1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedime të reja për paqen - izraelitët dhe palestinezët pranojnë ftesën amerikane

1 Shtator 2010

Kancelarja gjermane Angela Merkel kërkoi nga izraelitët dhe palestinezët që të jenë të gatshëm për kompromise në bisedimet e reja të drejtpërdrejta. Palët në bisedime duhet të tregojnë vullnet politik, kërkoi Merkel

https://p.dw.com/p/OtQq
Foto simbolike, Merkel dhe paqja në Lindjen e Mesme
Foto simbolike, Merkel dhe paqja në Lindjen e MesmeFotografi: picture-alliance / dpa / DWMontage
Mahmud Abaz dhe Benjamin Netanjahu
Mahmud Abaz dhe Benjamin NetanjahuFotografi: AP/DW-Fotomontage

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dhe presidenti i palestinezëve Mahmud Abaz në 2 shtator udhëtojnë për në Uashington me ftesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të dyja palët e përfshira në konflikt pranuan ftesën për rifillimin e negociatave të drejtpërdrejta. Pas një mbledhje të Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) në Ramallah kryenegociatori palestinez Saed Erekat njoftoi për marrjen e këtij vendimi. Njëkohësisht Erekat theksoi se palestinezët do të tërhiqen nga bisedimet në rast se Izraeli do të lejohet që edhe më tej të vazhdojë me ndërtimet në ngulimet hebreje në Bregun Perëndimor, rajone të cilat palestinezët i shohin si pjesë të shtetit të tyre të ardhshëm.

Kryenegociatori Erekat vuri në dukje deklaratën e fundit të Kuartetit për Lindjen e Mesme, i cili për dallim nga ftesa e SHBA-së përcakton më saktë objektivat dhe kushtet kornizë për zhvillimin e negociatave të paqës:

Kryenegociatori palestinez, Saeb Erekat
Kryenegociatori palestinez, Saeb ErekatFotografi: DW/Samar Karam

"Shumë prej këtyre parimeve të cilat janë përmendur në komunikatën e Kuartetit janë deklarata. Tani është koha që fjalët të pasohen nga veprat. Ne duam të shohim që gjatë negociatave njëvjeçare të arrihen të gjitha çështjet kryesore, Jeruzalemi, tërheqja e vijës kufitare, ngulimet, refugjatët, lirimi i të burgosurve, ashtu siç janë përshkruar në deklaratën e Kuartetit."

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu menjëherë pas dhënies së lajmit për rifillimin e raundit të ri të negociatave të drejtpërdrejta njoftoi përmes sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton se Izraeli dëshiron të zhvillohen bisedime serioze dhe gjithëpërfshirëse. Arritja e një marrëveshje është e vështirë, por e mundshme. Netanjahu vuri theksin e tij para së gjithash në sigurimin e Uashingtonit se rifillimi i bisedimeve nuk lidhet me asnjë parakusht. Zëdhënësi i qeverisë izraelite Mark Regev:

Zëdhënsi i qeverisë izraelite Mark Regev bisedon me gazetarët në Jeruzalem
Zëdhënsi i qeverisë izraelite Mark Regev bisedon me gazetarët në JeruzalemFotografi: DW/Samar Karam

"Kryeministri Netanjahu ka një vit e gjysëm që bën thirrje për rifillimin e bisedimeve të tilla dhe në fakt është diçka që ne e përshendesim. Ne nuk kemi iluzione. Bisedimet do të jenë të vështira, por një marrëveshje e paqës është e mundur, një marrëveshje që do të mbronte interesat më të rëndësishme të Izraelit dhe do të siguronte paqen në mes të izraelitëve dhe palestinezëve."

Gazeta e përditshme "Haaretz" (botimi online i datës 21.8.) e vlerëson sigurimin e dhënë nga pala amerikane si një sukses të Netanjahut. Kështu kryeministri ka arritur të mbaj premtimin e tij të dhënë partnerit të koalicionit se nuk do të zhvillojë bisedime me parakushte të caktuara.

Presidenti Clinton bisedon me presidentin Arafat në Camp David, 19 korrik 2000
Presidenti Clinton bisedon me presidentin Arafat në Camp David, 19 korrik 2000Fotografi: AP

Udhëheqja e Hamasit e cila kontrollon Rripin e Gazës kritikoi me fjalë të ashpra raundin e ri të negociatave. Sipas saj bëhet fjalë për një truk të ri. Edhe politikani i pavarur palestinez Mustafa Barghouti e quajti ftesën amerikane "më të rrezikshme sesa bisedimet e vitit 2000 në Camp David", për shkak se raundi i ri i negociatave nuk bazohet në ndërprerjen e ndërtimeve të ngulimeve hebreje në Bregun Perëndimor.

Autor: Clemens Verenkotte / Esat Ahmeti

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi