Zvogëlohet kontigjenti i ushtarëve gjermanë në Kosovë
19 Maj 2017Qeveria gjermane i ka propozuar Bundestagut që ta vazhdojë edhe për një vit mandatin e ushtrisë gjermane në Kosovë. Propozimi parashikon dërgimin në Kosovë deri të 800 ushtarëve, që do të thotë rreth 550 ushtarë më pak se në misionin e tanishëm. Në Bundestag është mbajtur të enjten (18.05) leximi i parë i propozimit të qeverisë, por vendimi për vazhdimin konsiderohet si punë e kryer.
Qeveria gjermane në sugjerimin për vazhdimin e mandatit u referohet vendimeve të NATO-s për përshtatjen e fuqisë ushtarake me zhvillimet në Kosovë. Kostoja për misionin e ushtrisë gjermane në Kosovë për këtë vit do të jetë 41,9 milionë euro.
Gjendja e qetë, por...
Gjendja në Kosovë vlerësohet si kryesisht e qetë dhe e qëndrueshme, por edhe më tej me një potencial të lartë për konflikt - në veçanti në veri të Kosovës. Ndërsa detyra e Bundeswehrit është mbështetja e zhvillimit të një Kosove të qëndrueshme, demokratike, multietnike dhe paqësore, si dhe mbështetja e Forcave të Sigurisë në Kosovë.
Mandati i ushtarëve gjermanë në Kosovë vazhdohet çdo vit. Në media është spekuluar edhe me mundësinë e tërheqjes së ushtarëve gjermanë nga Kosova deri në fund të vitit 2018 dhe mbetjen atje të një kontigjenti këshillues. Por analistët thonë se realizimi i këtij synimi varet nga gjendja në terren.
Historia e misionit
Pjesëmarrja e ushtarëve gjermanë në kuadër të Kforit është miratuar për herë të parë në Bundestag më 11 qershor 1999. Në parim, misioni është i pakufizuar, por praktikisht ai duhet të vazhdohet nga Bundestagu çdo vit për 12 muajt e ardhshëm. Vazhdimi i fundit zyrtar është bërë më 23 qershor 2016 dhe ky vendim (aktualisht në fuqi) parashikon dërgimin e deri 1.350 ushtarëve në Kosovë. Por ky është numri më i madh, sepse në Kosovë atkualisht ka rreth 500 ushtarë gjermanë. Ndërsa vendimi i radhës zyrtarisht do të miratohet në Bundestag në qershor.