Hungari: Gardh në kufirin me Serbinë
24 Gusht 2015"Money, Money", kënga legjendare e grupit suedez ABBA ushton nga altoparlantët e makinës ushtarake. Ushtarët hungarezë bëjnë shaka dhe qeshin, edhe pse në kufirin me Serbinë, jo larg qytetit Ásotthalom, ata kanë një detyrë të mërzitshme. Të ngrenë gardhin me tela me gjemba përgjatë kufirit që qeveria e Budapestit e ka shpallur si një përparësi kryesore. Shtyllat tashmë janë vendosur dhe burrat me pantallona ushtarake kamuflazhi po rregullojnë telat me gjemba duke u përpjekur të mos lënë asnjë pikë të dobët. "Emigrantët vijnë përgjatë gjithë kufirit," tregon një ushtar, e prandaj "muri hungarez" duhet të përfundojë deri në fund të muajit. Teli me gjemba është rreth një metër i lartë dhe brisk i mprehtë. Diku duket një peshqir fëmijësh që e kanë lënë refugjatët që kanë arritur të kalojnë pavarësisht gardhit. A mund t'i pengojë gardhi ato? "Shpresojmë," thotë ushtari.
Pakistanezi misterioz
Rreth njëzet kilometra larg kufirit një grup njerëzish presin të provojnë se sa i efektshëm është gardhi hungarez. Ata janë strehuar në një fabrikë të vjetër tullash në periferi të qytetit verior serb të Suboticës. Në muret e fabrikës sheh mbishkrime në arabisht dhe gjuhë të tjera, një lloj libri përshtypjesh. Në njërin prej tyre dikush shan presidentin sirian Bashar al-Asad. Miladi ka marrë rrugën bashkë me prindërit. "Gjendja atje është shumë e komplikuar. Ushtaria dhe milicia janë kudo. Gjithkush në Siri e di se Assad vret njerëz të pafajshëm", thotë , 27-vjeçari nga Damasku. Miladi është ekspert IT-je dhe shpreson që Gjermania ka nevojë për njerëz të tillë. Ai e di saktësisht se ku do të shkojë - në Frankfurt, sepse aty ka të afërm.
Miladi dhe të tjerët e dinë se si do ta kalojnë kufirin hungarez. Ai tregon se po pret një telefonatë nga një "pakistanez". "Ai u jep ryshfet policëve", thotë Miladi. Trafikanti misterioz duhet të jetë një "refugjat i vjetër" që jeton tani në kufirin hungarez për të fituar shumë të holla. Nëse ia dalin mbanë Miladi dhe prindërit e tij do të paguajnë rreth 4.500 euro për rrugën deri në Gjermani. Për emigrantët që nuk kanë kaq shumë para, ka edhe oferta më të lira: për 50 ose 100 euro, ata i çojnë diku ku mund të kalojnë pa u vënë re kufirin dhe i lënë pastaj në fatin e tyre. Thuhet se pakistanezi misterioz kalon përtej kufirit më shumë se njëzet vetë në ditë. Sigurisht që ai nuk shfaqet sa kohë që gazetarët janë në fabrikën e tullave - prandaj disa refugjatë na luten që të largohemi.
Prej mjerimit të refugjatëve përfitojnë jo vetëm trafikantët por edhe policët serbë të trafikut. Ata i ndalojnë taksitë që shkojnë në Suboticë dhe kërkojnë nga 100 euro për çdo refugjat të fshehur në taksi. "Kjo është mizore. Njerëzit e shkretë shkojë drejt së panjohurës, dhe torturohen edhe nga policia këtu," thotë një taksist, i cili ka qenë vetë dëshmitar skenash të tilla. Shoferët e taksive mund të akuzohen si trafikantë dhe në këtë rast mund të dënohen me burg. Përveç kësaj u konfiskohet menjëherë makina. Vetëm gjatë këtij viti janë konfiskuar për këtë shkak më shumë se 1000 automjete njofton javorja serbe "Vreme". "Ku është logjika? Këta njerëz duan vetëm të largohen. Pse mos t'ua bëjnë rrugën më të lehtë?" pyet shoferi.
Një samaritan zemërgjerë
Por refugjatët takojnë edhe vendas që u ndihmojnë. Laslo Varga, prift protestant, u sjell bukë, vezë dhe artikuj për higjienën e përditshme. Ai e bën këtë gjë prej katër vjetësh - që nga fillimi i Pranverës Arabe. "Këta njerëz janë të tronditur emocionalisht, sepse askush nuk interesohet për problemet e tyre. Në këto raste edhe një shtrëngim duarsh, një buzëqeshje apo një fjalë e mirë shpesh ndihmojnë më shumë se mijëra euro", thotë Varga, i cili punon për shoqatën humanitare Osteuropahilfe.
Varga thotë se ngurrimi që tregon BE-ja kundrejt refugjatëve i duket pak si në Mesjetë: Mbreti ka një kështjellë dhe të varfërit jetojnë përreth. Në kohë të rrezikshme edhe ata duan për hyjnë në kështjellë dhe mbreti duhet të marrë një vendim. Dhe kjo është një çështje morali. "
Varga thotë se refugjatët diskutojnë për gardhin në kufirin hungarez po se ata nuk kanë frikë nga ca tela." Nisur nga telat dhe gardhet që ka në botë, mund të them se këta njerëz janë të vendosur shumë që ta kalojnë telin e kufirit hungarez. Ata janë përballur në jetën e tyre me probleme shumë më të mëdha se një gardh. "
Deri tani gardhi kufitar hungarez ka qenë i sukseshëm vetëm në pengimin e kafshëve të egra, sepse refugjatët i përdorin të gjitha metodat për ta kapëcyer atë. Malli më i shitur për momentin në Suboticë janë gërshërët.