1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vlahutin: Shqipëria mund  të bëhet vend pararendës në rajon

6 Shkurt 2018

Strategjia e re e Komisionit të BE për zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor: Serbia e Mali i Zi mund të pranohen në 2025. Sipas ambasadores së BE:Shqipëria mund të ecë shpejt e t’u bashkohet vendeve pararendëse.

https://p.dw.com/p/2sDUl
AL- EU Botschafterin in Albanien, Romana Vlahutin
Fotografi: DW/A. Ruci

" Ju jeni pjesë e familjes Europiane. Me këtë mesazh politik Komisioni Europian i është drejtuar gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP) kur ka prezantuar të martën (6.02) strategjinë e tij  të  re për "Një perspektivë të besueshme  zgjerimi dhe rritjen e angazhimit të BE me Ballkanin Perëndimor” (BP). Transmetimi i drejtëpërdrejtë i prezantimit të saj në Parlamentin Europian, në Strasburg, u ndoq nga mediat në Qendrën e Informimit të Bashkimit Europian (BE) në Tiranë . Në njoftimin për shtyp të KE, të mundësuar  për mediat nga Delegacioni i BE në Tiranë citohet Presidenti i KE, Juncker të ketë thënë se "strategjia përcakton përparësitë në fushat e bashkëpunimit të përbashkët , të përforcuar dhe sfidat specifike me të cilat përballet BP, sidomos nevojën për reforma themelore dhe marrdhënie të fqinjësisë së mirë”.

Ndërsa Përfaqësueja e Lartë e BE për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, zv. Presidentja e KE, Federica Mogherini citohet të ketë thëne se "Strategjia tregon udhën përpara: që të 6 vendet e BP të kapërcejnë një herë dhe përgjithmonë të kaluarën, të gjithë së bashku ta bëjme procesin e BP drejt BE-së të pakthyeshëm dhe të vazhdojmë ribashkimin e kontinentit”.  Strategjia pasqyron gjithashtu vëmendjen e ripërtërirë të BE-së në rajon, pasi Rusia dhe Turqia po rrisin ndikimin e tyre në një situatë kur BE është i shqetësuar nga kthime pas të demokracisë në vendet e BP. Ndërkohë që strategjia kërkon të ndërgjegjësojë gjashtë vendet e BP se BE është është partneri kyҫ, donatori dhe investitori më i madh në rajon.

Serbia dhe Mali i Zi, dy vendet që kanë filluar negociatat e anëtarësimit - Mali i Zi në 2012, Serbi a në 2014 - mund të anëtarësohen në BE në vitin 2025 bën me dije KE, ndërkohë që kërkon që BE të bëhet e besueshme  dhe të rrisë angazhimin e tij në BP pas viteve të krizës ekonomike dhe lodhjes nga zgjerimi.

Por KE paralajmëroi të gjitha vendet e BP që shpresojnë të anëtarësohen në BE se "asnjë prej tyre nuk do të ftohet derisa të zgjidhë mosmarrveshjet me fqinjët”.

Nisma që do rrisin angazhimin e BE dhe 1.07 miliard euro vetëm për 2018

Në qëndër të strategjisë së re të KE është domosdoshmëria për reforma të pakthyershme: "përmes një procesi objektiv dhe të bazuar në merita dhe rezultate konkrete të arritura nga ҫdo vend në mënyrë individuale." Strategjia përmban gjashtë nisma kryesore të BE në mbështetje të përpjekjeve për transformim të BP si ajo për forcimin e shtetit ligjor, përforcimin e bashkëpunimit për sigurinë dhe migrimin, ekipe të përbashkëta hetimore dhe roje europiane kufitare dhe bregdetare, ulja e tarifave të roaming  dhe futja e internetit me shpejtësi të lartë në rajon. Strategjia vë në dukje gjithahtu nevojën e  BE që të jetë " i përgatitur për të mirëpritur anëtarët e rinj , pasi të kenë përmbushur kriteret”. Ajo përmban propozimin  e KE për të rritur gradualisht fondet, që do të mbështesin transformimin e BP  dhe një tranzicion të qetë drejt anëtarësimit. Vetëm për këtë vit janë parashikuar 1.07 miliardë euro asistencë për BP krahas 9 miliardë eurove në periudhën 2007-2017.  Në konteksin e përgatitjes së BE për të mirëpritur anëtarët e rinj KE kërkon që të lidhen marrëveshje të veçanta për të siguruar që shtetet e reja anëtare të mos jenë në gjendje të bllokojnë pranimin e vendeve të tjera kandidate nga BP.

Vlahutin: Shqipëria mund  të bëhet një vend pararendës në rajon

Strategjia e re thekson se KE i vlerëson në mënyrë rigoroze, të paanshme dhe objektive gjasht vendet e BP në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Në bazë të vlerësimit janë meritat e secilit vend dhe shpejtësia me të cilën arrihet progres. "Shqipëria dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë po bëjnë progres të rëndësishëm në rrugën e tyre europiane. KE është i gatshëm të përgatisë rekomandimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit në bazë të përmbushjes së kushteve”,  thekson njoftimi  përshtyp i KE.

Në konferencën për shtyp (06.02), Kreu i Delegacionit  të BE në Shqipëri, Ambasadorja  Romana Vlahutin tha, se Shqipëtia " ka punuar shumë , paraprakisht me kapitujt 23 dhe 24 të negociatave të anëtarësimit dhe në këtë mënyrë Shqipëria ka "blerë kohë” për të ecur shpejt kur ato të hapen duke patur mundësi të bëhet një vend pararendës në BP”. Vlahutin theksoi se nuk mund të ecet përpara dhe të mbyllet asnjë nga kapitujt e negociatave të anëtarësimit, nëse dy kapitujt më tërëndësishëm ndër 35 kapitujt e negociatave, kapitulli 23 ( Gjyqësori dhe të drejtat themelore) dhe kapitulli 24 (Drejtësia, Liritë dhe Siguria) nuk janë mbyllur.  

"Shqipëria ka një perspektivë reale, të menjëhershme për të ecur përpara dhe  hapur negociatat e pranimit. Procesi nuk vendos ndonjë limit artificial të shpejtësisë në progresin e vendeve: sa më shumë reforma të implementohen, aq më shpejt arrihet qëllimi. Shqipëria bëri një gjë shumë të zgjuar duke punuar për kapitujt 23 dhe 24 dhe Reformës shumë të plotë të Drejtësisë”, theksoi sot Vlahutin.

KE i jep një vlerësim të posaҁëm Shqipërisë për  procesin e vettingut që pritet të japë rezultatet e para këtë muaj. Ambasadorja Vlahutin u bëri thirrje të gjitha palëve në Shqipëri "të punojmë së bashku për ta bërë jetën e përditshme të çdo qytetari shqiptar më të sigurt, më të mirë dhe më të begatë.”.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana