1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spekulime dhe njoftime të pakonfirmuara - Roli jotransparent i NATO-s në Libi

26 Gusht 2011

Misioni i NATO-s në Libi shërben për mbrojtjen e popullsisë, thuhet zyrtarisht nga selia e NATO-s në Bruksel. Por ka spekulime se disa vende të NATO-s ndihmojnë direkt rebelët me armë, trajnim e informacione sekrete.

https://p.dw.com/p/12NnJ
Kryengritës nëTripoli kërkojnë familjarët e Gadafit
Kryengritës nëTripoli kërkojnë familjarët e GadafitFotografi: dapd

Në çdo konferencë për shtyp, me çdo deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, ka theksuar se aleanca ushtarake me operacionet ushtarake në Libi i përmbahet në mënyrë rigoroze mandatit të Kombeve të Bashkuara:

"Qëllimi ynë gjatë gjithë konfliktit është, për të mbrojtur njerëzit në Libi ."

Deri këtu në rregull. Por mënyra, se si e përmbush NATO rolin e saj, është megjithatë për t'u shënuar. Sipas mendimit të shumë vëzhguesve aleanca ushtarake u jep rebelëve mbështetje nga ajri. Pa sulme ajrore nuk do të kishte qenë i mundur avancimi i kryengritësve në tokë. Nëse disa njësi speciale të disa vendeve të NATO-s i mbështesin rebelët edhe në tokë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s nuk do ta thotë:

"Nuk ka njësi në tokë, që janë nën komandën e NATO-s."

Ndihmojnë shtetet e NATO-s në trajnimin e rebelëve?

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh RasmussenFotografi: AP

Dhe kjo është pikërisht pika kritike. Në teori NATO mund të sulmojë vetëm nga ajri. Në fakt disa vende anëtare bëjnë me sa duket më shumë. Gjithnjë e më shumë gazeta raportojnë që forcat speciale nga Franca, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara ndihmojnë për trajnimin e rebelëve. Ata siç duket sigurojnë kryengritësit me armë dhe informacione të shërbimeve sekrete. Dhe kjo nuk është e mbuluar në fakt nga mandati i OKB. Kur NATO-n e konfronton me këto raporte, zëdhënësja e aleancës mbahet e mbuluar dhe thotë shkurt:

"Se çfarë bën secili shtet i veçantë, është çështje e tij."

Trupat britanike në kërkim të Gadafit?

Rebelë në Tripoli
Rebelë në TripoliFotografi: dapd

Marrëdhëniet në mes të vendeve anëtare dhe të aleancës duken pak të paqarta. Si edhe në çështjen, nëse NATO mbështet rebelët në këto orë në kërkim të Muamar al-Gadafit. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s është i qartë:

 "Al-Gaddafi apo persona të tjerë nuk janë synimi i NATO-s. "

Nga ministri britanik i Mbrojtjes dëgjohet ndryshe:

"NATO sigurisht që do të verë në dispozicion më shumë mjete të shërbimit sekret dhe të zbulimit për të kërkuar Gadafin dhe pjesën tjetër të regjimit."

Mediat raportojnë madje edhe se trupat britanike të elitës marrin pjesë me veshje rebelësh në kërkim të al-Gadafit . Është e vështirë të imagjinohet, se edhe kreu i lartë të NATO-s nuk di asgjë për masa të tilla ndihme. Vetëm që askush në selinë e NATO-s momentalisht nuk do të konfirmojnë operacionet e përfolura ushtarake .

 

Autor: Leon Stebe/Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti