1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moskë: Ukraina godet Rusinë me raketa ATACMS

19 Nëntor 2024

Nëse informacioni është i saktë, Ukraina përdori raketa amerikane për herë të parë pikërisht në ditën e 1000-të të agresionit rus. Presidenti Zelenski i ka mohuar ndërkohë kreut të Kremlinit çdo dëshirë për paqe.

https://p.dw.com/p/4nAT1

Një raketë ATACMS e ushtrisë amerikane lëshohet (raketa ne leshim)
Një raketë ATACMS e ushtrisë amerikane lëshohetFotografi: picture alliance/dpa/yonhap

Sipas Moskës, Ukraina goditi territorin rus me raketa ATACMS të dorëzuara nga SHBA. Të hënën në mbrëmje, Kievi sulmoi një instalim ushtarak në rajonin kufitar Bryansk me gjashtë raketa balistike, tha Ministria e Mbrojtjes në Moskë në një deklaratë të publikuar nga agjencitë shtetërore ruse të lajmeve. Sipas këtij njoftimi për shtyp, gjatë këtij sulmi janë përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi të tipit ATACMS të furnizuara nga SHBA.

Nuk ka të plagosur në rajonin e Bryansk-ut

Sipas ministrisë ruse, pesë nga raketat u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ruse. Mbetjet nga një raketë e gjashtë thuhet se ranë në një "instalim ushtarak" të paspecifikuar dhe shkaktuan një zjarr të vogël. Nuk ka pasur të lënduar apo dëme. Detajet e vendit përputhen me të dhënat e ofruara nga Ukraina. Shtabi i përgjithshëm në Kiev raportoi një sulm natën në një depo municionesh ruse, pranë qytetit Karaçev në rajonin Bryansk.

Kjo do të ishte goditja e parë që kur presidenti amerikan Joe Biden miratoi përdorimin e raketave amerikane ATACMS nga Ukraina. Për muaj të tërë, Kievi i kishte kërkuar Uashingtonit dritë jeshile për përdorimin e raketave ATACMS (Army Taktic Missile System) me rreze veprimi prej 300 kilometrash kundër objektivave në brendësi të Rusisë.

Moska tha se përdorimi i armëve perëndimore për të sulmuar territorin rus të njohur ndërkombëtarisht do t'i bënte Shtetet e Bashkuara pjesëmarrëse të drejtpërdrejtë në konflikt. Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi "vendime të duhura" në këtë rast.

Zelenski: Nuk do të ketë dorëzim territori

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski ripohoi, me rastin e 1000 ditëve të agresionit rus, se vendi i tij nuk do të braktisë sovranitetin dhe nuk do të dorëzojë territore. Në një video-mesazh drejtuar eurodeputetëve në Bruksel, Zelenski i bëri thirrje popullit dhe politikanëve ukrainas të qëndrojnë të bashkuar. Lufta ka arritur një pikë vendimtare. Rusia e nisi sulmin e madh ndaj vendit fqinj më 24 shkurt 2022.

Kreu i shtetit ukrainas Volodymyr Zelenski gjatë një mesazhi me video me pamje te tendosur
Kreu i shtetit ukrainas Volodymyr Zelenski gjatë një mesazhi me videoFotografi: President of Ukraine

Ukraina dëshiron ta bëjë vitin e ardhshëm vit paqeje, vazhdoi Zelenski. I vetmi kundër paqes është presidenti rus Vladimir Putin, shtoi ai. "Ne duhet të bëjmë presion mbi Rusinë për një paqe të drejtë”. Është e qartë se Putini nuk është i motivuar për negociata të mirëfillta derisa të dobësohet ushtarakisht, vazhdoi kreu i shtetit ukrainas. Prandaj, vendi i tij duhet të vendoset në një pozicion të fortë.

Pistorius: Nuk është koha për të folur për paqen

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius tha në këtë kontekst se biseda telefonike mes kancelarit Olaf Scholz dhe Presidenti Putin disa ditë më parë kishte kaluar në mënyrë zhgënjyese. Lideri i Kremlinit pak a shumë kishte reaguar menjëherë duke nisur sulme serioze ndaj infrastrukturës së Ukrainës, tha politikani socialdemokrat në kuadër të një takimi ministror evropian në Bruksel. Sigurisht që është e rëndësishme të bisedohet sa herë që është e mundur. Por biseda telefonike kishte dhënë prova se Putini nuk ishte gati të negocionte për asgjë. Pistorius tha: "Të gjithë në Gjermani apo vende të tjera në Evropë duhet të kuptojnë më në fund se nuk është koha e duhur për të folur për paqen”.

Boris Pistorius flet ne Bruksel
Deklaratë për shtyp nga ministri gjerman i mbrojtjes Boris PistoriusFotografi: NICOLAS TUCAT/AFP

Megjithatë, Pistorius refuzoi - si kancelari Scholz - kërkesat për të dërguar raketa Taurus në Kiev. "Pozicioni i qeverisë federale në tërësi nuk ka ndryshuar," theksoi ministri. "Për momentin" dërgimi i Taurus nuk është i mundur.

Rutte: "Mos e bëni kundërshtarin më të zgjuar se ç'duhet"

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte u bëri thirrje aleatëve evropianë që të rrisin ndihmën ushtarake për Ukrainën në ditën e 1000-të të luftës së agresionit të Rusisë. Nevojitet më shumë ndihmë, më shumë para, tha Rutte në kryeqytetin belg. Është një "fakt i tmerrshëm” që Rusia mbështetet nga tre vende të tjera, vazhdoi Rutte: Koreja e Veriut me trupa, Kina ndër të tjera me mallra të përdorshme për qëllime ushtarake dhe civile dhe Irani me teknologji ushtarake.

 Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një deklarate për shtypin me rastin e takimit me Ministrat e Mbrojtjes të vendeve të BE-së në Bruksel. Mark Rutte flet para mikrofonave (19.11.2024)
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark RutteFotografi: NICOLAS TUCAT/AFP

Rutte tha në lidhje me këtë se NATO në parim rekomandon që anëtarët e saj të mos vendosin kufizime në dërgesat e tyre të armëve në Ukrainë. Megjithatë, vendimi u takon shteteve të ndryshme. Më tej është e këshillueshme që të mos flitet hapur për çështje të tilla: "Nuk duhet të komunikojmë tepër shumë dhe t'i bëjmë kundërshtarët tanë më të zgjuar se duhet”, theksoi ai.

aud (dw/afp, dpa,rtr)