1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE: Më shumë se dhjetë përqind për të djathtën ekstreme

27 Prill 2019

Në BE bëhen përgatitjet për zgjedhjet evropiane. Partitë politike bëjnë fushatë dhe përpiqen të fitojnë sa më shumë qytetarë të jetë e mundur. Kjo funksionon mirë në skajin e djathtë, dëshmon një studim.

https://p.dw.com/p/3HWzq
Wahlplakate - Europawahlen
Fotografi: picture-alliance/dpa/Revierfoto

Sfidues, mbresëlënës, të besueshëm, në shumicën e rasteve me një buzëqeshje optimiste në fytyrë, kështu vështrojnë nga posterat qindra kanditatët për zgjedhjet e BE. Pranë njëra- tjetrës e mbi njëra-tjetrën partitë politike kanë ngjitur sloganet e tyre zgjedhore, mbi mure, shtylla dhe skela të ngritura posaҫërisht për to. Për t‘u parë sa më mirë që të jetë e mundur nga të gjithë, megjithatë mesazhet e tyre duket se mezi mbërrijnë.

Gjithnjë e më pak votues mund të identifikohen pozitivisht me partitë politike. Nëse në të kaluarën ka patur votues besnikë ndaj një partie të caktuar, gjë që shpesh shkonte me breza brenda një familjeje, sot ka gjithnjë e më pak qytetarë, që thonë se në ҫdo zgjedhje votojnë „patjetër" për një parti, qoftë në zgjedhjet evropiane, nacionale apo komunale. Ky zhvillim vihet re jo vetëm në Gjermani, por në të gjithë Evropën.

Kundër, por jo pro

Por ajo që shtohet, është refuzimi fare i qartë i partive. Në këtë përfundim arrin një sondazh i fondacionit Bertelsmann, i zhvilluar në dymbëdhjetë vendet më të mëdha të BE. Studimi konstaton një rritje të qendrimit kundër tek evropianët. "Shumë qytetarë nuk zgjedhin më një parti, por votojnë kundër atyre partive, që refuzojnë më së shumti", shpjegon Robert Vehrkamp, bashkëautor dhe studiues i demokracisë në fondacionin Bertelsmann.

Në mesataren e të gjitha partive vetëm gjashtë nga 100 persona me të drejtë vote (6,3%) identifikohen pozitivisht me një parti. Ndërsa një ndër dy persona (rreth 49 përqind) ka një identitet partiak negativ, pra kundërshton krejtësisht një ose disa parti. Atëherë zgjidhet një parti, e cila duket se premton mbrojtjen më të sigurtë nga partitë, fitoren e të cilave votuesit duan ta parandalojnë në ҫdo mënyrë.

E djathta ka dhjetë përqind votues besnikë

Deutschland Berlin Europawahl 2019 | Wahlkampf CDU, CSU, AfD
Fotografi: Reuters/F. Bensch

Interesante janë vlerësimet për refuzimin apo pëlqimin e partive në skajet e politikës. Nga njëra anë partitë ekstreme dhe populiste kanë shifrat më të larta të mospëlqimit, 52%. Në të njëjtën kohë populistët kanë shifra relativisht të larta përsa i përket identifikimit pozitiv me partinë. 10,3 përqind të votuesve të pyetur në dymbëdhjetë vendet evropiane, ku u zhvillua sondazhi, kanë identitet pozitiv partiak lidhur me një parti të djathtë populiste, apo me një parti të djathtë ekstremiste.

Qendra e humbur

Se sa fort janë të rrënjosura këndvështrimet e djathta populiste dhe antidemokratike edhe në popullsinë gjermane, e tregon studimi me titull „Studimi i Qendrës" i fondacionit Friedrich-Ebert. Ai mat në ҫdo dy vjet qëndrimin e gjermanëve ndaj demokracisë dhe pakicave si azilkërkuesit, emigrantët, hebrenjtë, egjiptianët dhe romët, si dhe homoseksualët. Këtë vit ai mban titullin "Qendra e humbur - gjendje armiqësore", sepse bindjet e djathta janë forcuar në mesin e shoqërisë.

Qëndrimet e ashpra ekstreme të djathta sipas studimit, ashtu si edhe në vitet e mëparshme, përfaqësohen vetëm nga një pakicë në Gjermani, 2,4 përqind e të anketuarve. Por shumë të përhapura vazhdojnë të mbeten qëndrimet ksenofobe dhe islamofobe, që janë të përhapura në partitë e djathta populiste.

Populistët polarizojnë në BE

"Partitë populiste në një kohë relativisht të shkurtër kanë arritur të krijojnë një bazë të qëndrueshme votuesish besnikë", konstaton studjuesi Vehrkamp. Por në të njëjtën kohë partitë populiste kundërshtohen nga shumë qytetarë. Këtë qëndrim antipopulist duhet ta shfrytëzojnë partitë proevropiane, për të mobilizuar më shumë votues potencialë, rekomandon shkencëtari.

Për studimin e fondacionit Bertelsmann "Evropa ka për të zgjedhur – Pikëpamjet populiste dhe synimet elektorale në zgjedhjet evropiane të vitit 2019" janë pyetur rreth 24. 000 persona me të drejtë vote në Gjermani, Francë, Greqi, Britani të Madhe, Itali, Hollandë, Austri, Poloni, Suedi, Danimarkë, Spanjë dhe Hungari.

68 përqind e të anketuarve pohuan se duan të votojnë. Në këtë mënyrë do të rritej ndjeshëm pjesëmarrja, që në zgjedhjet e fundit evropiane ka qenë vetëm 42,6 përqind. Nga të anketuarit gjermanë duan të votojnë madje 73 përqind.

Duhet mobilizuar më fort qendra

„Niveli i pjesëmarrjes në zgjedhje do të jetë vendimtar për të ardhmen e Evropës", thotë Aart de Geus, nga kryesia e fondacionit Bertelsmann. Sipas studimit mbështetësit e partive euroskeptike në margjinat politike kanë qenë deri tani më të mobilizuar se sa mbështetësit e qendrës, me sa duket indiferentë ndaj zgjedhjeve. Evropës në parlamentin e ri i nevojiten maxhoranca, që punojnë, porosit de Geus: „Mobilizimi i qendrës kryesisht proevropine është një parakusht i rëndësishëm për këtë."

Nëse margjinat populiste forcohen shumë, konsensi dhe shumicat në të ardhmen do të jenë të mundura vetëm në koalicione të mëdha të partive të etabluara, nga ato socialiste, të së majtës alternative, ekologjiste dhe socialdemokrate deri tek kristiandemokratët dhe konservatorët. Kështu do të debatohej vetëm mes partive të etabluara dhe populistëve, atyre „pro" dhe „kundër" Evropës.

Më shumë debat në këtë ҫështje

Sipas studimit të fondacionit Bertelsman kjo nuk do t‘i pëlqente shumicës së votuesve. Ata duan që në Parlamentin e ri Evropian të trajtohen edhe ҫështje thelbësore si dhe të ketë debat politik ndërmjet partive të majta dhe të djathta.

Nëse njerëzit nuk ndjehen të përfaqësuar sa duhet në diversitetin e interesave dhe pikëpamjeve të tyre, lindin pakënaqësi dhe kritika ndaj demokracisë, thuhet në studim. Prandaj partitë duhet të përpiqen shumë që të përfaqësojnë pozicionet e ndryshme në procesin politik.