1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet lokale në Shqipëri - Risi dhe probleme të vjetra

Arben Muka9 Maj 2015

Zgjedhjet lokale të 21 qershorit në Shqipëri zhvillohen sipas ndarjes administrative të re, e cila do të influencojë në stafet e drejtuesve në nivel lokal dhe rajonal.

https://p.dw.com/p/1FN4p
Albanien Wahlen Wähler Wahllokal Wahlurne 23.06.2013
Fotografi: Reuters

Megjithëse jo zyrtarisht, fushata elektorale për pushtetin lokal ka nisur në të gjithë Shqipërinë. Partitë kryesore janë duke punuar intensivisht në kontaktet me elektoratin e tyre, në përpjekje për të tërhequr sa më shumë vëmendjen e qytetarëve me të drejtë vote. Një nga risitë e procesit është dalja e më shumë kandidatëve të pavarur. Vetëm në Tiranë janë tre, një situatë që nuk i favorizon të paktën socialistët dhe demokratët, të cilët historikisht kanë zhvilluar një betejë dypolare.

Ndikimi i kandidatëve të pavarur në garën elektorale

Pedagogu i Shkencave Sociale në Universitetin Europian të Tiranës, dr. Roland Lami e shikon përfshirjen në garë të kandidatëve të propozuar jashtë partive politike në disa bashki të vendit me ndikim në proces. Sipas pikëpamjes së tij, këto kandidatë tentojnë të përfaqësojnë një pjesë të votuesve të zhgënyer apo të brakrisur në nivel qendror dhe lokal nga qeverisja e këtyre viteve të partive kryesore. Gjithashtu përfaqësojnë edhe një pjesë të votuesve, të cilët besojnë se çështjet lokale duhet të jenë të shkëputura nga çështjet e politikës së qeverisjes qendrore, thotë ai për Deutsche Welle-n. “Ata përbëjnë njëkohësisht dhe një pjesë votuesish të cilët identifikohen më mirë me cilësitë e këtyre kandidatëve, por dhe asaj pjese të elektoratit që preferon një formë tjetër të konceptimit të fushatave zgjedhore lokale. E gjitha kjo, ndikon ndjeshëm në drejtim të shkallës së përfaqësimit të kategorive apo shtresave të ndryshme të shoqërisë. Falë kandidatëve të propozuar jashtë partive politike fushata shndërrohet nga dypolare – pozitë – opozitë në tripolare. Në të njëjtën kohë përfshirja e të pavarurve detyron edhe kandidatët e partive politike ta orientonjnë strategjinë elektorale jo vetëm drejt elektoratit të sigurtë, por edhe drejt atij gri."

Me këtë logjikë, sipas dr. Lamit, kandidatët e propozuar nga partitë politike detyrohen që konfliktin politik pozitë – opozitë në nivel makro të mos e reflektojnë me kundërshtarin politik gjatë fushatës zgjedhore në nivel mikro.

Prof. Asoc. Afrim Krasniqi është një ndjekës i vëmendshëm i gjithë proceseve elektorale të pas vitit '90 dhe ka publikuar dhjetra studime mbi dinamikën e tyre. Duke u fokusuar tek kandidimi i të pavaruarve, prof. asoc. Krasniqi e përshkruan nismën e tyre si shenjë pozitive dhe vlerë demokracie. Ndikim i tyre në rezultatin final pres të jetë minimal, me përjashtim të atyre zonave ku diferenca midis kandidatëve e partive kryesore është e vogël, shprehet ai për Deutsche Welle-n. “Tirana nuk është ky rast, por Tirana meriton shumë më tepër përfaqësim e alternativa sesa dy emrat e partive të mëdha. Votat e të tretëve do jenë test për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.

Qamil Xhani, kryeredaktor i së përditshmes Koha Jonë mendon se në Shqipëri, sidomos në zgjedhjet lokale, ka munguar mundësia e përfaqësimit të elektoratit që nuk e gjen veten në asnjë prej projekteve të partive kryesore. Ndaj dhe kandidimin e të pavarurve e konsideron si një zhvillim pozitiv. Mendoj se kandidaturat plotësojnë mozaikun e një demokracie funksionale, por ndryshimi është vetëm estetik, thotë Xhani për Deutsche Welle-n. “Kjo pasi mundësitë për të fituar nga secili prej kandidaturave janë minimale. Klima politike në Shqipëri nuk është aspak dashamirëse ndaj kandidimeve të pavarura. Mjafton të shikojmë qëndrime që janë mbajtur lidhur me një prej kandidaturave, ajo e Gjergj Bojaxhi, që duket se rrezikon më shumë një prej partive kryesore. Problemi tjetër është se kandidatët nuk po arrijnë të bindin nëse janë në garë, sepse kanë vërtetë diçka për të dhënë për Tiranën, apo zyrat e tyre elektorale janë shtojca të strategjive të partive kryesore”.

Debat elektoral për çështje dytësore

Si risi të zgjedhjeve vendore 2015 prof. asoc. Afrim Krasniqi shikon ndikimin që ka ndarja e re territoriale, e cila ndryshon tërësisht formën dhe cilësinë e fushatës nga kandidatët dhe partitë. Nga ky arsyetim, kandidatët do jenë të detyruar të bëjnë disa fushata njëherësh, në zona rurale, urbane, shpesh me largësi të madhe midis zonave dhe me komunitete e specifika të ndryshme për banorët. “Një dukuri sipas mendimit tim është , se shumica e kandidatëve nuk kanë qenë aspirantë, por janë deleguar nga partitë, ndaj pothuajse asnjë kandidat nuk ka ende një program konkret për njësinë ku kandidon. Në mungesë të programit, debati elektoral po bëhet dhe do vijojë të jetë për cështje dytësore, siç janë retorikat politike, premtimet parimore, kritikat ndaj tjetrit dhe përdorimi i imazhit mediatik për mobilizimin e votuesve. Personalisht pres që pjesëmarrja në votime të jetë e ulët dhe vetë fakti që fushata ka nisur e ashpër rreth një muaj përpara datës zyrtare të nisjes, pres që injorimi i kodit zgjedhor dhe kodit etik ta shoqërojnë gjithë periudhën elektorale”.

Për prof. asoc. Afrim Krasniqi ekziston një problem madhor në këtë fushatë ndarja e re krijon struktura të reja, ndryshon tërësisht funksionimin dhe vendimmarrjen, por zgjedhjet po bëhen pa ndryshuar ligjin organik e për pasojë, kandidatët po bëjnë premtime që në tërësi nuk janë as kompetencë dhe as përgjegjësi e tyre nëse fitojnë.

“Kjo edhe për shkak se palët nuk kanë modele pozitive administrimi. PD kishte Shkodrën por nuk e rikandidoi më, PS kishte Vlorën e Fierin, por dy kryetarët i dërgoi me akuza përpara drejtësisë. Modeli i suksesshëm i dy palëve mbeten bashki si Durrësi, Lezha apo Kamza, të cilat në fakt janë shembuj sesi nuk duhet drejtuar një bashki”.

Përdorimi i imazhit femëror për fushatë

Për prof. asoc. Afrim Krasniqi, rritja e numrit të femrave kandidate është pozitive. Kemi numër rekord kandidatesh për kryetare dhe për herë të parë edhe 50% femra në këshillat bashkiakë, deklaroi ai për Deutsche Welle-n. “Kjo meriton vlerësim. Dallimi nga praktika të tilla pozitive në vende me demokraci cilësore është se tek ne më shumë se aspirante të qarta drejtimi kemi përzgjedhje të figurave imazh, pra përdorimin e imazhit femëror për fushatë, pa ndonjë risi në cilësinë e fushatës dhe të politikës. Merrni Shkodrën si shembull, - liderit politikë të dy palëve treguan mungesë të theksuar respekti për gratë kandidate të palës tjetër, dhe vetë kandidatet ende nuk kanë dhënë shenja qytetarie debati e komunikimi midis tyre siç do të duhej të ndodhte. Gratë kandidate do duhet të dëshmojnë diçka tjetër, - forcën dhe aftësinë e tyre të krijojnë profil politik, të konkurrojnë me ide, të bindin votuesit për aftësi administrative dhe kështu, të krijojmë klimë pozitive për procesin e rritjes së përfaqësimit gjinor në politikë.”

Deri tani sipas tij, është bërë pak në këtë drejtim. Ndaj dhe ky ka qenë defekti kryesor i grave aktuale në parlament, sidomos prurjejeve të reja, dhe “ky duket se do jetë problemi edhe i prurjeve të reja në bashki dhe këshillat bashkiakë”.