1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Argjentinë dhe tërheqja e trupave të SHBA-së nga Iraku

30 Qershor 2009

Në Argjentinë po i vjen fundi epokës Kirchner kurse zhvillimet e mundshme në Irak pas tërheqjes së trupave të SHBA-së mbeten ende të paqarta.

https://p.dw.com/p/Ie1e
gazeta

Shuplaka në zgjedhjet e fundit për peronistët e Argjentinës dhe përgjigja e pyetjes nëse lufta, me të cilën u rrëzua diktatori Sadam në Irak, shkaktoi jo vetëm një numër të lartë viktimash, por krijoi edhe premisat për një shoqëri më të mirë dhe për një shtet demokratik janë në qendër të shtypit gjerman.

Gazeta "Märkische Oderzeitung" komenton rezultatin e zgjedhjeve në Argjentinë:

"Në Argjentinë po i vjen fundi epokës Kirchner. Shuplaka në zgjedhjet e fundit është vetëm vazhdimi i sprapsjes, ku kanë katandisur ish-presidenti Néstor Kirchner dhe pasuesja dhe bashkëshortja e tij Cristina. Edhe pse ata në gjashtë vitet e fundit e kanë drejtuar vendin e dalë nga një krizë e thellë ekonomike drejt një qëndrueshmërie relative, kursi i tyre populist social nuk u ka shërbyer të gjithëve e në radhë të parë nuk ka qenë në dobi të partisë së tyre. Duke pasur parasysh kuotën e preferencës në elektorat me vetëm 30 % për presdientin, që do të vazhdojë të jetë në post deri në vitin 2011, ka mundësi që në partinë në pushtet të nisë qysh tani gara për pasuesin e Kirchner. Këto do të jenë dy vite të stuhishme për peronistët e Argjentinës."


"Frankfurter Allgemeine Zeitung" komenton zhvillimet e mundshme në Irak pas tërheqjes së trupave të SHBA-së:

"Për ekspertët është e diskutueshme nëse forcat e rendit në Irak do t'ia dalin pa ndihmën nga jashtë që të venë nën kontroll konfliktet e vazhdueshme që ekzistojnë në vend. Është shumë herët të thuhet, se vala e dhunës, që shpërtheu javët e fundit, konfirmon parashikimet, sipas të cilave pas tërheqjes së amerikanëve në Irak mund të krijohen rrethana të ngjashme me ato të një lufte civile. Tani do të merret përgjigja, nëse lufta, me të cilën u rrëzua një tiran, shkaktoi jo vetëm një numër të lartë viktimash, por krijoi edhe premisat për një shoqëri më të mirë dhe për një shtet demokratik. Këtë gjë Irakut të ri duhet t'ia urojnë edhe ata, të cilët kanë qenë kundër luftës dhe këtë ata duhet ta bëjnë edhe në interesin e tyre."

Autor: Vilma Filaj-Ballvora
Redaktor: Pandeli Pani