1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Xhandarmëria serbe e hoqi lapidarin e UÇPMB-së në Preshevë

Bekim Shehu20 Janar 2013

Qeveria e Kosovës heqjen e lapidarit e cilëson një akt të shëmtuar që rrezikon seriozisht procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

https://p.dw.com/p/17NoU
Policia
PoliciaFotografi: Fotolia/wellphoto

Forca të shumta të xhandarmërisë së Serbisë, larguan të dielën në mëngjes, lapidarin e luftëtarëve të rënë të UÇPBM-së, i cili ishte vendosur më herët para kuvendit komunal të komunës në Preshevës. Gjatë largimit të lapidarit nuk u shënua ndonjë incident por situata mbetet e tensionuar. Ky veprim i xhandarmërisë së Serbisë shkaktoi indinjatë tek autoritet e Prishtinës të cilat megjithatë bëjnë thirrje për qetësi.

Indinjatë e thellë në Prishtinë pas largimit të lapidarit në Preshevë


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, në një deklaratë të shkruar për media, thotë se “heqja e përmendores është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale”.

Kosovo Presidentin Afitete Jahjaga
Afitete JahjagaFotografi: DW

“Heqja e përmendores nuk është në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Luginës së Preshevës, të shprehur nëpërmjet institucioneve të kuvendeve komunale, që janë institucione legjitime dhe legale. Kjo tregon mungesën e gatishmërisë që nëpërmjet dialogut të gjendet zgjidhja si një mekanizëm tashmë i dëshmuar demokratik”, thotë presidentja Jahjaga.

Presidentja e Kosovës, bënë thirrje për qetësi dhe për krijimin e një klime të mirëbesimit që do të rivendoste dialogun me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme.

Heqja me forcë e lapidarit, rrezikon dialogun Kosovë-Serbi

E indinjuar me këtë veprim të autoriteteve të Serbisë, shprehet edhe qeveria e Kosovës. Në një deklaratë të shkuar për media nga qeveria e Kosovës thuhet se heqja me forcë e memorialit për luftëtarët e UÇPMB-së në qendër të Preshevës, është një akt i shëmtuar.

“Dështimi i qeverisë së Serbisë që përmes dialogut të gjejë një zgjidhje për vendosjen e memorialit tregon se dialogu ende nuk është pjesë e politikës qeveritare të Serbisë kur janë në pyetje shqiptarët. Ky akt i shëmtuar i Qeverisë së Serbisë e rrezikon seriozisht procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përgjegjësia direkte bie mbi Serbinë”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Prishtina zyrtare thërret për qetësi

Pjestaret e dikurshëm të UÇPMB
Pjestaret e dikurshëm të UÇPMBFotografi: picture-alliance / dpa

Edhe qeveria e Kosovës ju bën thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe qytetarëve të Kosovës që të mos i përgjigjen këtij "provokimi qyqar të Serbisë".

Kuvendi i Kosovës, ndërkaq, vlerëson se autoritetet e Serbisë po vazhdojnë të jenë, siç thuhet, “prodhues i destabilitetit në rajon, nxitës i konflikteve dhe urrejteve ndërmjet kombeve”.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se “ky veprim qyqar i Beogradit, dëshmon edhe njëherë se pushteti aktual i Serbisë nuk ka ndryshuar asgjë nga logjika dhe veprimet e pushtetit të Sllobodan Milosheviqit”.

Edhe përfaqësuesit e subjeketeve politike opozitare në Kosovë e kanë cilësuar një akt të shëmtuar heqjen e lapidarit të UÇPMB-së, në luginë të Preshevës. Megjithatë pas situatës së krijuar, ata bëjnë thirrje për gjakftohtësi, në mënyrë që shqiptarët siç thonë të mos bien pre e provokimeve të Beogradit.

Mediat në Serbi ndërkaq, shkruajnë se kryeministri serb Ivica Daçiq, ka deklaruar se pas skadimit të të gjitha afateve ligjore, me urdhër të ministrisë së Drejtësisë, pjesëtarët e xhandarmërisë "e kanë hequr lapidarin e vendosur në mënyrë jolegale në Preshevë".

"Serbia ka treguar durim të mjaftueshëm por edhe ka dërguar mesazh të fuqishëm se ligji duhet të respektohet dhe se askush nuk është më i fortë se shteti”, ka thënë Daçiq për mediat serbe.