1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140911 IAA Elektromobilität

15 Shtator 2011

Automobilët elektrikë po vijnë në modë: praktikisht çdo prodhues i madh automjetesh prezanton në panairin e automobilave IAA modele me motorë elektrikë.

https://p.dw.com/p/12ZmB
Elektro-Smart në panairin ndërkombëtar të automobilëve në Frankfurt-mbi-Main.
Elektro-Smart në panairin ndërkombëtar të automobilëve në Frankfurt-mbi-Main, IAA.Fotografi: DW

Shoqata e fuqishme e industrisë automobilistike i ka kuptuar mesazhet e kohës. Si organizatore e panairit më të madh të automobilëve në botë, kjo shoqatë e ka vënë në qendër të vëmendjes temën e "elektromobilitetit". Shansin e momentit e shfrytëzojnë edhe sipërmarrje me emër, të cilat nuk njihen fare si furnizuese për industrinë automobilistike. Këtu bën pjesë edhe koncerni i përbotshëm Siemens:

"Për ne është natyrisht një ngjarje e gëzueshme që përfaqësohemi për herë të parë pas shumë kohësh në panairin e automobilave. Pasi ne vendosëm para një viti e gjysmë, që të angazhohemi sërish në biznesin e furnizuesve të automobilëve, këtu ne tregojmë për herë të parë se çfarë jemi në gjendje të ofrojmë në plan të gjerë për temën e automobilëve elektrikë."...thotë kryemenaxheri Michael Valentine-Urbschat nga Siemensi.

Roler me motor elektrik "Jetflyere", në panairin e automobilëve IAA.
Roler me motor elektrik "Jetflyere", në panairin e automobilëve IAA.Fotografi: Katarzyna von Heinemann

Zinxhiri i krijimit të vlerës në fokus të veçantë

Radha e produkteve, për të cilat është kompetent ai, shtrihet që nga teknika e motorëve elektrikë  dhe infrastruktura e ngarkesës deri te menaxhimi inteligjent i energjisë dhe i qarkullimit deri në prodhimin e energjive të ripërtëritshme.

Salla Katër në territorin e Panairit të Frankfurtit i është kushtuar këtë vit për herë të parë zinxhirit të krijimit të vlerës, radhë së produkteve dhe shërbimeve që kanë të bëjnë me automobilin elektrik. Për këtë, njëra ndër pionieret e kësaj fushe gëzohet veçanërisht: firma me emrin anglisht "German E-Cars" tregoi që në panairin e fundit të automobilëve në vitin 2009 prototipin e një automjeti elektrik. Ndërkohë, automjeti i prezantuar atëherë mund të prodhohet në seri dhe klientët janë të kënaqur, thotë kryetari i bordit të German E-Cars Frank Laaber:

"Ka njerëz, që i bëjnë 100 km distancë deri në qendrën e punës së tyre me këtë automjet, kanë atje mundësi për ta ngarkuar sërish baterinë e automjetit dhe pastaj kthehen duke bërë sërish 100 km rrugë. Ka edhe njerëz që për nëntë muaj kanë përshkuar 20.000 kilometra. Pronari i automjetit na thotë që nuk kemi të bëjmë më fare me automjetin e dytë të familjes, por ndërkohë me automjetin kryesor, sepse: automjeti me benzinë na duhet vetëm kur kemi për të bërë një rrugë shumë të gjatë."

Një fuzion të tërë sipërmarrjes gjermanolindore përfaqëson inxhinjeri Friedrich Fahlberg nga Saksoni- Anhalti. Shoqatën ata e quajnë në anglisht "Cluster"- me këtë kihet parasysh një lloj rrjeti bashkëpunimi.

Drejtori ekzekutiv i Porsche-s, Matthias Mueller, prezanton modelin e ri 911 Carrera, në panairin e Frankfurtit, IAA.
Drejtori ekzekutiv i Porsche-s, Matthias Mueller, prezanton modelin e ri 911 Carrera, në panairin e Frankfurtit, IAA.Fotografi: dapd

Motorët elektrikë - e ardhmja e transportit automobilistik

"Një "cluster" në pjesën e mobilitetit të IAA-së, do të thotë se këtu janë mbledhur edhe furnizuesit dhe sipërmarrjet e mëdha për të përpunuar në format më të ndryshme temën e lëvizjes së njeriut në të ardhmen. Njëra formë mund të jetë thjesht lëvizja me motorë elektrikë, tjetra e gjithë tema e ndërtimit të automjeteve të lehta."

Zemra e motorit elektrik është rezervuari i energjisë, akumulatori, përkatësisht bateria. Këtu duhen investuar ende shumë para. Ekspertët thonë se duke prodhuar automjete në numër të madh, çmimi për akumulatorin do të bjerë automatikisht. Njëkohësisht duhen gjetur rrugë më efektive dhe të leverdisshme prodhimi, meqenëse ende nuk ekziston një treg masiv prodhimi për automobilët elektrikë."

Autor: Klaus Ulrich / Auron Dodi

Redaktoi: E. Xhani