1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania e furnizon Ukrainën me obusë të blinduar shtesë

6 Shtator 2024

Qeveria gjermane i përgjigjet kërkesës së presidentit ukrainas për dërgesa të reja armësh. Volodymyr Zelenski udhëtoi në Gjermani veçanërisht për të nënvizuar seriozitetin e situatës në luftën në Ukrainë.

https://p.dw.com/p/4kMsB
Deutschland Ramstein | Lloyd Austin, Wolodymyr Selenskyj und Rustem Umerow
Fotografi: Heiko Becker/REUTERS

Gjermania do ta furnizojë Ukrainën me dymbëdhjetë obusë të blinduar shtesë me vlerë 150 milionë euro, për fushatën e saj të mbrojtjes kundër sulmit rus.

Gjashtë obusë modernë "PzH 2000" do të dorëzohen këtë vit dhe gjashtë të tjerë vitin e ardhshëm, njoftoi Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius. Deri tani, Ukraina ka marrë nga Gjermania 14 prej këtyre obusëve të blinduar.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius beson se mbështetja afatgjatë ushtarake për Ukrainën është e garantuar. "Ne do të jemi në gjendje të vazhdojmë mbështetjen tonë deri në vitin 2026”, theksoi politikani socialdemoktrat në takimin e 24-të të Grupit të Kontaktit për Ukrainën, të mbajtur në bazën amerikane në Ramstein (Rheinland-Pfalz). Për ta mbështetur luftën e trupave ukrainase në terren, Gjermania do ta furnizojë Ukrainën me më shumë topa obusë tip 2000.

Në një sallë prodhimi të kompanisë gjermane të mbrojtjes Rheinmetall: obusët vetëlëvizës "PzH 2000"
Dy toka vetëlëvizëse në një sallë prodhimi të koncernit RheinmetallFotografi: Philipp Schulze/dpa/picture alliance

Megjithatë, Pistorius theksoi se ndihma ushtarake gjermane do të vazhdojë të fokusohet në forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, duke iu referuar në këtë kontekst katër sistemeve të mbrojtjes ajrore IRIS-T që Bundeswehr-i i ka vënë tashmë në dispozicion Ukrainës për këtë qëllim. Këto sisteme "shpëtojnë me plotëkuptimin e fjalës jetë çdo ditë dhe çdo natë", tha Pistoriusi. Ukraina deri tani ka marrë gjithsej 24 sisteme të tilla, të financuara edhe nga Gjermania. Dy të tjera do të dorëzohen në fund të vitit.

Sulme masive ruse në qytetet e Ukrainës

Pistorius theksoi se ditët e fundit në veçanti kishin "dëshmuar brutalisht" se Rusia po zgjeronte sulmet e saj ajrore kundër Ukrainës. Sulmi rus në qytetin ukrainas Poltava, në të cilin vdiqën më shumë se 40 persona, ishte një nga sulmet më të rënda. Megjithatë edhe qytete të tjera të Ukrainës kanë qenë kohët e fundit objektiva të sulmeve intensive me raketa dhe sulme me dronë, duke përfshirë Lvivin dhe Kharkivin.

Nuk ka asnjë tregues se Rusia dëshiron t'i japë fund agresionit të saj, tha Pistoriusi. Kjo mund të shihet në "terrorin rus me bomba kundër civilëve". Prandaj Gjermania do të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme, tha ai. Sovraniteti i këtij shteti të lirë duhet të mbrohet, kujtoi Pistoriusi.

Pistorius ne Ramstein
Fotografi: Andreas Arnold/dpa/picture alliance

Zelenski kërkon armë me rreze të gjatë veprimi

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski mori pjesë personalisht në takimin e Grupit të Kontaktit për Ukrainën. Ai përsëri bëri thirrje për më shumë ndihmë ushtarake, veçanërisht për forcimin e mbrojtjes ajrore të vendit të tij. Bota ka "sisteme të mjaftueshme të mbrojtjes ajrore" për të siguruar që "terrori rus" të mos japë rezultat, deklaroi Zelenski në fillim të konsultimeve në Ramstein. Nevojiten edhe më shumë avionë F-16 në luftën kundër agresionit rus. Ata janë "efektivë", por ushtria ukrainase ka shumë pak nga këta avionë.

Zelenski u përqendrua gjithashtu në kërkesën për më shumë armë me rreze më të gjatë veprimi, për të qenë në gjendje të sulmohen objektivat ushtarakë në territorin rus. Që përpara mbërritjes së tij në Rheinland-Pfalz, Zelenski kishte theksuar në shërbimin e mesazheve Telegram se ishte e rëndësishme të merreshin vendime të prera në favor të armëve me rreze të gjatë për t'iu afruar një paqeje të drejtë. "Ne kemi nevojë për këto mjete (...) jo vetëm për territoret e puhstuara të Ukrainës, por edhe për territoret ruse, në mënyrë që të motivojmë Rusinë të kërkojë paqe," tha Zelenski në fillim të konsultimeve të Grupit të Kontaktit.

Por përdorimi i armëve perëndimore për sulmet e Ukrainës në territorin rus është i diskutueshëm. Deri tani, nga mbështetësit e Ukrainës janë autorizuar vetëm sulme në rajonet kufitare me Rusinë.

Zelenski ne Ramstein
Fotografi: Daniel Roland/AFP/Getty Images

Takim me Scholzin

Zelenski do të udhëtojë për në Frankfurt am Main më pas. Aty është planifikuar një takim me kancelarin federal, Olaf Scholz. Scholz e ka siguruar vazhdimisht Ukrainën se Gjermania nuk do të tërhiqet në mbështetjen e saj. Megjithatë, përballë mosmarrëveshjes për buxhetin në qeverinë gjermane, është shtruar pyetja nëse Gjermania do ta reduktojë ndihmën financiare për Ukrainën.

Sipas Scholz-it, ndihma e këtij viti për Ukrainën arrin në më shumë se shtatë miliardë euro. Për vitin e ardhshëm projektbuxheti parasheh rreth 4 miliardë euro. Megjithatë, sipas Scholz.it, ndihma do të financohet edhe nga burime të tjera. Sipas vendimit të shteteve të G7-ës, Ukraina do të marrë një hua prej rreth 50 miliardë dollarësh (rreth 45 miliardë euro) për ndihmë afatgjatë, interesi i së cilës do të financohet nga të ardhurat e aseteve t ngrira të shtetit rus.

Sipas qeverisë amerikane, që nga sulmi rus në Ukrainë janë ngrirë në vendet perëndimore rreth 280 miliardë dollarë (rreth 260 miliardë euro) të fondeve të bankës qendrore ruse. Pjesa më e madhe e parave është në BE, rreth 210 miliardë euro sipas Komisionit Evropian. Paratë e ngrira ruse gjenerojnë miliarda të ardhura nga interesi çdo vit, të cilat parashikohet që në të ardhmen të përdoren për Ukrainën.

dw/tg