisë dhe nuk i zgjidhi problemet me detyrimin për qeverinë kosovare për të lejuar një asociacion të komunave serbe- Nuk është e kuptueshme pse BE këtë marrëveshje deri më sot e nxjerr atë kudo përpara."
la/ag