Westerwelle: Çfarëdo afati nga Pheniani është i papranueshëm
8 Prill 2013Pas paralajmërimit, që u bëri Koreja e Veriut ambasadorëve të vendeve të ndryshme, ndër ta edhe të Kinës dhe të Gjermanisë për rreziqe të mundshme dhe se pas 10 prillit nuk mund të garantojë më për sigurinë e ambasadave, ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle iu drejtua krerëve të Phenianit me një mesazh të qartë. "Çfarëdo afati, pas përfundimit të së cilit Koreja e Veriut nuk do të garantojë më sigurinë e ambasadave, është i papranueshëm. Për këtë ka rregulla të qarta të së drejtës ndërkombëtare, që janë të detyrueshme edhe për Korenë e Veriut." - tha ministri Westerwelle. "Nxitja e tensioneve prej Koresë së Veriut është e papërgjegjshme dhe një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë në rajon." - deklaroi ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle.
Sipas drejtuesit të programit humanitar Welthungerhilfe për Korenë e Veriut, Gerhard Uhrmacher, Ministria e Jashtme në Phenian u ka rekomanduar edhe organizatave humanitare ndërkombëtare që të largohen nga vendi. Gerhard Uhrmacher i tha Agjencisë Gjermane të Lajmeve dpa se organizata e tij e ka kufizuar ndërkohë punën e saj, por një herë për një herë do të vazhdojë megjithatë të qëndrojë në Korenë e Veriut, sikurse edhe ambasadat e huaja dhe stafi i tyre.
Shqetësime serioze edhe nga Kina
Edhe Kina shprehu "shqetësime serioze" në lidhje me shkallëzimin e mëtejshëm të krizës koreane dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të angazhohen për dialog. Po ashtu sipas Ministrisë së Jashtme kineze Kina i ka kërkuar Koresë së Veriut të mbrojë sigurinë dhe interesat e shtetasve kinezë dhe kompanive kineze në këtë vend.
Kriza koreane është gjithashtu temë e një forumi ekonomik ndërkombëtar në Boao Hainan. në Kinën jugore. Në fjalimin e tij presidenti kinez Xi Jinping tha "Asnjë vend në rajonin e Azisë, apo madje në gjithë botën nuk duhet të shkaktojë kaos vetëm për të luajtur një lojë egoiste". Këto fjalë mund të kuptohen edhe si një mesazh në drejtim të Koresë së Veriut, edhe pse tradicionalisht Kina është aleate e afërt e koreanoveriorëve.
Japonia përgatitet për ndonjë sulm
Japonia është duke u përgatitur ndërkohë për ndonjë sulm të mundshëm ne raketë me rreze të mesme veprimi nga Korea e Veriut. Ministër i Mbrojtjes Itsunori Onodera tha se së shpejti do të udhëzojë ushtrinë për të marrë masa për të kapur një raketë të tillë, njoftoi të dielën (07.04) Agjencia japoneze e Lajmeve Kyodo. Japonia ka interceptorë detarë për mbrojtjen ndaj sulmeve të mundshme me raketa.
Sipas informacioneve të Koresë së Jugut ushtria koreanoveriore kishte dislokuar në bregun lindor të vendit një raketë të dytë me rreze të mesme. Këto raketat kanë një rreze deri në 4.000 kilometra dhe mund të arrijnë Korenë e Jugut, Japoninë apo një bazë ushtarake amerikane në ishullin Guam në Oqeanin Paqësor.
SHBA - Korea e Jugut: Shtyrje takimesh dhe provash me raketa
Për shkak të tensioneve në gadishullin korean, Korea e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara e shtynë edhe një takim ushtarak të planifikuar për 16 prill në Uashington. Një zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut i tha agjencisë së lajmeve AFP se vendimi për shtyrjen e takimit është bërë me kërkesën e Seulit "për shkak të gjendjes së veçantë aktuale të sektorin e mbrojtjes kombëtare."
Edhe SHBA e shtynë deri në maj një provë me një raketë balistike ndërkontinentale të planifikuar për t'u zhvilluar javën e ardhshme në shtetin amerikan të Kalifornisë. Një zyrtar i Pentagonit i tha AFP-së se shtyrjen e kishte urdhëruar sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel. Arsyeja ishte frika se ky test "mund të interpretohet gabimisht si një shenjë se ne duam të përkeqësojmë krizën e tanishme me Korenë e Veriut." Koreja e Veriut ka bërë javët e fundit një sërë kërcënimesh për goditje ushtarake sidomos kundër SHBA dhe Koresë së Jugut.