1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialog i vështirë për paqen- Catherine Ashton në Lindjen e Afërt

18 Korrik 2010

E ngarkuara me politikën e jashtme të BE-së, Catherine Ashton po zhvillon një vizitë treditore në Lindje e Afërt. Gjatë takimeve me palën palestineze dhe izraelite do të shqyrtohen zgjidhjet e mundshme të konfliktit.

https://p.dw.com/p/OOGf
Ashton gjatë vizitës së fundit në Gazë, mars 2010
Ashton gjatë vizitës së fundit në Gazë, mars 2010Fotografi: AP

Të shtunën nisi vizita e së ngarkuarës së BE-së për politikën e jashtmë Catherine Ashton me takimet me palën palestineze. Të dielën ajo viziton Rripin e Gazës dhe takohet edhe me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu e ministrin e Jashtëm, Avigdor Liebermann.

Para nisjes së vizitës në Rripin e rrethuar të Gazës e ngarkuara me politikën e jashtme të BE-së kërkoi nga Izraeli hapjen e plotë të kufijve. Pikëkalimet kufitare duhet të jenë të kalueshme si për popullatën ashtu dhe për tregtarët në të dyja drejtimet, tha Ashton pas një takimi me kryeministrin palestinez Salam Fajed në Ramallah të shtunën. Ashton theksoi se evropianët mund të ndihmojnë në zhvillimin e komunikacionit kufitar.

Jeta në Rripin e rrethuar të Gazës është mjaft e vështirë
Jeta në Rripin e rrethuar të Gazës është mjaft e vështirëFotografi: AP

BE pro bisedimeve të drejtpërdrejta izraelito-palestineze

Sipas Ashton, BE mbështet bisedimet e drejtpërdrejta për zgjidhjen e konfliktit. Ndërkohë që presidenti i palestinezëve Mahmud Abaz ka kundërshtuar për momentin negociatat e drejtëprdrejta me Izraelin të propozuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Parakusht për fillimin e negociatave sipas Abazit janë një vëzhgim i pavarur i kufijve të një shteti të ardhshëm palestinez si dhe shkëmbimi i territoreve për ngulimet hebreje në Jordanin Perëndimor.

Më parë kanë ngjallur reagime deklaratat e ministrit të Jashtëm izraelit, Avigdor Liebermann se Izraeli po planifikon dorëzimin e përgjegjësisë pë Rripin e Gazës tek Hamasi radikal islamik. Sipas raportimeve në gazeta pritet që ai t'i prezantojë këto plane edhe Cathrine Ashton. Gjatë vizitës së të ngarkuarës së BE-së për politikën e jashtme në Rripin e Gazës nuk do të ketë takime me përfaqësues të Hamasit.

Autor: AG/Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti