1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë do të thotë Putini me "kundërpërgjigjen rrufe"?

1 Maj 2022

Bllof apo alarm? Sa i rrezikshëm është kërcënimi i Vladimir Putinit me "përgjigje të rrufeshme" në rast ndërhyrjeje në luftën e Ukrainës? Ekspertë rusë me disa shpjegime.

https://p.dw.com/p/4Aega
Russland | Wladimir Putin
Fotografi: Vladimir Astapkovich/TASS/Pool/dpa/picture alliance

Nëse flet këto ditë me letonezët, shumica nuk e përjashton një sulm potencial rus kundër vendit të tyre. Letonia ndan me Rusinë një kufi të përbashkët, si edhe një të shkuar të përbashkët sovjetike, e cila këtu përcaktohet qartë si pushtim. Që nga vitet 90-të vendet balltike janë sërish të pavarura. Dhe ata duan të mbeten të pavarura. Sidomos këto kohë. Që nga agresioni rus kundër Ukrainës shumë janë të alarmuar, sidomos ata që nuk i morën seriozisht paralajmërimet e shërbimeve sekrete amerikane.

Për shumë vetë fjalët e Putinit në një takim me fuksionarë të lartë në Shën Peterburg tingëlluan alarmuese. Nëse dikush përzihet drejtpërdrejt në luftë, kërcënoi Putini, vendi do të reagojë rrufeshëm. "Ne i kemi të gjitha instrumentet për këtë", tha kreu i Kremlinit dhe "nuk do të mburremi me to. Ne do t'i vemë në përdorim, nëse është e nevojshme. Dhe unë dua që këtë ta dinë të gjithë." Vendimet përkatëse për këtë janë përpiluar ndërkohë.

Ukraine | Zerstörungen in der Luhansk-Region
Shkatërrime në LuhasnkFotografi: Stanislav Krasilnikov/TASS /IMAGO

Më shumë se vringëllima shpatash?

Po cilat saktësisht? Eksperti i pavarur ushtarak rus, Juri Fjodorov nuk e përjashton që Putini me këtë ka parasysh armët atomike, sepse kërcënimi i drejtohej vendeve, që kanë ndërkohë armë atomike, para së gjithash SHBA dhe Britania e Madhe. Në bisedë me DW, Fjodorov thotë se "Putini dhe këshilltarët e tij janë të mendimit, se Ukraina nuk mund të mundet me armët e njohura. Kremlini i sheh armët atomike si mjetin e fundit, pra ajo armë që përcakton se si përfundon lufta." Por krahas armëve atomike, presidenti rus mund të ketë pasur ndërmend edhe raketën supersonike ruse, Zirkon, mendon Fjodorov, një raketë që sulmon objektiva në det  dhe në klasifikimin e NATO-s quhet SS-N-33. Raketa Zirkon fluturon shpejt, por jo shumë larg, 300-400 km. "Megjithatë Putini e preferon këtë raketë, dhe është shumë krenar."

Eksperti ushtarak dyshon në efektivitetin e Zirkon. "Shpejtësia e lartë ka rëndësi për shkatërrimin e objektivave të lëvizshme në det, me qëllim që të mos largohen shumë nga pika e objektivit." Por shumica e objektivave në tokë janë të palëvizshme, prandaj aty nuk luan ndonjë rol të madh shpejtësia. "Krahas kësaj raketa duhet që me rifutjen në atmosferën e dendur të reduktojë shpejtësinë, ndryshe ajo digjet."

Deutschland | Pressekonferenz in Ramstein Air Base | Minister Nikos Panagiotopoulos
Konferencë shtypi në Ramstein pas takimit të nivelit të lartë të NATO-s, në qendër ministri grek i Mbrojtjes, Nikos PanagiotopoulosFotografi: Griechenlands Verteidigungsministerium

Reagim pas Ramsteinit

Për Andrej Kolesnikov nga ish-qendra Carnegie e Moskës (që duhej të mbyllej me urdhër të qeverisë në prill 2022) deklaratat e Putinit janë reagim pas takimit të nivelit të lartë të NATO-s në bazën amerikane,Ramstein në Gjermani. Sipas Kolesnikovit "gjithçka që ai thotë nuk ka karakter strategjik, por taktik, reaktiv dhe oportunist." Putini mund t'i ndryshojë planet sipas gjendjes, vëren eksperti. "Nëse thuhet, se çdo gjë shkon sipas planit, nuk e di askush, se si është ky plan dhe çfarë qëllimesh ka." Ndoshta Putini, nuk ka aspak qëllime fikse, por reagon sipas situatës. "E varet se çfarë ndodh në Perëndim dhe në front."

Kolesnikov shikon pa dyshim tek Putini dikë "që është futur në një farë mase në një qorrsokak dhe po reagon gjithnjë e më brutalisht." Edhe retorika e tij është bërë më brutale. "Ai nuk ka qenë ndonjëherë i gatshëm për dialog, por në situatën e tanishme, negociatat janë për të thjesht me karakter fakultativ. "Kurse eksperti rus për çështjet e politikës, Abas Galjamov nuk u jep shumë rëndësi fjalëve të Putinit dhe i quan ato propagandë e pastër.

Ai e krahason Putinin me një tigër. "Të gjithë e kanë kuptuar, se tigri është prej letre. Ai duhet t'ua tregojë të gjithëve, që nuk është kështu, por nuk mund të bëjë gjë, prandaj i mbeten vetëm fjalët, që kërkojnë të bindin të tjerët, se kreu i Kremlinit është ende i fortë. Galjanov konstaton: "Kemi faktet; Rusia ka sulmuar, ka krime lufte dhe një mbrojtje heroike të ukrainasve." Për politikanët perëndimorë janë këto fakte vendimtare për vendimet e tyre, sipas Galjanov, i cili nuk beson, se pas kërcënimit të Putinit, tani perëndimi "do të ecë në një drejtim tërësisht tjetër."