1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

21 Nëntori: BE-ja fton për takim urgjent Kurtin e Vuçiqin

19 Nëntor 2022

Brukseli është i shqetësuar për afrimin e 21. nëntorit, kur fillon afati i gjobitjes së shoferëve serbë të Kosovës, që kanë në makina targa të qyteteve të Serbisë, sepse situata mund të kalojë në një krizë të re.

https://p.dw.com/p/4JlT8
Brukseli kërkon zgjidhje për situatën e krijuar në veriun e Kosovës lidhur me targat
Brukseli kërkon zgjidhje për situatën e krijuar në veriun e Kosovës lidhur me targatFotografi: Vjosa Çerkini/DW

Bashkimi Evropian ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për një takim në Bruksel në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në veriun e Kosovës, lidhur me targat.

Bashkimi Evropian situatën në veri e ka cilësuar si më të rrezikshmen që nga viti 2013, pas vendimit të qeverisë së Kosovës për moslejimin e targave serbe në makina dhe largimit masiv të serbëve nga Institucionet e Kosovës.

Një zgjidhje evropiane për situatën aktuale

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano, pasi njoftoi për ftesën që u është bërë për takim Kurtit dhe Vuҫiqit,  shfaqi shpresën se takimi  do të zhvillohet "shumë, shumë shpejt” dhe se synimi i tij është "gjetja e një zgjidhjeje evropiane”.

Zëdhënësi i Komisionit të BE-së Peter Stano
Zëdhënësi i Komisionit të BE-së Peter Stano Fotografi: Dursun Aydemir/AA/picture alliance

"Ne i kemi ftuar të dyja palët me urgjencë në Bruksel për të gjetur zgjidhje evropiane, një zgjidhje evropiane për situatën aktuale, e cila është ndër më seriozet prej vitit 2013 dhe ky është qëllimi, pra që t'i kemi në Bruksel për të diskutuar me ta zgjidhjen. Shpresoj që do të mund të vijnë shumë shpejt, dhe do të diskutojnë, siç ka thënë edhe kryediplomati i BE-së, Josep Borell, para 21 nëntorit dhe jo më vonë”, tha Peter Stano. Deri tani as Prishtina dhe as Beogradi, nuk e kanë konfirmuan pjesëmarrjen në takim.

Kurti: Qasja e Beogradit është destruktive

Zyrtarët evropianë gjatë kësaj jave zhvilluan diskutime të ngjeshura me përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë për tejkalimin e situatës në veriun e Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten gjatë një vizite në Estoni, se "zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është në komunikim të vazhdueshëm me Brukselin për ta zgjidhur çështjen e targave”.

Situata aktuale në veri të Kosovës  është ndër më seriozet prej vitit 2013
Situata aktuale në veri të Kosovës është ndër më seriozet prej vitit 2013Fotografi: Festim Beqiri/TV7News/dpa/picture alliance

"Beogradi ka urdhëruar të gjithë serbët në veri të Kosovës të japin dorëheqje nga institucionet. Ne jemi duke bërë çmos për të ruajtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit tonë nga njëra anë, dhe paqen e sigurinë nga ana tjetër. Unë jam optimist, por qasja e Beogradit ka qenë mjaft destruktive, dhe në ditët në vijim do të shohim sa do të jemi të suksesshëm në këto negociata të reja”, tha kryeministri Kurti.

Rezistencë në rast të vendosjes së gjobave

Kurti tha se "ka nëntëmijë vetura me targa ilegale serbe. Kjo është më pak se 10 për qind e veturave që kanë serbët në Kosovë, kështu që është një pakicë ekstreme serbësh, që janë duke refuzuar këto targa. Kemi pasur një dallim në qasje dhe sekuencim të zbatimit, duke nisur vetëm me qortim."

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhanë dorëheqje masive nga institucionet  pasi autoritetet e Kosovës me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së për një shtyrje prej dhjetë muajsh, filluan më 1. nëntor zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Sipas vendimit të qeverisë nga 21. nëntori fillon periudha e gjobitjes së atyre që nuk i kanë konvertuar targat e makinave.

Përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës kanë paralajmëruar rezistencë në rast të shqiptimit të gjobave.