1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
KonflikteGjermani

Scholz i premton Ukrainës ndihma të reja ushtarake

12 Tetor 2024

Për shkak të anulimit të vizitës së presidentit amerikan samiti i madh për Ukrainën në Ramstein nuk u zhvillua. Por Zelensky erdhi në Gjermani, ku mori premtime për armë të reja.

https://p.dw.com/p/4lhyZ
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kancelari gjerman Olaf Scholz shtrëngojnë duart
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kancelari gjerman Olaf ScholzFotografi: Ebrahim Noroozi/ASSOCIATED PRESS/picture alliance

Kancelari Olaf Scholz i premtoi Ukrainës ndihma ushtarake shtesë nga partnerët perëndimorë. Ndihmat do të kenë një vlerë  prej 1.4 miliardë eurosh. Ndër to bëjnë pjesë sisteme të mbrojtjes ajrore, artileri dhe dronë, tha kancelari në një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Berlin.

Zelenski u takua në kryeqytetin gjerman edhe me Presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier.

Përkrah Ukrainës

"Gjermania vazhdon të qëndrojë e vendosur përkrah Ukrainës”, theksoi Scholz. Ai dënoi edhe një herë sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës së Ukrainës, të cilat, sikurse tha ai, kanë si qëllim të thyejnë e vullnetit popullit për të rezistuar.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kancelari gjerman Olaf Scholz
Olaf Scholz: Gjermania vazhdon të qëndrojë e vendosur përkrah UkrainësFotografi: TOBIAS SCHWARZ/AFP via Getty Images

Kjo ishte vizita e dytë e Presidentit ukrainas në Gjermani brenda pesë javësh dhe biseda e tretë personale me kancelarin Scholz gjatë kësaj periudhe.

Para takimit në kryeqytetin gjerman Zelenski ishte për vizitë në Londër, Paris dhe Romë, ku prezantoi planin e tij për një "paqe të drejtë”.