1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

IAA Automobilindustrie

5 Shtator 2011

Pas dy javësh (15.9.2011) nis në Frankfurt mbi Main Panairi Ndërkombëtar i Automobilëve (IAA). Prodhuesit gjermanë ndihen të përgatitur mirë - ata duan të prezantojnë mbi 40 produkte të reja.

https://p.dw.com/p/12TOf
Modeli më i ri i Volkswagen "VW-City-Flitzer Up".
Modeli më i ri i Volkswagen "VW-City-Flitzer Up", pritet në treg deri në fund të vitit.Fotografi: picture alliance / dpa

Panairi Ndërkombëtar i Automobilëve (IAA) në Frankfurt konsiderohet si panairi kryesor i industrisë së automobilëve. Më shumë se 1000 ekspozues nga 32 vende do të prezantojnë produktet e tyre të reja nga 15 deri më 25 shtator 2011, ndër ta 75 prodhues. Organizatorët presin zyrtarisht më shumë se 800.000 vizitorë, po aq shumë sa në vitin krizës 2009. Tregu ndërkombëtar i automobilëve gjatë këtij viti do të rritet me 6%, thotë Matthias Wissmann, president i shoqatës së industrisë automobilistike gjermane.

Logo e panairit të 64-t Ndërkombëtar të Automobilëve në Frankfurt mbi Main.
IAA - Panairi kryesor i industrisë së automobilëve.Fotografi: VDA

Megjithë trazirat në bursë të javëve të kaluara, industria gjermane e automobilëve vazhdon të jetë optimiste:"Ne kemi pozita aq të konsoliduara, sa mund të përballojmë edhe kohëra të pasigurta. Rritja në gjashtëmujorin e dytë të vitit do të jetë ndoshta më pak dinamike se në gjysmën e parë të vitit, por aktualisht nuk ka shenja për një recesion në mbarë industrinë", mendon Wissmann.

Shifra të reja rekord

Gjatë tetë muajve të parë të vitit, industria gjermane e automobilëve ka eksportuar plot 3 milionë automjete. Kjo do të thotë një rritje prej 8% dhe një nivel i ri rekord. Një e treta e eksporteve kishin destinacion eurozonën, 30% pjesën tjetër të Evropës, 15% shkuan në Amerikë dhe 11% në Kinë. Brenda vendit gjatë gushtit shitjet shënuan një rritje prej 18%, ndërsa numri i porosive 11%.

Në periudhë afatmesme industria e automobilëve nuk ka arsye për t'u trembur, në radhë të parë në sajë të premisave të mira për eksporte: "Gjithçka tregon se në periudhë afatmesme dhe afatgjatë, do të ketë rritje të tregjeve në vendet në ekspansion. Në Kinë kemi ende një raport 30 automjete për 1000 banorë, në Indi 12 për 100 banorë, pra ka shumë hapësirë për rritje", shprehet Wissmann.

Rreth 90 premiera botërore

President i shoqatës së industrisë automobilistike gjermane, Matthias Wissmann.
President i shoqatës së industrisë automobilistike gjermane, Matthias Wissmann.Fotografi: iaa.de

Në Panairin Ndërkombëtar të Automobilëve do të prezantohen 89 premiera botërore, gjysma e tyre nga prodhues gjermanë. Elektromobiliteti do të ketë një vend të veçantë në IAA. Por derisa këto automjete të jenë gati për prodhimin në seri, do të duhen edhe disa vite, mendon presidenti i shoqatës së industrisë së automobilëve në Gjermani, Wissmann: "... Nuk është e rëndësishme se kush e fillon i pari garën, por kush arrin i pari në finish me një koncept serioz, të arsyeshëm nga pikëpamja ekonomike, eficient dhe ekologjik."

Objektivi i vendosur nga BE-ja për reduktimin e dioksidit të kardonit do të arrihet deri në vitin 2015, thotë Wissmann. Në përgjithësi industria po e çon përpara zhvillimin e saj në disa drejtime.

Autor: Brigitte Scholtes / E. Xhani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora