Bruksel: S’ka marrëveshje Kurti - Vuҫiq
21 Nëntor 2022Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave, ndërsa, tërhoqi vërejtjen se për ҫdo përshkallëzim të situatës në terren, përgjegjësia u takon të dyja palëve. Këtë deklaratë Josep Borrel e bëri pas takimit që zgjati mbi tetë orë në Bruksel mes tij me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuҫiq, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për çështjen e targave serbe, afati i përdorimit të të cilave pa gjoba, skadon të hënën (21.11) në mesnatë.
"Të dy mbajnë përgjegjësi të plotë për dështimin e bisedimeve sot dhe për çdo përshkallëzim dhe dhunë që mund të ndodhë në terren. Ne paraqitëm një propozim që presidenti Aleksandar Vuçiç e pranoi, ndërsa kryeministri Albin Kurti jo”, tha Borrel.
"Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi", tha Borrell. Ai tha se “kërkon nga Kosova që menjëherë të pezullojë fazat e mëtejshme të planit për riregjistrimin e makinave në veri të Kosovës, ndërsa, nga Serbia, kërkoi të pezullojë lëshimin e targave të reja”.
"Unë u kërkoj të dyja palëve t'i zbatojnë këto dy kërkesa. Kjo do të ofrojë hapësirë dhe kohë për to që të kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e targave", tha Borrell. Shefi i diplomacisë evropiane tha se tha, se ai do t‘i informojë shtetet anëtare të BE-së mbi zhvillimet në Bruksel.
"Unë do t'i informoj shtetet anëtare të BE-së, partnerët, për sjelljen e palëve dhe mosrespektimin e detyrimit ligjor ndërkombëtar. Kjo vlen veçanërisht për Kosovën", tha kryediplomati evropian Josep Borrel.
Sipas tij: “Sundimi i ligjit nuk duhet të merret si pretekst për pëfrshkallëzimin e situatës dhe për tensione, kur nuk i respekton marrëveshjet e arritura vite më parë në dialog. Bashkimi Evropian dhe partnerët kanë bërë thirrje vazhdimisht për de-përshkallëzim të situatës. Ne jemi preokupuar prej kësaj vere me këtë çështje duke u munduar t’i shtyjmë afatet”, tha Borrell.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuҫiq, nga ana e tij tha, se "Për arsye të paqarta, nuk kemi arritur asnjë marrëveshje, por tha, se Serbia do t‘i dëgjojë këshillat e BE-së.
"Do t'i dëgjojmë këshillat dhe kërkesat e përfaqësuesit të Lartë evropian, Josep Borrell. Ai ka kërkuar që ata të mos shqiptojnë gjoba dhe që ne mos të lëshojmë targa të reja KM (targa të lëshuara nga Serbia). Ne kemi thënë se është në rregull. Ne do ta respektojmë këtë. Do të shohim se çfarë do të bëjë pala tjetër", tha presidenti serb Vuҫiq.
Kryeministri Albin Kurti, nga ana e tij, e kritikoi Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, se “ka hequr dorë nga afati i marsit të vitit 2023 si datë përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”. Sipas tij, “BE-ja propozoi që Kosova të mos shqiptojë gjoba për targat ilegale, e të vazhdojë me qortime, e Serbia të mos lëshojë më targa me akronime të qyteteve të Kosovës”.
“Natyrisht për ne nuk është e pranueshme nëse nuk shoqërohet me atë me çfarë jemi ftuar këtu, dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshjen finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve. Afati ka qenë marsi i vitit 2023. Pra, po vijmë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje para marsit të vitit 2023. Me keqardhje e them se ndërmjetësuesi, në këtë rast Borrelli, hoqi dorë nga afati i marsit të vitit 2023, dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve”, tha kryeministri Kurti. Sipas tij, kur janë takuar në Paris në kuadër të Forumit për Paqe, Borrell, kishte thënë se propozimi nuk është franko-gjerman, por i BE-së dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania.
“Në rregull pra, edhe ne ashtu do ta quajmë propozimi i BE-së. Mirëpo, sot po them me keqardhje, ai hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Po e them me keqardhje, sepse vetë e kanë propozuar marsin e vitit 2023, dhe në anën tjetër gjithashtu, propozimi është i Bashkimit Evropian".
Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në targa RKS. Sonte në mesnatë përfundon afati i shkallëzuar i Kosovës ku ҫdo veturë që qarkullon me targa ilegale, do të gjobitet nga policia e Kosovës.Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që në mënyrë masive, në kundërshtim të këtij vendimi janë larguar nga institucionet e Kosovës, kanë deklaruar se me fillimin e shqiptimit të gjobave nga policia për serbët, në veri do të ketë rezistencë.
SHBA dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar vazhdimisht qeverisë së Kosovës që afatin për ndalimin e qarkuklimit të makinave me traga të qyteteve të Serbisë ta shtyjë për 10 muaj në mënyrë që për këtë çështje gradualisht të gjendet zgjidhje e qendrueshme dhe e përhershme. Serbia, lëshon targa të ‘paligjshme’, për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, ndërsa së voni është pajtuar për targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por kurrësesi me iniciale të Republikës së Kosovës.