1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Lista Serbe largohet nga institucionet

6 Nëntor 2022

Në veri të Kosovës vazhdon të përshkallëzohet mosmarrëveshja për vendosjen e targave. Shumë zyrtarë të pakicës serbe dhanë dorëheqjen.

https://p.dw.com/p/4J78s
Kosovo Protest serbischer Polizisten
Fotografi: Bojan Slavkovic/AP Photo/picture alliance

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës vendosi që të largohet nga institucionet qendrore të Kosovës si dhe nga komunat në veri të vendit. Këtë vendim lista Srpska e mori pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq. Ky i fundit u suspendua pasi refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.

"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri", tha kryetari i Listës Srpska Goran Rakiq, i cili edhe vet dha dorëheqjen nga pozita e ministrit në qeverinë e Kosovës.

Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës japin dorëheqjen
Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës japin dorëheqjenFotografi: Press office of the Kosovo Police

Pas këtij vendimi dorëheqjen e dhanë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe tö prokurorisë në veri, duke zhveshur kështu uniformat e policisë. Rakiq tha se vendimi për largimin nga institucionet vlen derisa Prishtina zyrtare "të fillojë të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel”.

"Kjo do të thotë, konkretisht, derisa të tërheqin vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojnë Asociacionin e Komunave Serbe, në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura me këtë çështje në dialog”, tha Goran Rakiq.

Kurti: Serbët e Kosovës tö ruajnë qetësinë, paqen e sigurinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në reagimin e tij  pas vendimit të Listës Serbe, që të largohen nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit, tha se serbët e Kosovës duhet tö ruajnë qetësinë, paqen e sigurinë, duke shtuar se ai "nuk është kryeministër kundër serbëve, por Beogradi është kundër tij”.

Albin Kurti
Albin KurtiFotografi: Anila Shuka /DW

"Është e qartë se për çfarë bëhet fjalë: presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët; ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd. Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit. Po ashtu, duket që ish-zëdhënësi i partisë së Milosheviqit, tash ministër i Jashtëm i Serbisë, është më i pushtetshëm sesa ish-ministri i Informatave të Milosheviqit, tash presidenti i Serbisë. Kjo është betejë personale e tyre për pushtet, as për qytetarët dhe as për shtet”, shkroi Kurti në facebook.

Duke ju drejtuar në vazhdim autoriteteve të Beogradit, Kurti shkroi se, ”Me marrëveshjen e Kumanovës të 9 qershorit 1999, Serbia ka kapitulluar dhe i ka thënë lamtumirë Kosovës. Nuk ka nevojë të humbim kohë e të vazhdojmë të vonohemi edhe në vitin 2022. Duke e përkrahur Milosheviqin dhe Sheshelin para çerek shekulli e keni lënë Kosovën. Duke e përkrahur Putinin e Lavrovin sot, po e lini Evropën”, tha Kurti.

"Gracka destabilizuese të Serbisë"

Presidenca e Kosovës tha se Serbia po shkel njëanshëm të gjitha marrëveshjet e Brukselit për shpërbërjen e strukturave të saj ilegale në Kosovë”. "Një frikësim i tillë nuk do të funksionojë. Institucionet e Kosovës do të mbeten multietnike dhe përfaqësuese të të gjitha komuniteteve”, shkroi në Twitter Blerim Vela, shef i kabinetit të Presidentes Osmani.

Kurse partia politike opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, ftoi qytetarët në veri për qetësi, ndërsa u bëri thirrje institucioneve të Kosovës për koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe aleatët tjerë evropianë.

Pas 21.04.2023 në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS
Pas 21.04.2023 në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKSFotografi: Vjosa Çerkini/DW

"Në kohën e zhvillimeve të fundit në veri të vendit, Kosovës i duhet udhëheqje e matur që nuk bie në grackat destabilizuese të Serbisë, por që synim ka integrimin e vazhdueshëm e të plotë të serbëve të Kosovës e që mjet të domosdoshëm ka koordinimin e ngushtë me aleatë ndërkombëtarë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Vuçiq telefonon me Christopher Hill

Pas zhvillime të sö shtunës në veri të Kosovës,  Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, bëri të ditur se ka pasur një bisedë telefonike me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill. "Në një bisedë të gjatë dhe kuptimplote telefonike me ambasadorin Hill, ritheksova se Serbia mbetet e përkushtuar për ruajtjen e paqes, respektimin e së drejtës publike ndërkombëtare dhe zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara”, shkroi Vuçiq.

 Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq
Presidenti i Serbisë, Aleksandër VuçiqFotografi: Joe Klamar/AFP/Getty Images

Sipas tij, "gjithashtu theksova tmerrin e serbëve me sjelljen e Kosovës dhe lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, të cilat e vënë në pikëpyetje sigurinë dhe stabilitetin e tyre në të gjithë rajonin”. Ambasadori Hill, nga ana e tij, ka kërkuar nga presidenti Vuçiq që Serbia të sillet me përgjegjësi serioze dhe të mos marrë pjesë në asnjë mënyrë në rrezikimin e paqes dhe stabilitetit rajonal.

Në ditë më parë, Vuçiq është takuar edhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Mirosllav Lajçak. Ky i fundit shkroi në Twitter se "takimi me Vuҫiq ka qenë i gjatë dhe i vështirë, por i drejtë”. "Llogaris në sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve, për të treguar përmbajtje për siguri dhe stabilitet. Dhuna duhet të shmanget”, shkori Lajçak.

Tri fazat për zbatimin e vendimit për targat serbe

Qeveria e Kosovës vendosi që zbatimin e vendimit për targat serbe ta shkallëzoi në tri faza, duke mos përfillur kështu kërkesën e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së që këtë vendim ta shtyjë për 10 muaj. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrjen e vendimit për targat. Faza e parë e zbatimit të vendimit të qeverisë për targat përfshin, qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Pas 21.04.2023 në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS
Pas 21.04.2023 në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKSFotografi: Vjosa Çerkini/DW

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill të vitit të ardhshëm dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS. Në Kosovë mendohet se ka rreth 10.000 makina me targa serbe. Çështja e targave ilegale ka shkaktuar tensione në veri të Kosovës edhe verën e kaluar, serbët lokalë ngritën barrikada në shenjë pakënaqësie me procesin e riregjistrimit.