Zgjedhje presidenciale në Gjeorgji
9 Nëntor 2007Opozita ka përshëndetur paralajmërimet e presidentit të Gjeorgjisë Mihail Sakashvili që në janar të mbahen zgjedhjet e parakoshme presidenciale. Pas protestave disaditëshe, Sakashvili tha se zgjedhjet presidenciale dhe referendumi për zgjedhjet parlamentare do të mbahen me 5 janar.
Ndërkohë forcat policore kanë vazhduar arrestimin e udhëheqësve opozitarë, me shpjegimin për gjoja lidhje të afërta me shërbimin sekret rus. SHBA kanë kërkuar heqjen e shpejtë të gjendjes së jashtëzakonshme në Gjeorgji. Edhe mediat duhet të punojnë të lira, thuhet në Uashington, pas mbylljes së shumë radiove dhe televizioneve.
Dy ditë më parë policia përdori dhunën ndaj gazetarëve madje edhe ndaj disa korrespodentëve të huaj, ndërkohë që në pjesën e qytetin e vjetër të Tiflisit filluan protestat, filloi një ofensivë e vërtetë sulmi ndaj opozitarëve. Mbi 360 të lënduar është dashur të mjekohen në spitale ditët e fundit deklaruan mjekët. Policia nuk ka përdorur gazin lotsjellës, por një një lloj gazi që shkakton probleme të frymemarrjes dhe pushimin e zemrës. Reagimet e opozitës janë të ashpra. Sakashvili ka treguar fytyrën e vërtetë, thotë opozita. Vëzhguesit politikë mendojnë se fundi i Sakashvilit është i afërt.
Reagime ruse
Mbi trazirat në Gjeorgji ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov deklaroi: "Trazirat që po ndodhin në Gjeorgji janë çështje të brendshme të Gjeorgjisë, megjithatë ne nuk do të jemi indiferentë ndaj zhvillimeve atje. Së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, si dhe me ndihmën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kemi tentuar prej kohësh që të ndikojmë në Tifilis, por gjithmonë jemi refuzuar.".