1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hungaria para ndëshkimit për shkelje të ligjeve të BE?

12 Janar 2012

Komisioni i BE po e shton presionin ndaj qeverisë Orban në disa fronte: Hungaria ndodhet para një procesi për shkeljen e marrëveshjes dhe asaj mund t'i shkurtohen fondet e BE-së për shkak të deficitit të lartë buxhetor.

https://p.dw.com/p/13iCI
Kryeministri hungarez Viktor Orban
Kryeministri hungarez Viktor Orban

Komisioneri për çështjet monetare, Olli Rehn, nuk e fshehu aspak pakënaqësinë e tij lidhur me zhvillimet në Hungari. Vendi nuk ka bërë sa duhet, për të reduktuar borxhin e ri vjetor, tha zëvendëspresidenti finlandez i Komisionit të BE-së.

Pamje simbolike - Kriza financiare në Hungari
Kriza financiare në HungariFotografi: picture alliance/chromorange

Tani kërcënojnë sanksione financiare

Vazhdimisht qeveria në Budapest ngushëllon BE me premtime, se gjithçka do të përmirësohet. Tani ka ardhur momenti, për të hapur një procedurë deficiti ndaj këtij vendi, tha komisioneri Olli Rehn: „Meqenëse Hungaria nuk është anëtar i eurozonës, vendi nuk do të marrë sanksione financiare sipas procedurës normale. Por duke filluar nga viti i ardhshëm vendit mund t'i hiqen të ardhura nga fondi i kohezionit."

Dy miliardë euro janë llogaritur për Hungarinë. Do të ishte hera e parë, që sanksione të tilla vihen kundër një vendi evropian. Bazë për këtë është ashpërsimi i paktit të stabilitietit si pasojë e krizës së borxheve.

Të rrezikuara edhe kreditë nga FMN

Me procedurën e deficitit të tepruar komisioni i BE vë në presion Hungarinë edhe në bisedimet për kreditë e ndihmës nga FMN. Bisedimet për kreditë urgjente kanë rifilluar, pasi ato ishin ngrirë pas ligjit të ri hungarez për Bankën Qëndrore. Hungaria ka nevojë urgjente për këto kredi, për të shmangur një kolaps të vendit.

Por edhe politikisht komisioni i BE do ta forcojë presionin ndaj qeverisë Orban. Edhe pse të mërkurën ajo nuk vendosi për të nisur një procedurë për shkeljen e marrëveshjes. Por kërcënimi ishte i qartë. Zëdhënësja e komisionit të BE Pia Ahrenkilde: „Komisioni është i detyruar të vërë në përdorim të gjitha forcat, për të vlerësuar, nëse ligji kombëtar përputhet me ligjin e BE. Dhe Komisioni e mban të hapur mundësinë, që të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, si për shembull procesin për shkak të shkeljes së nenit 258 të traktatit të BE.“

Protesta kundër kushtetutë së re në Hungari
Protesta kundër kushtetutë së re në HungariFotografi: REUTERS

Pavarësia e Bankës Qendrore nuk duhet cënuar

Procesi duhet të drejtohet kundër ligjit të ri, i cili sipas mendimit të shumë ekspertëve vë në diskutim pavarësinë e Bankës Qëndore Hungareze. Përveç kësaj është fjala për dispozita të tilla, si ulja e papritur e moshës së pensionit të gjykatësve hungarezë nga 70 në 62, përmes të cilit qeveria, sipas vlerësimit të BE, do të shpëtojë nga gjykatës të pakëndëshëm kushtetues, si dhe procedura e emërimit të të ngarkuarit për mbrojtjen e të dhënave në Hungari.

Nëse nuk do të ketë shenja të dukshme të kthesës në Budapest, në qarqet e komisionit thuhet se të martën e ardhshme (17.1.), në takimin e komisionit të BE-së, do të hapet një procedurë për shkelje të traktateve evropiane.

Për shumë eurodeputetë kjo nuk është e mjaftueshme. Sidomos nga radhët e liberalëve vjen thirrja për hapa të mëtejshëm kundër veprimeve të qeverisë konservatore të djathtë hungareze. Eurodeputeti liberal Alexander Graf Lambsdorff thotë: „Tek ne në parlament po bëhen përpjekje, për të bërë një proces sipas nenit 7 të traktatit evropian. Kjo do të thotë konkretisht, sanksione kundër Hungarisë deri në heqjen e së drejtës së votës në Këshillin Evropian."

Javën e ardhshme Parlamenti Evropian mblidhet në seancën e ardhshme plenare.

Autor: Cai Rienäcker / Angjelina Verbica

Redaktoi: E. Xhani