1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE shton presionin mbi Hungarinë

18 Janar 2012

Komisioni i BE hapi procedurat për shkelje të pavarësisë së institucioneve shtetërore në Hungari. Kryeministri hungarez Orban do të ballafaqohet vetë me kritikat në Parlamentin Evropian.

https://p.dw.com/p/13l7a
Presidenti i Komisionit Jose Manuel Barroso
Presidenti i Komisionit Jose Manuel BarrosoFotografi: dapd

Tani është shpallur edhe zyrtarisht: Komisioni Evropian ka nisur disa procedura ligjore kundër qeverisë hungareze për shkelje të ligjevet të BE. Fjala është për rolin e bankës qëndrore, për autoritetin e mbrojtjes të të dhënave dhe për drejtësinë. Komisioni mendon se pavarësia e tri këtyre institucioneve nuk është e garantuar pas ndryshimeve të fundit të ligjit nga qeveria e kryeministrit Viktor Orban. "Ne kishim shpresuar", thotë presidenti i komisionit José Manuel Barroso të martën pasdite (17.01.2012), se "qeveria hungareze do të ndërmarrë ndryshimet e nevojshme, për të siguruar respektimin e ligjit të BE. Kjo deri tani nuk ka ndodhur." Orban, thotë Barroso, ka premtuar se të martën e ardhshme (24.01.2012) do të bisedojë me të për këto probleme. Në qoftë se Hungaria nuk do të plotësojë kërkesat e komisionit, ekziston rreziku i një padie në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë dhe në fund edhe vendosja e gjobave. Përveç kësaj janë ngrirë edhe bisedimet e BE dhe FMN-së me Hungarinë për një kredi ndihme për aq kohë sa BE dyshon në pavarësinë e Bankës Qëndrore. Për këtë ndihmë Hungaria ka nevojë urgjente.

"Kush cënon vlerat tona, duhet të presë rezistencë prej nesh."

Që të martën paradite në Strassburg në zgjedhjen e socialdemokratit Martin Schulz si president i ri i Parlamentit Evropian tema e Hungarisë është përsëritur disa herë. Atëherë vendimi i komisionit nuk ishte marrë ende.

Komisioni i BE nis procedura ligjore kundër Hungarisë
Komisioni i BE nis procedura ligjore kundër HungarisëFotografi: dapd

Schulz vetë në fjalimin e tij të parë në funksionin e ri foli për këtë temë në mënyrë të përgjithshme, por fjalën e kishte fare qartë për Hungarinë. "Unë mendoj, se parlamenti duhet të punojë, që edhe në vendet anëtare të respektohet demokracia, të drejtat dhe liritë themelore si diçka e natyrshme. Kush cënon vlerat e kartës sonë themelore, duhet të presë rezistencë prej nesh."

Të mos kuptohet gabim neutraliteti

Martin Schulz, Presidenti i ri i Parlamentit Evropian
Martin Schulz, Presidenti i ri i Parlamentit EvropianFotografi: picture-alliance/dpa

Ish kreu polemizues i fraksionit socialist u mundua të përmbahet në këtë çështje, ashtu siç e kërkon prej tij detyra e re. Por nuk bëhet fjalë për një neutralitet të kuptuar gabim, tha pikërisht kryetari i një tjetër fraksioni, Guy Verhofstadt i liberalëve. "Nuk është e mundur, që të qëndrohet neutral në klimën e rritjes së populizmit dhe të nacionalizmit në Evropë." Edhe këtu me sa duket, ishte fjala për Hungarinë.

Rebecca Harms, bashkëkryetare e fraksionit të të Gjelbërve, nuk hezitoi që ta përmendte Hungarinë me emër. "Nuk është e mundur, që Hungaria të largohet nga vlerat demokratike të BE." Këtë ne duhet të përpiqemi ta pengojmë së bashku me institucionet dhe presidentin e sapozgjedhur."

Me njerëzit e Orban-it në një grup parlamentar

Joseph Daul, shefi i fraksionit të partisë Popullore Konservatore, ka një tjetër problem. Që deputetët evropianë të partisë Fidesz të Viktor Orbanit i përkasin fraksionit, ku janë të përfaqësuar për shembull edhe kristiandemokratët gjermanë. Presioni ndaj Daul-it, për t'u ndarë nga njerëzit e Fidesz-it, shtohet. Por ai tha në një konferencë për shtyp në Strassburg se për këtë me siguri që nuk ka arsye. "Viktor Orban më ka thënë mbrëmë se ai do t'i respektojë kërkesat e Komisionit. Dhe në qoftë se ai bën këtë, përse duhet ta përjashtojë atëherë nga grupi i Partisë Popullore?"

Viktor Orban do t'i përgjigjet vetë kritikave.
Viktor Orban do t'i përgjigjet vetë kritikave.Fotografi: dapd

Në shpellën e luanit

Siç duken punët Orban vetë do të pozicionohet personalisht të mërkurën (18.01.2012) në Parlamentin Europian lidhur me kritikat. Në qoftë se do të ketë siç pritet një polemikë të fortë, kjo nuk do të jetë hera e parë. Edhe para një viti me fillimin e presidencës hungareze të rradhës, Orban ka patur një polemikë të ashpër në parlament për shkak të kritikave ndaj ligjit të ri hungarez për mediat. Edhe atëherë Komisioni pati kërkuar ndryshime. Orban në fakt ka reflektuar, por kritikën për mungesën e lirisë së shtypit nuk ka mundur ta hedhë poshtë.

Autor: Christoph Hasselbach/Angjelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama