1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paratë e Gaddafit i jepen kryengritësve

26 Gusht 2011

Këshilli tranzitor po përgatitet të marrë përsipër drejtimin e pushtetit në Libi. Tani për këtë janë të gatshme edhe të hollat, pasi që KS i OKB-së miratoi lirimin e aseteve të ngrira të regjimit Gaddafi.

https://p.dw.com/p/12O19
Pamje nga mbledhja e KS të OKB-së në Nju Jork
Pamje nga mbledhja e KS të OKB-së në Nju JorkFotografi: dapd

Re të zeza tymi ngrihen ende mbi Ebu Salimin e përfshirë nga luftimet. Në këtë pjesë të Tripolit  kryengritësit dhe përkrahësit e Muamar al-Gaddafit zhvilluan përleshje të ashpra edhe në natën e të premtes (26.8.). Sipas njoftimeve të pakonfirmuara në betejë morrën pjesë rreth 1000 luftëtarët kryengritës. Anëtarët e familjes së Gaddafit supozohet të jenë fshehur në këtë lagje.

Kryengritësit në kërkim të Muamar al-Gaddafit
Kryengritësit në kërkim të Muamar al-GaddafitFotografi: dapd

Vet Gaddafi u lajmërua sërish përmes telefonit. Në një mesazh gati katër minutësh ai i bëri thirrje popullit libian për luftë kundër rebelëve. "Ne po rezistojmë kundër këtyre minjëve të marrë të gjirizit.  Ne do të ngadhënjejmë me armët tona, me  këmbënguljen tonë dhe një dëshirë të fortë për paqe, sovranitet, krenari dhe nder. Mos kini frikë prej tyre, por keni frikë nga Perëndia! Ju jeni më afër Zotit se ata - ata janë të pafe, tradhtarë dhe kryqtarë! Ata nuk do të kenë mëshirë për ju, kështu që as ju mos keni mëshirë për ta! Ju të rinjtë e Tripolit luftoni nga rruga në rrugë, nga shtëpi në shtëpi, luftoni ata me armët e juaja!"

Edhe në rajone të tjera të vendit vazhdojnë luftimet, si për shembull në qytetin e Libisë Qendrore Sabha dhe në rrugën e bregut perëndimor të Tripolit në drejtim të Tunizisë. Këshilli Tranzitor i rebelëve vlerëson se që nga shpërthimi i kryengritjes në pranverë jetën kanë humbur rreth 20 mijë njerëz.

Këshilli tranzitor përgatitet për formimin e qeverisë kalimtare

Pamje nga Tripoli
Pamje nga TripoliFotografi: dapd

Ndërkohë nga Bengazi në Tripoli kanë mbërritur anëtarët e parë të Këshillit Tranzitor të Libisë. Ata duan të përgatisin atje krijimin e qeverisë kalimtare.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ndërkohë ka vendosur për lirimin e rreth një miliardë eurove nga pasuritë e ngrira të regjimit Gaddafi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Vendimi u morr pas presionit të bërë nga qeveria amerikane në Uashington. Paratë është menduar që të ndahen në tre pjesë, një për Këshillin Tranzitor, një për ndihma humanitare për Libinë dhe pjesa e tretë të transferohet në një fond humanitar nga i cili do të financoheshin derivatet e naftës dhe mallëra të tjera urgjente. Me këto para nuk synohet vetëm forcimi i pozitës financiare të udhëheqjes së rebelëve por të mbeshtetet edhe rindërtimi i Libisë, thuhet në Nju Jork.

Regjimi i Gaddafit kishte 20 miliardë euro asete jashtë shtetit

Në foto, Mahmud Xhibril
Në foto, Mahmud XhibrilFotografi: dapd

Më parë zëdhënësi i Këshillit Tranzitor, Mahmud Xhibril gjatë një takimi me kryeministrin italian Silvio Berluskoni kishte marrë premtimin se Italia do të lirojë 350 milionë euro. Po ashtu edhe shtete të tjera ku janë ngrirë asetet e Gaddafit duan të ndjekin këtë shembull. Sipas të dhënave të diplomatëve të Kombeve të Bashkuara në mbarë botën të ngrira janë rreth 20 miliardë euro asete të regjimit Gaddafi.

Vendi do të ketë nevojë për rreth katër miliardë euro për të financuar fazën e parë kalimtare, tha Xhibrili. Këto para janë urgjentisht të nevojshme jo vetëm për të përmirësuar gjendjen humanitare por edhe për të vënë në funksion nxjerrjen e naftës e cila është paralizuar në pjesë të madhe. Më së largu pas një viti vendi do të jetë në gjendje të eksportojë sasinë e njëjtë të naftës si para fillimit të luftës, ka deklaruar një përfaqësues i rebelëve.

 Autor: Hans Michael Ehl / Esat Ahmeti

Redaktoi: Bahri Cani