Guido Westerwelle vizitë dyditore në Izrael
8 Nëntor 2010Ministri gjerman i Jashtëm Guido Westerwelle, u bëri thirrje Izraelit dhe palestinezëve të rrisin përpjekjet për zhvillimin me sukses të bisedimeve direkte të paqes në Lindjen e Mesme. Procesi i paqes nuk lejon asnjë pushim, tha Westerwelle të dielën ( 7 nëntor) në një konferencë të përbashkët shtypi të dhënë Guido Westerwelle me ministrin izraelit, Avigdor Liebermann. Ministri gjerman pranoi se midis tij dhe mikpritësve vazhdojnë të ekzistojnë pikëpamje të ndryshme në çështjen e ngulimeve.
"Qeveria gjermane vazhdon të ndjekë objektivin e një zgjidhjeje të përgjithshme dhe të drejtë me dy shtete dhe midis miqsh mund të thuhet se në lidhje me problematikën e ngulimeve ne këmbyem pikëpamje të ndryshme."
Këtë Liebermann e konfirmoi me këto fjalë:
"Për ta bërë më të thjeshtë po ju them, se ne nuk ramë dakord në çështjen e ngulimeve, por për mua është e qartë se ngulimet nuk janë pengesë për paqen."
Westerwelle, që i quajti marrëdhëniet „të shkëlqyera“ dhe „ekselente“, kërkoi në prani të Liebermann-it që pas tre vjet e gjysmë bllokade Izraeli duhet të lejojë sërish eksportet e ekonomisë palestineze në Rripin e Gazës.
Për vizitën e tij në Rripin e Gazës, më 8 nëntor, Westerwelle u tregua shumë optimist: Në ndërtimin e një uzine të re për pastrimin e ujrave të zeza të ngritur me paratë gjermane, Izraeli nuk ka më kundështrime politike. „Kjo mund të quhet një kthesë e madhe,“ tha ministri gjerman. Rripi i Gazës i sunduar nga Hamasi mbetet sfidë e madhe:
"Ne duam forca të moderuara palestineze. Për këtë na duhet zhvillim më i mirë ekonomik prandaj unë kam kërkuar krijimin e mundësive për eksportet nga Rripi i Gazës, duke i bërë propozime konkrete kolegut tim izraelit."
Lidhur me programin atomik iranian, Westerwelle tha se siguria e Izraelit është e padiskutueshme për qeverinë gjermane. Komuniteti ndërkombëtar është duke punuar për një zgjidhje diplomatike me Iranin. Shprehjet e fundit nga Teherani, se dëshiron të fillojë bisedimet me anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, duhet të shoqërohen me gjeste konkrete, tha ministri.
Westerwelle u takua po ashtu me prindërit e ushtarit izraelit të rrëmbyër në vitin 2006 në Rripin e Gazës Gilad Shalit si dhe me presidentin, Shimon Peres.
Autor: Clemens Verenkotte / Pandeli Pani
Redaktoi: Esat Ahmeti