1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhje të qeta: Lista Serbe fiton katër komunat në veri

Bekim Shehu
20 Maj 2019

Subjekti politik Lista Serbe që ka mbështetjen e Beogradit, ka fituar në katër komunat në veriun e Kosovës, Mitrovicë të Veriut, Zvecan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

https://p.dw.com/p/3Il7D
Kosovo Wahlkampf Bürgermeisterwahl in Mitrovica
Fotografi: DW/M. Andrić-Rakić

Zgjedhje normale dhe të qeta u zhvilluan të dielën në katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, komuna këto të banuara me shumicë serbe. Në të katër këto komuna sipas Listës Srpska shënoi fitore ky subjekt politik me kandidatët e saj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se mbi 42 %, apo rreth 24 mijë e 600 votues nga rreth 58 mijë të regjistruar morën pjesë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme. Ishin tri subjekte politike që garuan me kandidatët e tyre për kryetar komunash, Lista Serbe që e ka mbështetjen e Beogradit, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. 44 qendra të votimit me gjithsej 87 vendvotime ishin hapur në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe. 464 vëzhgues ishin të akredituar, vëzhgues nga Kosova dhe të huaj. Vëzhgues kishte edhe nga ambasadat në Kosovë dhe OSBE-ja.

Rakiq flet për fitore të popullit serb

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në mesnatë shpalli fitoren e Listës Srpska në katër komunat veriore duke e quajtur "fitore të popullit serb dhe shtetit të Serbisë”. "Shpall fitoren e Listës Serbe, përkatësisht fitoren e popullit serb. Ajo që dua të them në fillim është se bojkoti i opozitës dhe disa kuazi-satelitëve këtu në terren nuk ka pasur sukses. Lista Serbe ka fituar mbi 90 për qind të votave në katër komunat veriore. Unë kam të dhëna jo zyrtare, sipas të cilave në katër komunat veriore Lista Serbe ka fituar 94.24 për qind të votave. Në veri të Mitrovicës kjo përqindje është 90.18, që do të thotë se në raport me zgjedhjet e vitit 2017, 1675 vota më shumë i ka marrë Lista Serbe. Faleminderit shtetit të Serbisë, Marko Gjuriqit, Aleksandar Vuçiqit, Qeverisë së Serbisë, për apelin që i kanë bërë popullit serb për unitet”, tha Goran Rakiq.

Serben aus Nord-Mitrovica protestieren gegen 100 % Zölle die Kosovo auf Serbische und Produkte aus Bosnien und Herzegowina eingeführt hat
Goran Rakiq, në foto gjatë një proteste serbe kundër vendosjes së doganave 100% nga qeveria e KosovësFotografi: DW/J. Djukic-Pejic

Edhe rrjeti i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim, (DNV) që vëzhgoi zgjedhjet në veri, thotë se në bazë të rezultateve paraprake të tyre nga 85% të votave të numëruara nga vëzhguesit e tyre, "Lista Srpska" ashtu edhe siç pritej, ka fituar në katër komunat e Kosovës. 

Mitrovicë e Veriut:

Lista Srpska: Goran Rakiq me (95.2%)

Partia Demokratike e Kosovës: Gonxhe Çaushi (3.1%)

Lëvizja Vetëvendosje: Erden Atiq (1.6%)

Zubin Potok:

"Lista Srpska" Srxhan Vulloviq me (94.1%)

Partia Demokratike e Kosovës: Hysen Mehmeti (3.1%)

Lëvizja Vetëvendosje: Liridona Kahrimani (2.8%)

Leposaviq:

"Lista Srpska": Zoran Todiq (96.4%)

Partia Demokratike e Kosovës: Shaqir Hetemi (2.1%)

Lëvizja Vetëvendosje: Fisnik Veseli (1.5%)

Zveçan:

"Lista Srpska": Vucina Jankovic (96.4%)

Lëvizja Vetëvendosje: Avdi Peci (2.2%)

Partia Demokratike e Kosovës: Ilir Peci (1.4%)

Beogradi zyrtar e mirëpriti fitoren e Listës Serbe në katër komunat në veri të Kosovës. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ky është konfirmimi më i mirë për unitetin politik të serbëve rreth interesave vitale dhe nacionale.

"Njerëzit tonë kanë dëshmuar energji jashtëzakonisht të madhe dhe dëshirën se duan të luftojnë për të ardhmen e tyre dhe një të nesërme më të mirë për fëmijët e tyre. Me këtë fitore nuk do t'i zgjidhim të gjitha problemet tona, por kemi treguar se duam unitet në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe zgjidhjen e përbashkët të tyre. Mendoj se pas të gjitha kërcënimeve nga shqiptarët dhe disa serbë, ky është konfirmimi më i mirë për unitetin politik të luftës për interesat tona vitale dhe nacionale dhe interesat tona më të rëndësishme shtetërore”, tha Aleksandër Vuçiq, që përmes telefonit iu drejtuar serbëve të veriut të Kosovës.

DNV konstaton disa parregullsi

Ndonëse KQZ njofton për një proces të rregullt pa ndonjë parregullsi, rrjeti i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DNV) që kishte vëzhguesit e saj gjithandej komunave të veriut, thotë se ka numëruar disa parregullsi. Në njoftimin e DNV-së, thuhet se në disa raste është votuar me dokumente të Serbisë, kishte votime familjare, raste të votimit jashtë kabinave si dhe tentimet për të votuar më shumë se një herë.

Kosovo Wahlkampf Bürgermeisterwahl in Mitrovica
Fotografi: DW/M. Andrić-Rakić

Policia  e Kosovës që kishte angazhuar mbi 400 policë tha,se nuk u shënua snjë incident që do të rrezikonte procesin e zgjedhjeve. Presidenti i Kosoves, Hashim Thaçi gjatë ditës përgëzoi subjektet politike dhe qytetarët në komunat veriore për siç thotë, "fushatë të qetë zgjedhore dhe proces të rregullt zgjedhor”.

Reagimet nga politika në Prishtinë

"Kosova ka ndërtuar traditë të zgjedhjeve të suksesshme. Zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës po mbahen sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe janë në shërbim të integrimit sa më të mirë të të gjitha komuniteteve në institucionet e Kosovës. Kandidatëve për kryetarë u uroj suksese dhe i ftoj që të vazhdojnë të punojnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve në komunat e tyre”, shkroi në profilin e tij, Presidenti Hashim Thaçi.

Edhe kryeministri iKosovës, Ramush Haradinaj, zgjedhjet në veri icilësoi të rregullta.  Në këto zgjedhje të parakohshme, qytetarët e kësaj ane, dëshmuan pjekuri në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pa ndonjë incident në një proces demokratik, duke votuar për kandidatët që ata besojnë se do i shërbejnë interesave të tyre”, tha kryeministri Haradinaj.

Apostolova:  Zgjedhje transparente, gjithëpërfshirëse dhe të besueshme

Edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova gjatë ditës kërkoi zgjedhje transparente, gjithëpërfshirëse dhe të besueshme. "BE-ja pret që të gjithë aktorët e përfshirë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovës të respektojnë integritetin e procesit zgjedhor. BE-ja thekson rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të rekomandimeve të Misionit Vëzhgues të BE-së nga zgjedhjet e kaluara”, tha Natalya Apostolova.

Kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zvecan, Leposavic dhe Zubin Potok, më 26 nëntor të vitit të shkuar dhanë dorëheqje, në shenjë proteste dhe pakënaqësie për vendosjen e taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë. Pas kësaj Presidenti i Kosovës, shpalli zgjedhje të jashtëzakonshme. Përfaqësuesit serb vendosen serish të marrin pjesë në këto zgjedhje pasi morën edhe miratimin e Beogradit zyrtarë. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se subjekti politik "Srpska”, merr pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, në mënyrë që, siç tha "shqiptarët të mos i udhëheqin komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës”.