1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vota anti Trump nuk cënon marrëdhëniet SHBA - Shqipëri

23 Dhjetor 2017

Vota e Shqipërisë në OKB kundër rezolutës amerikane ka trazuar politikën shqiptare. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta theksoi se vota e qeverisë nuk pasqyron qëndrim shtetëror.

https://p.dw.com/p/2psU5
Albanien Tirana Ilir Meta
Fotografi: Reuters/F. Goga

Shqipëria iu bashkua 128 vendeve  anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, (OKB) që të enjten (20.12.2017) votuan në Asamblenë e Përgjithshme të OKB pro një Rezolute jo detyruese, që i bën thirrje presidentit Trump të tërheqë vendimin e tij për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe transferojë atje ambasadën e SHBA. Por vota pro e Shqipërisë është kundërshtuar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe opozita. Kreu i shtetit i ka dërguar të premten, (22.12.2017) një letër presidentit amerikan  Trump, ku shpreh keqardhjen për votën e Shqipërisë në favor të rezolutës.

”Kjo votë nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar dhe është dhënë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit dhe Parlamentit. Ky qëndrim  i qeverisë bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesat tona kombëtare”, vë në dukje Presidenti Meta në letrën drejtuar Presidentit Trump.

Berlin, Bundestag Lulzim Basha
Fotografi: DW/Auron Dodi

Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi, e komentoi si "votë tërësisht të panevojshme, që nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim dhe konsensus ndërkombëtar.”

Edhe opozita kundërshton votën pro rezolutës të qeverisë Rama. Kryetari i saj, Lulzim Basha e cilëson një vote ”kundër interesit kombëtar të shqiptarëve dhe të ndryshme nga qëndrimi që  Shqipëria ka konsoliduar në 27 vite për ҫështjet e Lindjes së Mesme. Për herë të parë Shqipëria rreshtohet me qëndrimin e shumicës së vendeve të BE, që është një qëndrim i gabuar,” bëjnë me dije burime zyrtare nga PD opinionin e Bashës. Domosdoshmërinë e një qëndrimi jo anti Trump Basha e argumenton citoj ”SHBA janë aleat strategjik për Shqipërinë. Pa SHBA, Kosova nuk do të ishte sot as e lirë, as e pavarur. Pa SHBA, Shqipëria nuk do të ishte anëtare e NATOs”.

Vota pro Rezolutës - qëndrim koherent, në linjë me BE

Por Ministria për Europën dhe Politikën e Jashtme e quan votën pro Rezolutës një qëndrim të drejtë. "Vota e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB reflekton pozicionin e saj të pandryshuar për këtë ҫështje. Qëndrimi i Shqipërisë për çështjen Izrael-Palestinë mbetet i pandryshuar prej vitit 1990. Shqipëria i është përmbajtutr konsensusit mbi Jeruzalemin, bazuar në  një numër të konsiderueshëm dokumentash të OKB, përfshirë edhe një numër të Rezolutave të Këshillit të Sigurimit. Ajo i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE, duke i qëndruar koherente qëndrimit  të saj në të njëjtën linjë me atë të BE”, theksohet në një njoftim për shtyp të kësaj ministrie.

A do të cënojë vota marrëdhëniet SHBA-Shqipëri?

Edhe pse rezoluta anti Trump mori votën pro të 128 vendeve, që përbëjnë një shumicë dërrmuese në OKB, SHBA e bllokuan rezoluten me anë të së drejtës së vetos. Kjo në Shqipëri ka përforcuar shqetësimin ndaj paralajmërimit të SHBA, "se do t'iu ndërpresë mbështetjen financiare vendeve që i dolën kundër"”. Ekspertë vendas dhe të huaj të politikës së jashtme dhe të marrdhënieve mes dy vendeve mendojnë që këto marrëdhënie nuk do të cënohen. Për Ferit Hoxhën, ish-ambasador i Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara marrëdhëniet Shqipëri-SHBA mbeten solide dhe vota pro rikonfirmon votën e mëparshme lidhur me një "konsensus ndërkombëtar që përcakton konturet e konsensusit të paqes”.

UN-Sicherheitsrat in New York zu Situation in Nahost
Fotografi: Reuters/B. McDermid

Janosz Bugajski, ekspert në CEPA (Center for European Policy Analysis) në Washington DC, i njohur në Shqipëri për emisionin e tij "Bugajski Hour”në kanalin televiziv local ”Albanian Screen”, është skeptik ndaj pasojave të mundshme negative që mund të kenë vendet që votuan pro rezolutës anti Trump. Sipas tij deklaratat amerikane janë "më shumë një paralajmërim sesa një kërcënim, SHBA mund të shkurtojnë kontributin e tyre financiar ndaj OKB në tërësi por jo në marrëdhëniet dypalëshe. Këto marrdhënie shqyrtohen në bazë të meritës dhe jo të një vote në OKB”.

Opozita mendon se pikërisht kjo votë do të ketë pasoja negative për Shqipërinë në marrëdhëniet e saj me aleatin strategjik, duke e cilësuar votën anti Trump si shprehje të  qëndrimit anti-amerikan të qeverisë Rama. Besnik Mustafaj, ish deputet i PD, ish ministër i Jashtëm e quan "naiv” qëndrimin e deputetëve të sotëm demokratë, pasi vetë PD kur erdhi në pushtet vendosi që votimi i Shqipërisë në OKB të jetë në përputhje dhe konsensual me qëndrimin e BE.

Izraeli e konsideron Jeruzalemin si kryeqytetin e tij të përjetshëm. Palestinezët kërkojnë që Jerusalemi Lindor, të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm. Vendimi i Trump që Jeruzalemi të jetë kryeqytet i Izraelit u publikua në fillim të këtij muaji, më 6 dhjetor. Të gjitha ambasadat e huaja i kanë selitë e tyre në Tel Aviv. SHBA deklaruan se po marrin masa që Ambasada e SHBA në Izrael ta ketë selinë e saj në Jeruzalem. Rezoluta anti Trump, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, kërkon t'u presë hovin shteteve që të transferojnë misionet e tyre diplomatike nga Tel Aviv ne Jeruzalem.”Çdo vendim që ndryshon karakterin, statusin ose përbërjen demografike të Jeruzalemit nuk duhet të ketë asnjë efekt ligjor, është i pavlefshëm, dhe duhet të shfuqizohet në përputhje me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit”, thekson kjo rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana