1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet evropiane - Në Berlin (pothuajse) të gjithë të kënaqur

Sabine Kinkartz / Pandeli Pani25 Maj 2014

Rezultatet gjermane të zgjedhjeve evropiane festohen nga shumica e partive në Berlin. Veçanërisht socialdemokratët janë entuziastë për kandidatin e tyre për postin e presidentit të Komisionit të BE-së, Martin Schulz.

https://p.dw.com/p/1C6g6
Aktion zur Europawahl in Wiesbaden
Fotografi: picture-alliance/dpa

Presidenti i Parlamentit Evropian Martin Schulz dhe kryetari i SPD-së Sigmar Gabriel e komentuan mes brohorimave përfundimin e zgjedhjeve për Evropën në Gjermani dhe rezulatin e social-demokratëve në këto zgjedhje. "Kjo është fitorja më e madhe që SPD ka arritur ndonjëherë në zgjedhjet mbarë gjermane," tha kryetari i SPD-së duke komentuar rezultatet paraprake. "Dhe rezultati i zgjedhjeve ka një emër dhe ai është Martin Schulz," vazhdoi Gabriel.

EU Parlamentswahl 25.05.2014 Deutschland SPD Schulz Berlin
Fotografi: Reuters

Kush do të bëhet presidenti i Komisionit Evropian?

Martin Schulz qe shumë i prekur dhe tha se e kishte parë si privilegj të madh që të zhvillonte fushatë elektorale, sepse kjo është "ripërtëritje e demokracisë në Evropë". Sipas tij ishte një hap i madh përpara që të gjitha partitë socialdemokrate dhe socialiste në Evropë kishin rënë dakord për një kandidat. "Ne kemi një shans të mirë për t'u bërë grupi më i fortë parlamentar në Parlamentin Evropian dhe nga kjo unë nxjerr natyrisht si përfundim se ne pretendojmë postin e presidentit të ardhshëm të Komisionit."

Por edhe CDU/CSU që fitoi në Gjermani shumicën e votave beson se fitorja e tyre në Gjermani do të japë rezultat në Bruklsel. Sikurse tha kandidati kryesor i CDU/CSU David McAllister "CDU/CSU kanë vendosur një gur themeltar në grupin e Partive Popullore Evropiane, që ato të bëhen përsëri grupi më i fortë në Strasburg dhe Zhan-Klod Junker të mund të jetë President i Komisionit Evropian. Ne jemi numri një në Gjermani dhe kemi fituar në mënyrë të qartë në këto zgjedhje. Ky është mesazhi i mbrëmjes."

Infografik Europawahl Deutsche Ergebnisse Hochrechnung 19:20 Uhr

Furia e euroskeptikëve

Fytyra të kënaqura ka edhe në radhët e partisë euroskeptike "Alternativë për Gjermaninë" (AfD) e cila hyn për herë të parë në Parlamentin Evropian. Kandidati kryesor dhe shefi i partisë Bernd Lucke tha: "AfD lulëzoi në këto zgjedhje si një parti të re, si parti e re popullore në Gjermani." Qytetarët i kanë dhënë "një votë shumë të madhe besimi" partisë së tij, gjë që e gëzon shumë, tha ai. Kritikat se AfD është parti e krahut të djathtë Lucke i hodhi poshtë duke thënë se ata do të bashkëpunojnë vetëm me partitë e moderuara në Parlamentin e Evropës por do t'i hedhin poshtë si ofertat për bashkëpunim nga Front National nga Franca edhe ato të komunistëve. Ne jemi kritikë ndaj euros dhe kritikë konstruktivë ndaj BE-së, tha ai.

Edhe të Gjelbrit e konsiderojnë rezultatin që arritën në zgjedhje si mjaft të mirë, sikur tha bashkëkryetarja Simone Peter.

Liberalët nuk janë aspak të kënaqur me rezultatin në zgjedhjet për Parlamentit Evropian. Wolfgang Kubicki, zëvendëskryetar i partisë tha se pas ristrukturimit të partisë, ne kemi probleme me daljen në media.