270811 Libyen Versorgungsengpass
28 Gusht 2011Ne e kemi nën kontroll kryeqytetin, tha një komandant i kryengritësve në Tripoli. Gjashtë ditë pas marshimit të kryengritësve, në qytet ishte me të vërtetë në pjesën më të madhe qetësi. Edhe një lagje e qytetit, prej së cilës ushtarët e Gaddafi-t goditën ditët e shkuara aeroportin e qytetit, tani u mor nga kryengritësit.
Gjendja e furnizimit të qytetit është edhe më tej e keqe. Ushqime, uji i pishëm dhe benzina janë pakësuar. Pak para festës për fundin e muajit islamik të agjërimit Ramazan në mes të javës, ky nuk është lajm i mirë për banorët, si për këtë grua:
"Neve na nevojitet diçka për të ngrënë dhe siguri dhe ne po përgatitemi për festën, më shumë nuk duam, nuk duam probleme."
Spitaleve u mungojnë medikamente e mjekë
Ka periudha kohe kur ndërpritet energjia elektrike, naftë për gjeneratorë është shumë e vështirë të gjesh. Kryetari i Këshillit Tranzitor të kryengritësve bëri të ditur tani se do të vihen së shpejti në dispozicion 30.000 tonë benzinë, veç kësaj do të vazhdojë furnizimi me naftë për të garantuar vazhdimin e furnizimit me ujë në qytet.
Kryqi i Kuq është i shqetësuar për gjendjen e keqe në spitalet e qytetit. Robin Waudo, zëdhënës i organizatës:
"Spitaleve u nevojiten urgjentisht medikamente dhe materiale për operacione, infuzione dhe pajisje të tjera. Ka probleme, sepse për shkak të gjendjes së vështirë të sigurisë ka shumë pak personel mjekësor në dispozicion. Në afërsi të zonave të luftimit mungojnë punonjës spitalesh."
Suksese ushtarake kryengritësit njoftojnë nga Perëndimi i vendit. Trupat e Gaddafi-t janë tërhequr nga kalimi i rëndësishëm kufitar për në Tunizi Ras Axhir. Përmes këtij kalimi kufitar tani futen në Libi ndihmat që janë urgjentisht të nevojshme. Në tërheqje e sipër, ushtarët besnikë ndaj Gaddafi-t u kanë vënë flakën puseve të naftës pranë As Sidra, 150 km në Lindje të Sirtes. Në këtë rajon po dërgohen edhe më tej trupa kryengritëse, pasi dështuan përpjekjet e Këshillit Tranzitor të Kryengritësve për një armëpushim. Natoja konfirmoi ditët e shkuara sulme kundër synimeve strategjike të qytetit.
Autor: Michael Ehl
Redaktoi: Auron Dodi