1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vuçiç fyen Kurtin dhe kërcënon se s'do të shkojë në Tiranë

4 Dhjetor 2022

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç kërcënon se nuk do të shkojë në Tiranë në samitin Bashkimi Evropian - Ballkani Perëndimor. Arsye për pakënaqësinë në Beograd është reagimi i vakët i BE-së.

https://p.dw.com/p/4KRtc
Serbien Belgrad | Pressekonferenz: Aleksandar Vucic und Oliver Varhelyi
Presidenti serb Vuçiç fyen Albin Kurtin dhe kërcënon se nuk do të shkojë në takimin e TiranësFotografi: Milos Miskov/AA/picture alliance

Vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të emëruar Nenad Rashiçin si ministër për Komunitetet në qeverinë e tij, dhe Rada Trajkoviçin si zëvendësen e tij, ka shkaktuar një reagim deri tani të paparë të presidentit të Serbisë.

Me një ton të ashpër të pazakontë Aleksandar Vuçiç e ka quajtur kryeministrin e Kosovës "llum terrorist", duke u shprehur „se kanë zgjedhur llumin më të keq serb nga fundi i koshit që nuk kanë kurrfarë besimi në Serbi, por që kanë besimin e Kurtit dhe të agjenturave perëndimore".

Kësaj ai i shtoi edhe paralajmërimin se nuk do të shkojë në samitin e paralajmëruar të 6 dhjetorit. Rada Trajkoviç, duke reaguar ndaj këtyre akuzave, tha se "e kupton Vuçiçin si pacient, por nuk e kupton si presient të Serbisë".

Serbien Belgrad | Pressekonferenz: Aleksandar Vucic und Oliver Varhelyi
Aleksandar Vuçiç dhe komisioneri i BE për zgjerim Oliver Varhelyi Fotografi: Milos Miskov/AA/picture alliance

Aleksandar Vuçiç përsëriti pas takimit me komisionerin e BE për zgjerim Oliver Varhelyi se u përmbahet vlerësimeve të tij për Rashiçin dhe Rada Trajkoviçin, por shtoi se ditët në vijim do të vendosë për pjesëmarrjen në samitin në Tiranë. Beogradi është i pakënaqur edhe me reagimin e BE, i cili sipas zyrtarëve serbë është tepër i vakët.

Atmosferë negative në rajon

Presidenti i Serbisë e shfrytëzoi këtë rast për të shprehur pakënaqësinë me sjelljen e Prishtinës ndaj komunitetit serb, thekson për DW, Igor Novakoviç, drejtor i kërkimeve të fondit ISAC.

"Mendoj se nuk është një mesazh, që ka të bëjë me procesin e bashkëpunimit rajonal, por është mbi të gjitha një mesazh për BE-në dhe qeverinë e Albin Kurtit".

Igor Novakoviç mendon "se shfrytëzimi i samitit rajonal si platformë për të dërguar ndonjë mesazh është i keq". Bashkëpunimi rajonal është interesi i të gjithë të interesuarve, e këtu është fjala për raportin e ndërsjelltë mes Beogradit dhe Prishtinës. Kështu që nuk shoh pasoja të mëdha, nëse Serbia eventualisht nuk merr pjesë në këtë samit, por është e mundur që të lërë pas një atmosferë negative mes vetë pjesëmarrësve në procesin e bashkëpunimit rajonal", shton Novakoviç.

Histori e interpretuar keq

Reagimi i Aleksandër Vuçiçit do të ishte shumë më efikas, në rast se pozicioni i Serbisë do të kishte qenë disi më i mirë, thotë për DW Aleksandar Popov, drejtori Qendrës për Rajonalizmin. 

"Pozicioni i Serbisë nuk është i tillë, plus ajo përformancë me fjalor të papërshtatshëm dhe e gjitha kjo çoi në një vendim të nxituar për të mos shkuar në Tiranë. E gjithë kjo histori është e luajtur keq dhe mendoj se nuk i shërben pozicionit të Serbisë në BE". Por unë megjithatë mendoj, vazhdon Popov, "se pas një sulmi të tillë do të ketë tërheqje, dhe se në fund ai do të shkojë në Tiranë. Gjithsesi emocionet nuk janë aleat i mirë dhe duhet të mendojmë mirë, se sa hapësirë kemi për të bërë një hap prapa e për të rrezikuar procesin e integrimeve evropiane," thotë Popov.

A është shkatërruar monopoli i Listës Serbe?

Rada Trajković vendosjen e saj në funksionin e ri në qeverinë e Kosovës e ka vlerësuar si lajm të mirë, pasi sipas saj "kjo do të thotë se Milan Radoiçiç nuk do të ketë asnjë ndikim në atë që ndodh, dhe se në këtë mënyrë do të thyhet monopoli i Listës Serbe për promovimin mendor të serbëve".

Rada Trajkovic
Rada Trajkoviç: "E kuptoj Vuçiçin si pacient, por nuk e kuptoj si presient të Serbisë".Fotografi: DW

Igor Novaković mendon se kjo nuk është e sigurtë deri në fund, "sepse Nenad Rashiç dhe Rada Trajkoviç janë subjekte politike që kanë marrë shumë pak vota në votime dhe nuk kanë legjitimitet politik. Megjithatë ajo që është e mundur në këtë moment, është një lloj fillimi i ndarjes në kuadrin e vetë bashkësisë serbe në Kosovë, pra që serbët që jetojnë në jug do të pranojnë modalitete të bashkëpunimit me qeverinë e Kurtit, ndërsa serbët në veri do të jenë mbështetës ndaj qendrimit të qeverisë në Beograd", thekson Novaković.

Përvoja ime nga terreni thotë se serbët e jugut do të donin më shumë pluralizëm dhe mundësi për të zgjedhur, tërheq vëmendjen Aleksandar Popov. "Ata shpesh thonë se disa lëvizje të Beogradit u bien në kokë, sepse duhet pasur kujdes edhe për serbët në enklava. Po ta shohim nga ana legjitime, Kurti mund të kishte marrë në qeverinë e tij këdo, por problemi është që vetë Kurti ka bërë mjaft lëvizje kontraproduktive kohët e fundit, të cilat faktikisht e kanë ndërprerë procesin e bisedimve", thotë Popov.

(Pa)mundësi kompromisi

Kur është fjala për vazhdimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, edhe ky episod e rrezikon më tej procesin. Në të njëjtën kohë përfaqësuesit e BE-së dërgojnë mesazhe optimiste se si ndonjë lloj marrëveshjeje do të mund të arrihej në pranverën e vitit të ardhshëm, por Igor Novakoviç vlerëson se "edhe pse nga Brukseli përhapet optimizëm më duket se situata mes dy palëve është aq e nxehtë, saqë do të jetë e vështirë të arrihet një kompromis i caktuar".

Një pjesë të fajit për ngecjen e dialogut mban edhe perëndimi, shton Aleksandar Popov, i cili vëren "se nuk ka sa duhet sinkronizim mes Uashingtonit dhe Brukselit. Gjatë krizës rreth targave çdo gjë është zgjidhur me një telefonatë nga Uashingtoni, dhe kjo në një farë mënyre ka qenë poshtërim i BE. Kjo pastaj ka hapur hapësirë për kalkulime të ndryshme dhe mendoj se do të kishte shkuar shumë më mirë, nëse nuk do të kishte pasur favorizim të një pale", përfundon drejtori i Qendrës për Rajonalizmin.