1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet parlamentare në territoret palestineze: Fitoi Hamasi?

Peter Philip26 Janar 2006

Të mërkurën palestinezët votuan parlamentin e tyre të ri. Për herë të parë grupi radikal islamik Hamas kandidoi zyrtarisht si forcë politike në këto zgjedhje

https://p.dw.com/p/Aqr7
Kandidatët politikë të Hamasit
Kandidatët politikë të HamasitFotografi: AP

Dihej që përpara zgjedhjeve se Hamasi ishte një konkurrent serioz për Fatahun dhe se do të bëhej pjesë e kabinetit të ri qeveritar palestinez. Por që Hamasi do të fitonte shumicën e votave dhe do të krijonte qeverinë e saj, nuk e besonin as vetë simpatizantët e kësaj organizate.

Për votuesit Fatahu, lëvizja kryesore politike në vend, është një parti korrupte dhe e paaftë për të arritur një marrëveshje për paqe me Izraelin. Ndërkohë Hamasi është për popullin një forcë sociale dhe e pakorruptueshme. Faktet se Hamasi nuk pranon asnjë kompromis për paqe me Izraelin dhe është përgjegjës për qindra sulme terroriste, duket sikur nuk i shqetësojnë votuesit.

Kryetari i Fatahut, Mahmud Abaz u tregua i qetë. Ai kishte deklaruar që përpara zgjedhjeve se ishte i gatshëm të krijonte një koalicion me Hamasin. Por vetëm me kusht që Hamasi ta pranonte kursin paqësor politik të Fatahut, pra bisedimet për paqe me Izraelin.

Por në rast se Hamasi do të krijojë vetëm qeverinë e re, atëherë do të ndryshojë çdo plan. Por ndoshta ky grup do ta kuptojë se nuk mund të arrihet ndonjë kompromis në zgjidhjen e konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës, në rast se pala palestineze nuk i pranon kriteret e marrëveshjes së Oslos dhe e refuzon edhe më tej të drejtën e ekzistencës së shtetit Izrael duke ushtruar dhunë dhe terror.


Gjatë fushatës zgjedhore Hamasi ju shmang këtyre temave por ato vazhdojnë të jenë pika kyçe të programit të tyre. Mbetet e hapur pyetja se si mund të rifillojë dialogu për paqe me Izraelin me Hamasin në krye të qeverisë palestineze. Por dihej që përpara zgjedhjeve se pjesëmarrja e Hamasit në qeveri, do të shkakonte probleme të mëdha jo vetëm për Izraelin, por edhe për SHBA-s dhe BE-në. Të gjithë e konsiderojnë Hamasin si një grup terorrist dhe të ndaluar. Uashingtoni kishte deklaruar më parë se do të vazhdonte të ndërmjetësonte mes Palestinës dhe Izraelit vetëm në rast se në këto përpjekje nuk do të përfshihej grupi i Hamasi. Por ky vendim sigurisht që bëhet i pavlefshëm në rast se Hamasi do të jetë forca kryesore politike në vend.