Marrëveshje me efekte anësore - Këmbimi i të burgosurve forcon Hamasin
18 Tetor 2011Eshtë liria e një ushtari izraelit njëmijë herë më me vlerë se sa ajo e një të burgosuri palestinez? Pyetja është cinike, por tregtia e këmbimit disproporcional të një izraeliti me mbi 1000 palestinezë ka një dimension të dukshëm moral. Sepse sado që Izraeli me të drejtë ndëshkohet në arenën ndërkombëtare për shkak të politikës së ngulimeve, sado që ai i stërmundon palestinezët dhe u zë territoret atyre në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, duhet të pranohet se ky shtet i mbron dhe i vlerëson qytetarët e vet hebrenj në një masë të tillë, saqë asnjëherë nuk do të kuptohet prej grupeve të motivuara ideologjikisht siç është Hamasi radikal islamik.
Ndër të liruarit edhe atentatorë të bindur
Lirimi i më shumë se 1000 të burgosurve nga këndvështrimi izraelit është një çmim i lartë thuajse i pakapërdishëm për lirimin e Gilad Shalitit. Ndonëse ndër ta ka edhe njerëz, të cilët janë dënuar në procese me mjaft pikëpyetje, ka po ashtu edhe atentatorë të bindur, të cilët paskrupull mburren me vrasjen e civilëve izraelitë - dhe jo vetëm nga familjet e tyre, por edhe nga pala palestineze brohoriten si heronj. Ndaj është pozitive për Izraelin, që nga ana e vet nuk inskenon parada që nxisin dhunën dhe ndjellin urrejtje ndaj palestinezëve, siç bën pala e Hamasit.
Nga pikëpamja humanitare marrëveshja jep shkas për mirënjohje të lartë ndaj ndërmjetësuesve, Turqisë, Gjermanisë dhe Egjiptit. Por mbetet dyshimi, nëse vërtet këmbimi i të burgosurve hap një shans për paqen në Lindjen e Mesme, siç u shpreh ndër të tjerë para pak ditësh ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle e tani edhe Gilad Shalit, në prononcimin e tij të parë në liri.
Hamasi mund ta ndjejë veten fitimtar
Duket se pikërisht e kundërta mund të ndodhë: Hamasi mund ta ndiejë veten si fitimtar në këtë marrëveshje dispropocionale. Me kursin e vet militant, ai do të forcohet dhe inkurajohet - madje edhe kundrejt forcave të moderuara përreth presidentit palestinez Mahmoud Abas. Ai nuk mund të krenohet në popull me arritjen e lirimit të të burgosurve, por lufton pa sukses në parketin ndërkombëtar për njohjen e shtetit palestinez krahas Izraelit. Ai e bën këtë paqësisht dhe për këtë arësye konsiderohet ndër të humburit nga kjo marrëveshje.
Ndërsa Hamasi tani e di, që rrëmbimi i një ushtari të vetëm izraelit edhe në të ardhmen do të mund të jetë një biznes lukrativ për të: Në këtë mënyrë ai rifiton luftëtarët e vet. Ai fiton edhe peshë politike. Dhe ai fiton edhe popullaritet. Edhe për palën izraelite duhet pasur droja, se marrëveshja për të burgosurit nuk do të japë shkas për të nxitur ndryshimin e kursit. Përkundrazi pritet, që qeveria e djathtë nën Benjamin Netanjahun ta vazhdojë po me të njëjtën vendosmëri bllokadën antihumane në Rripin e Gazës, ashtu si edhe politikën e ngulimeve në Jordanin Perëndimor. Shkasin e nevojshëm për këtë mund ta servirë Hamasi i forcuar tashmë.
Autor: Rainer Sollich
Redaktoi: Vilma Filaj Ballvora