1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë i ndan dhe çfarë i bashkon besimtarët

26 Dhjetor 2011

Bisedë me presidentin e këshillit ekumenik papnor, kardinalin Kurt Koch.

https://p.dw.com/p/13ZAN
Kardinali Kurt Koch
Kardinali Kurt KochFotografi: DW-TV

DW: Shkëlqesia juaj, kanë kaluar tre muaj që Papa Benedikti i 16-të është takuar në Erfurt, në Gjermani, me përfaqësues të lartë të kishës protestante. Në atë kohë kishte shumë shpresa dhe më pas pati shumë zhgënjim. Cili është konkluzioni juaj tani?

Kardinali Koch: Nëse i lexon përsëri me qetësi fjalimet, që ka mbajtur Ati i Shenjtë, atëherë ato janë shumë shpresëdhënëse. Dhe unë mendoj se ajo, që ai që ka thënë aty, është udhërrëfyese për të ardhmen. Kjo është arësyeja, pse unë në fakt shikoj me besim përpara për të ardhmen e ekumenizmit, edhe në Gjermani.

DW: Përpara këtij takimi ju vetë patët folur për një skandal të ndarjes dhe patët shprehur shpresën se mund të ketë një përmirësim. A shikoni tani hapa të mëtejshëm, a shihni hapa të tjerë pavarësisht nga zhgënjimet. Cila është perspektiva?

Kardinali Koch: Pra për zhgënjim natyrisht mund të flitet vetëm, kur pritjet, që kanë qenë, nuk janë përmbushur dhe atëherë edhe duhet diskutuar, nëse kanë qenë të justifikuara pritjet, që lidheshin me këtë vizitë. Papa i ka dhënë ndoshta përgjigje pyetjeve, që fillimisht nuk kanë qenë në rendin e ditës, por që janë thelbësore. Ai ka theksuar sidomos, sa e rëndësishme është që ne në shoqërinë e sotme, kryesisht laike, të dëshmojmë së bashku praninë e Zotit dhe ai e ka cilësuar këtë detyrën më të rëndësishme ekumenike.

DW: Të prekim një temë delikate gjermane, marrjen e sakramenteve së bashku. Që katolikët, protestantët, të cilët jetojnë në martesa të përbashkëta, të mund të shkojnë së bashku për t'u kunguar dhe në eukaristi. Që kjo të lejohet. A shihni ndonjhë shans, apo ndonjë perspektivë?

Kardinali Koch: Ky është një të kuptuar i ndryshëm Për ne katolikët, edhe për të krishterët ortodoksë, natyrisht që kemi qëllim që të mund të rrimë së bashku në tryezën e Zotit. Por kjo nuk është vetëm një rrugë drejt këtij qëllimi. Dhe këtu kemi pozicione të ndryshme. Dhe ndoshta është kjo ende pamundësia për të festuar së bashku eukaristinë, një nxitje e madhe për të ecur përpara në ekumeni. Dhe jo vetëm të ulemi së bashku në të njëjtën tryezë, por edhe të kemi bashkësi pastorale.

DW: Në Gjermani katolikët, protestantët, e gjithë shoqëria, , natyrisht sidomos protestantët i kanë sytë drejt vitit 2017, vitit përkujtimor të fillimit të Reformacionit. Është e njohur se ju nga Roma zhvilloni bisedime me federatën botërore luterane, që prekin çështjet thelbësore. A shihni mundësi që deri në 2017 të bëni përparime të mëtejshme?

Kardinali Koch: Do do të ketë me siguri një dokument të përbashkët, është komisioni i përbashkët, në mes kishës katolike dhe federatës botërore luterane. Përpjekja për ta thënë së bashku atë, që mund të themi së bashku mbi Reformacionin. Si në këndvështrimin pozitiv, ashtu edhe në atë negativ. Sepse skizma nuk është vetëm një ngjarje pozitive, që me siguri është për Luteranët në një kuptim tjetër nga ne. Ajo është edhe një kujtim i dhimbshëm. Dhe unë mendoj se ajo, që sot është shumë e rëndësishme, është shërimi e kujtimeve.

DW: Nëse shikoni tani në 2000 vjet të historisë së kishës, vitet e Reformacionit janë gati 500 vjet. A kanë të dyja palët, katolikët dhe protestantët, të njëjtin mendim lidhur me 1500 vjetët para?

Kardinali Koch: Kjo do të ishte një dëshirë e madhe, që të mund të flitet më shumë së bashku lidhur me këto 2000 vjet. Tri të katërtat e të cilave i kemi të përbashkëta. Dhe të flasim nga ky këndvështrim se si ne e kuptojmë Reformacionin. Si një ndërprerje të plotë me atë, që ka qenë përpara, apo siç e shihte vetë Martin Luteri. Ai nuk donte të themelonte një kishë të re, ai donte një përtëritje të Kishës.

DW: Jemi ulur këtu së bashku në Vatikan. Na përshkruani shkurtimisht përshtypjen tuaj nga takimi në Erfurt?

Kardinali Koch: Me siguri që është vënë re se sa rëndësi ka ekumenizmi për Atin e Shenjtë, se ky është një shqetësim i veçantë për të. Eshtë vënë re se sa pozitivisht ka folur ai për Martin Lutherin. Dhe se sa të thella i konsideron ai rrënjët e ekumenizmit, dhe më duket se kjo ka sjellë lëvizje.

DW: Të Krishterët festojnë Krishtlindjet në të gjithë botën në këto ditë. Unë dua të hedh pak uthull në verën e gëzimit festiv. Në Gjermani vetëm vitin e kaluar 180 000 katolikë janë larguar nga kisha, po ashtu edhe shumë protestantë. Çfarë u thoni këtyre njerëzve, çfarë u thoni njërëzve të dalë nga kisha se cila është domethënia e Krishtlindjeve? Pse është kaq e rëndësishme kjo festë?

Kardinali Koch: Kjo festë është kaq e rëndësishme, se ajo na tregon se Zoti nuk është një realitet i largët, por na ka ardhur fare pranë. Është si në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Atë tjetrin e njeh vetëm atëherë, kur ia njeh fytyrën. Dhe Krishtlindjet do të thonë se Zoti na ka treguar fytyrën e tij të vertetë. Që është një fytyrë njerëzore. Ai vetë është bërë njeri dhe i dukshëm në një fytyrë njeriu dhe në këtë mënyrë jo një realitet i largët, por brenda nesh, në mesin tonë.

DW: A është koncepti i të bërit njeri, të cilin rrethet brenda kishës e përdorin si të vetëkuptueshëm, a është ai edhe sot i kuptueshëm, a shikoni këtu ndonjë pengesë? Apo si mund të shpjegohet kjo?

Kardinali Koch: Jo, unë mendoj se kjo është ura më e madhe lidhëse, që ka ndërtuar vetë Perëndia. Nga përjetësia brenda në kohë, nga qielli në tokë, që ajo vetë ka bërë rrugën e qenies njerëzore dhe e ka përjetuar të qënit njeri me anët e madhërishme dhe me anët e errëta. Prandaj ne kemi fatin të njohim një Perëndi, që e njeh gjendjen e të qenit njeri.

DW: Krishtlindjet festohen jo vetëm nga të krishterët në Perëndim, por edhe nga të krishterët ortodoksë, por prej tyre në një tjetër datë. Ka data të ndryshme të Krishtlindjeve. Dhe ka data të ndryshme të Pashkëve. A është kjo një shenjë tjetër e ndarjeve, e ndarjes së kishës, apo është një shenjë e diversitetit të gjallë?

Kardinali Koch: Nuk duhet të jetë patjetër shenjë e përçarjes, mund të jetë edhe një shenjë e diversitetit. Pikërisht Krishtlindjet janë një mister me të vërtetë i madh, që nuk mund t'ia nxjerrësh kurrë fundin dhe nëse ortodoksët festojnë më shumë se ne Epifaninë, paraqitjen e Zotit, këtë mister, atëherë vëmë thekse të ndryshme. Dhe ekumenizmi do të thotë në fakt shkëmbim i dhuratave që ne të pasurojmë njëri-tjetrin dhe kështu të mund të kontribuojnë në diversitetin e krishterë. Sigurisht se do të ishte mirë, nëse ne do të gjenim mënyra të përbashkëta, por kjo nuk duhet të zvogëlojë diversitetin e aspekteve.

DW: Çfarë mendoni ju personalisht si i krishterë, kur në Evropën Qendrore prej kohësh është bërë traditë, që festa e Krishtlindjeve të kuptohet në lidhje me pemën, me dhuratat, nganjëherë edhe me këngët, por jo më në lidhje me mesazhin e besimit dhe që ajo nuk është më festë fetare?

Kardinali Koch: Unë mendoj se nuk ka kuptim që të polemizojmë kundër traditave. Ato janë dhe kanë në fund të fundit rrënjë të krishtera. Unë mendoj se do të ishte shumë më mirë, nëse vazhdojmë të ruajmë zakonet dhe të përpiqemi t'i thellojmë ato. Pikërisht shkëmbimi i dhuratave simbolizon dhuratën më të madhe, që na ka bërë Zoti, duke u bërë vetë njeri. Dhe pema e Krishtlindjeve ka në fakt rrënjë të krishtera, vjen nga lojërat e parajsës në Mesjetë, ku tregohet që zanafilla e paqes e dashurisë rikthehet përmes Krishtlindjeve. Ne duhet t'i kuptojmë zakonet përsëri nga përmbajtja e tyre e krishterë.

Autor: Christoph Strack

Redaktoi: Angjelina Verbica