Zgjedhjet në Bullgari: Partia e Borisovit kryeson
3 Tetor 2022Pas zgjedhjeve parlamentare në Bullgari të dielën (02.10.), partia konservatore e ish-kreut të qeverisë bullgare, Bojko Borisov duket se do të fitojë zgjedhjet në vend. Sipas llogaritjeve paraprake, GERB arrin 25% të votave, pas numërimit të 99% të votave. Kurse PP, partia e re e kryeministrit të rrëzuar në qershor, Kiril Petkov, "Ne vazhdojmë ndryshimin" ka arritur 19-20% të votave. Petkov e pranoi të dielën humbjen në zgjedhje. Votuesit ia dhanë votën Borisovit për formimin e qeverisë, tha Petkov, i cili e përjashtoi një koalicion me GERB.
Krijimi i qeverisë i vështirë
Ish-kryeministri, Bojko Borisov u tregua i hapur për bisedime "me të gjitha partitë" pas mbylljes së kutive të votimit të dielën. Një partner potencial për GERB do të mund të ishte partia e pakicës turke, MDL, që sipas llogaritjeve të fundit arrin 15% të votave. Edhe dy parti proruse kanë arritur rezultate deri në 15%. Por në parlamentin bullgar mjaft të fragmentarizuar nuk duken shenja për koalicion. Të treja partitë e koalicionit të fundit qeverisës të partisë PP të Petokvit, të socialistëve dhe Të Gjelbërve liberal-konservatorë, DB kanë arritur së bashku 37% të votave.
Në parlamentin e ri bullgar mund të hyjnë 8 parti. Deri sa të krijohet qeveria e re, ekzekutivi i kalon një kabineti të përkohshëm qeveritar. Të dielën (02.10.) bullgarët votuan për herë të katërt brenda 18 muajve. Në qershor qeveria e partisë, PP "Ne vazhdojmë ndryshimin" e Petkvoit u rrëzua pas një vote mosbesimi. Pjesëmarrja në zgjedhje sipas institutit Gallup International Balkan ishte e ulët, 35%, pak para mbylljes së kutive të votimit.
la/dpa, afp