1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Indi

10 Maj 2004

Sukses për fushatën zgjedhore të Partisë BJP

https://p.dw.com/p/ArTE
Zgjedhës në Indi
Zgjedhës në IndiFotografi: AP

"India shkëlqen" - që prej disa muajsh është kjo parrulla e qeverisë indiane në një fushatë gjigande reklame. Ajo shpresonte që t'i fitonte zgjedhjet e parakohshme me anë të "faktorit të të ndjerit mirë". Në dy elementë i kishte varur qeveria shpresat. Tek bumi ekonomik me norma impresionuese rritjeje, madje kohët e fundit edhe me dy shirfa dhe tek euforia për afrimin me armikun e përhershëm Pakistanin.

Partia më e madhe qeverisëse BJP i kishte zhvilluar zgjedhjet në të kaluarën kryesisht me parrula antimyslimane. Megjithatë këtë herë shprehjet e urrejtjes munguan krejtësisht. Përkundrazi: sekretari i përgjithshëm i partisë Mukhtar Abbas Naqvi është vetë mysliman dhe është përpjekur drejtpërdrejt gjatë fushatës që të fitonte për partinë e tij përkrahës nga pakica më e madhe në vend:

"Ne i kishim vënë vetes si synim të arrinim grupin shoqëror, tek i cili ka pasur në njëfarë mase vështirësi në marrëdhëniet me partinë tonë. Ne patëm sukses. Sot shohim një shndërrim revolucionar në qëndrimin e pakicave ndaj partisë sonë."

Se a është apo jo i vërtetë ky qëndrim këtë do ta tregojnë rezultatet e zgjedhjeve. Për opozitën kjo është po aq e pabesueshme sa edhe euforia për norma të larta rritjeje ekonomike. Pika e tyrë kryesore e kritikës është se përfituese janë vetëm shtresat e mesme, për të varfrit dhe për popullsinë fshatare ndryshimet janë të pakta. Në rrethin e tij zgjedhor Lucknow në veri të Indisë kryeministri Atal Bihari Vajpayee kishte si kandidat rival veteranin e politikës Ram Jethmalanin. Ky thotë:

"India shkëlqen!? Pa shihni njëherë në lagjet e varfra të Lucknow-t a shkëlqen India apo ka marrë fund! Kjo është vetëm propagandë!"

Duket se shumë zgjedhës janë të një mendjeje me politikanin Jethmalani. Në këtë mënyrë në ditën e fundit të zgjedhjeve qeveria aq e sigurt në fitore është zënë përsëri ngushtë. Shumica e parashikimeve tregojnë se koalicioni qeverisës nën drejtimin e partisë BJP, i përbërë nga më shumë se 20 parti për pak nuk do ta arrijë shumicën e mandateve në parlament. Megjithatë partia më e rëndësishme opozitare, ajo e Kongresit, renditet qartë pas tij. Ende pa përfunduar zgjedhjet ditët e fundit ka filluar një garë midis dy kampeve për partnerë të mundshëm koalicioni.

Por Partia e Kongresit, e llastuar nga pushteti prej qeverisjes e vetme për dekada me radhë, është tradicionalisht më e dobët në farkëtimin e aleancave. Një pengesë tjetër edhe në sytë e shumë zgjedhësve mbetet kandidatja e saj kryesore, 57-vjeçarja Sonia Gandhi e lindur në Itali. Madje edhe në Partinë e Kongresit ekziston një skepticizëm i madh nëse mundet apo jo ta marrë ajo në rast fitoreje postin më të rëndësishëm qeverisës. Shoqja e partisë e Sonja Gandhit Najma Heptullah, zëvendëspresidente e dhomës së lartë të parlamentit, thotë:

"Ky vend ka një miliardë banorë. Në radhët e tyre ka shumë njerëz të aftë. Përse luftuam për pavarësinë? Po, për atë që vendi ynë të qeveriset nga njerëzit tanë. Sot ne kemi Sonjën. Nesër ndoshta një indiane martohet me një kinez dhe ky bëhet më pas kryeministër! Dhe sikur njëra të martohet me një amerikan, atëherë bëhet ai kryeministër. Ose një pakistanez. A është në rregull kjo?"

Prandaj në Partinë e Kongresit po spekullohet nëse nuk duhet bërë dikush tjetër kryeministër, ndoshta djali i Sonja Gandit Rahul që po kandidon për të parën herë për të hyrë në parlament.

Parashikimet e deritanishme mbështeten në anketimin e zgjedhësve gjatë largimit nga qendrat e votimit, anketime që po publikohen rregullisht që prej fillimit të zgjedhjeve më 20 prill.

Nesër do të marrë fund pritja. Atëherë rezultati do të jetë përcaktuar. Deri tani në Indi rezultatet mbërrinin me ngadalësi njëri pas tjetrit në qendër. Këtë herë është garantuar kudo një numërim i shpejtë i votave. Gjithë India po i zhvillon zgjedhjet me makina elektronike votimi, të cilat e ruajnë votën në një çip elektronik. Në këtë mënyrë vështirësohet ndjeshëm manipulimi i zgjedhjeve. Votat e dhëna nuk mund të shpallen më të pavlefshme dhe nuk mund të vidhen më kuti të tëra votimi dhe të zëvendësohen me vota të plotësuara vetë siç ndodhte shpesh në të kaluarën.

Përparimi dhe prapambetja, India "shkëlqyese" dhe ajo e varfër qëndrojnë pranë njëra-tjetrës: Zgjedhësit, shumë prej tyre analfabetë, votojnë në fakt në mënyrë elektronike, por kandidatin e dëshiruar vazhdojnë ta dallojnë me anë të simbolit të partisë.

Mbetet për tu sqaruar edhe një çështje banale. Në Indi ndërprerja e rrymës elektrike, madje edhe në qytet, është në rend të ditës - le të mos flasim këtu për qindra mijëra fshatrat. Si ia bëjnë me këtë problem makinat e votimit të teknologjisë së lartë? Nuk ka problem, na qetëson Joshi nga Bangalore, firma e të cilit e ka projektuar këtë teknikë:

"Kur ndërpritet rryma elektrike, makina elektronike e votimit funksionon megjithatë, sepse punon me bateri!"