1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çmimi i DW për kryeredaktorin e "Hürriyet"

Martin Koch21 Prill 2016

Presidenti turk e akuzon Sedat Ergin për shkak të raportimit të tij. DW e vlerëson atë me çmimin Freedom of Speech Award. Eshtë ende e paqartë nëse ai mund ta marrë personalisht në dorëzim çmimin.

https://p.dw.com/p/1IaHE
Bobs Award Freedom of Speech Sedat Ergin
Sedat ErginFotografi: privat

Kryeredaktori i gazetës së pavarur turke me tirazhin më të lartë "Hürriyet" sipas drejtorit të përgjithshëm të Deutsche Welle-s Peter Limbourg e meriton çmimin: "Sedat Ergin-it dhe kolegëve të tij u duhet çdo ditë të luftojnë për gazetarinë e pavarur dhe lirinë e shtypit duke rrezikuar shumë për këtë." Ndaj çmimi i vlerësuar prej Deutsche Welle-s i dedikohet atij edhe si përfaqësues për qindra gazetarë në Turqi, të cilëve u duhet të punojnë në kushte të ngjashme të vështira.

"Liria e shtypit vetëm në gjyq"

Në një reagim ndaj këtij lajmi, se çmimi i sivjetëm Freedom of Speech Award i Deutsche Welle-s i akordohet atij, Sedat Ergin shprehu mirënjohjen: "Ndihem i nderuar, për vlerësimin me këtë çmim prestigjoz, që synon ruajtjen e lirisë së shtypit në mbarë botën."

Ky angazhim, sipas tij, është urgjentisht i nevojshëm në sfondin e sulmeve të shumta kundër gazetarëve në Turqi. Kur Ergin në mars u ftua në gyjkatë, ai skicoi një imazh të zymtë për situatën, në të cilën ndodhet profesioni i tij: "Liria e shtypit në Turqi në vitin 2016 është reduktuar nëpër korridoret e gjykatave."

Ndaj fiton edhe më shumë rëndësi në këtë situatë mbështetja për kolegët në Turqi, u shpreh drejtoroi i përgjithshëm i DW Limbourg: "Deutsche Welle nisi në vitin 1962 transmetimet radiofonike në gjuhën turke. Ne ndihemi të lidhur në miqësi të ngushtë me popullin turk, por ne nuk mund të bëjmë sehir dhe të heshtim, kur gazetarët, artistët dhe shkencëtarët në mënyrë sistematike ndodhen nën presion dhe kufizohen prej autoriteteve."

Çmimi i DW jepet në kuadër të konferencës ndërkombëtare të Deutsche Welle-s Global Media Forum, që zhvillohet çdo vit në Bon. Eshtë e paqartë nëse Sedat Ergin do të mund të vijë për ta marrë personalisht këtë çmim në Bon. Qysh nga muaji mars gazetari ndodhet në gjyq në Stamboll, sepse ai akuzohet se ka ofenduar presidentin Rexhep Tayip Erdogan.

Konkretisht është fjala për një artikull që Ergin ka botuar në "Hürriyet", ku ai është shprehur me ironi lidhur me fjalimin e Erdoganit mbi sulmin e partisë së ndaluar kurde PKK ndaj ushtarëve turq. Një nga avokatët e Erdoganit e kallëzoi kryeredaktorin e kësaj gazete. Prokuroria e akuzon Ergin, se një citat të kreut të shtetit e ka "deformuar me dashakeqësi" për të manipuluar opinionin publik. Ky nuk është konlfikti i parë i këtij lloji ndaj kësaj gazete. Disa herë avokatët e Erdoganit kanë kërkuar arretsimin e kryeredaktorit të "Hürriyet", p.sh. kur gazeta shkruante mbi dënimin me vdekje ndaj ish- presidentit të zgjedhur për herë të parë në mënyrë demokratike në Egjipt Mohammad Mursi dhe i referohej kuotës prej 52% të votave që kish fituar ai. Erdogani e konsideroi këtë si tentativë indirekte për rrëzimin e tij - sepse në zgjedhjet e para direkte të presidentit turk në gusht të vitit të kaluar ai fitoi me 52% të votave.

Për të drejtat e njeriut dhe lirinë e mendimit

Çmimi Freedom of Speech Award i Deutsche Welle-s jepet që nga viti 2015 si pjesë e konkursit "The Bobs - Best of Online Activism". Me këtë çmim vlerësohen personalitete ose nisma, që angazhohen veçanërisht për të drejtat e njeriut dhe lirinë e mendimit.

I pari që u nderua me këtë çmim vitin e kaluar është blogger-i saudit Raif Badawi. Meqënëse bashkëthemeluesi i faqes së internetit "Sauditët liberalë" që nga viti 2012 është në burg, në vend të tij çmimin e mori në dorëzim në emër të tij bashkëshortja Ensaf Haidar.