1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Refugjatët në Maqedoni: vetëm drejt Veriut

Nemanja Rujevic23 Gusht 2015

Mijëra refugjatë depërtojnë në stacionin e trenit të Gevgelijas në Maqedoni. Marrëveshja e heshtur me autoritetet e atjeshme: sa më shpejt drejt Serbisë. Nemanja Rujevic informon nga Gevgelija:

https://p.dw.com/p/1GJwK
Fotografi: Reuters/O. Teofilovski

"Të gjithë terroristë të mallkuar", shan një polic maqedonas, dhe përpiqet me elektrik dore që të gjejë refugjatët e fshehur pas vagonëve të trenave. Sepse lufta e përditshme nis gjithmonë, kur treni i linjës Selanik-Beograd kalon kufirin greko-maqedonas dhe ndalon në mbrëmje në stacionin e qytezës Gevgelija. Dymijë refugjatë presin me bileta të blera në stacionin e vogël, por në tren mund të gjejnë vend më e shumta 200 vetë. "Terroristë, çfarë tjetër? Në fund të fundit ata vijnë nga Siria", shqetësohet më tej polici. Kolegët e tij e marrin punën më qetë. Megjithëse janë pajisur si për përleshje në rrugë me helmeta, mburoja dhe jelekë antiplumb, shumica e ruajtësve të rendit pi duhan dhe bën muhabet duke qeshur.

Tri ditë liri lëvizjeje

Që prej pak kohësh, autoritetet maqedonase u japin refugjatëve në stacionin e trenit një dokument, që u mundëson qarkullimin në vend edhe me mjete të transportit publik. Problemi qendron në faktin se kjo liri lëvizjeje është e kufizuar në 72 orë. Deri atëherë migrantët duhet të jenë larguar sërish nga vendi ose të kenë paraqitur një kërkesë për azil - gjë që nuk ka dëshirë askush ta bëjë në Maqedoni. Pra atyre u mbeten tri ditë, për të udhëtuar rreth 180 km në vendin vqinj Serbi.

Flüchtlinge Mazedonien Griechenland Grenze
Fotografi: picture-alliance/dpa/G. Licovski

Për Mohammedin dy ditët kanë kaluar. 25 vjeçari nga Pakistani rri ulur në bordurën e trotuarit, i rrethuar nga bashkëatdhetarë. Të gjithë ata kanë lënë pas një rrugë të rëndësishme, përmes Iranit, Turqisë dhe më në fund me një varkë gome deri në bregdetin grek. Pas gjithë atyre që ka përjetuar, qendrimi pa dush dhe krevat në Gevgelija Mohammedit nuk i duket aq i keq. "A nuk e keni parë televizionin pakistanez? Para dy muajsh talibanët sulmuan shkollën dhe vranë shumë fëmijë. Tetëvjeçarë apo gjashtëvjeçarë, krejt të pafajshëm". Për dhunë i riu nuk ka dëshirë, as për të luftuar për një vend në tren. Policia preferon familjet me bebe, kjo Mohammedit i duket në rregull. "Unë vetë nuk kam shans këtu

Eksport problematik

Njerëz si Mohammedi janë ditët e fundit klientët më të mirë të Angel Stanojkovit. Shoferi i taksisë rri me durim në makinën e tij të verdhë, nga dritarja depërton jashtë me zë të lartë muzikë pop amerikane. Praktikisht si të gjithë kolegët e tij nga Gevgelija, Stanojkov pret që një refugjat apo një tjetër të ngopet me stacionin e errët të qytetit të vogël dhe të shpenzojë para për të shkuar në Veri. "Ne kërkojmë 100 euro për katër vetë, për udhëtimin në Tabanovce. Ky çmim është realist, jo shumë i tepruar."

Flüchtlinge Mazedonien Griechenland Grenze
Fotografi: Reuters/O. Teofilovski

Tabanovce është pika tjetër e etapës së të ashtuquajturit itinerar ballkanik, në veri të Maqedonisë, vetëm dy kilometra larg kufirit serb. "Ne i çojmë ata në fakt deri në kalimin zyrtar të kufirit. Por ata zbresin përpara dhe shkojnë duke kaluar rrugë të egra në Serbi," tregon Stanojkov.

Kjo i vjen mbarë Maqedonisë. Ky vend i varfër ballkanik është tepër i mbingarkuar me valën e refugjatëve, që vjen pa ndërprerje nga Greqia. Në bazë të vlerësimeve, çdo ditë në Maqedoni mbërrijnë ilegalisht rreth 2000 vetë. Sistemi i pranimit të refugjatëve ka pësuar kolaps të plotë. Që atëherë Maqedonia ndjek një rrugë jo shumë kreative, por pragmatike të eksportit problematik: u tregon refugjatëve rrugën për në Serbi dhe e lë fare të pambikqyrur kufirin.

Biznesi ecën

Kryetari i bashkisë i Gevgelijas, Ivan Frangov ka idetë e tij. I frymëzuar nga Hungaria, ai propozon që të ngrihet një gardh kufitar midis Maqedonisë dhe Greqisë. Agjencisë serbe të lajmeve,Tanjug, Frangovi i tha se refugjatët e ndotin qytetin, të cilin BE dhe Organizata për Refugjatët e OKB-së e kanë lënë në baltë. Por jo të gjithë në Gevgelija do t'i jepnin të drejtë. Sepse shumë e shfrytëzojnë rastin për të fituar para nga refugjatët, në këtë qytet përndryshe të përgjumur. Për një euro mund të blesh dy banane, një qese kokoshka ose një shishe ujë. Të njëjtin çmim duhet të paguash për ta ngarkuar celularin në njërën prej prizave të panumërta. Kuptohet të gjitha pa faturë. Policinë këtu duket se kjo nuk e shqetëson.

Griechenland, Flüchtlinge an der Grenze zu Mazedonien
Fotografi: picture-alliance/dpa/G. Licovski

Disa qindra metra më tej, në zonën e këmbësorëve dhe në pijetore dëgjon edhe teori komplotesh, thotë shoferi i taksisë Stanojkov. "Disa mendojnë se migrantët sjellin me vetë epidemi dhe se duan të na pushtojnë. "Ai vetë nuk mendon kështu, por ka mendimin e tij për shkaqet e varfërisë. Këtu ai mendon se kemi të bëjmë me një lojë të fëlliqur "të amerikanëve, ndoshta edhe evropianëve. Lufta në Siri nuk shpërtheu vetë."

Mohammedi, refugjati nga Pakistani nuk interesohet për thashetheme. "Po të kem fat, do të vi në Gjermani", thotë ai. Atje ai do të kërkojë një punë për të qenë dhe të ndërtojë një të ardhme të sigurtë. "Po të kem fat", thotë sërish ai.