1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Osmani në Tiranë: Nuk duhet lejuar destabilizimi i Ballkanit

4 Shtator 2023

Në vizitën e saj të parë zyrtare në Tiranë, Presidentja e Kosovës u takua me homologun e saj nga Shqipëria, Bajram Begaj, dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

https://p.dw.com/p/4Vx32
Bajram Begaj dhe Vjosa Osmani duke parakaluar mbi tapetin e kuq.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë paradës ushtarake me rasti e vizitsë së parë zyrtare të saj në Tiranë, më 4 shtator 2023. Fotografi: Albania Presidency, Press Office

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi në Tiranë se Serbia synon të destabilizojë Ballkanin Perëndimor, (BP) përmes një plani të tillë që ajo e përshkroi si ai që „përdori RusiaUkrainë në 2014 -ën".  Osmani e akuzoi Serbinë se „po fut në mënyrë ilegale armë në Kosovë për të krijuar probleme."

Me ftesë të Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, ajo nisi të hënën, (04.09), një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin Begaj, të mbajtur ditën e parë të vizitës, Presidentja Osmani u bëri thirrje shteteve demokratike të rajonit „të mos lejojnë që ky plan të zbatohet". Ajo e cilësoi planin në fjalë, "plan të Putinit". 

„Serbia po fut armë në mënyrë ilegale në veri të Kosovës. I terrorizon dhe intimidon qytetarët në veri. Kjo është sfidë për Rajonin. Nuk duhet të lejojmë që plani i Putinit të zbatohet nga Vuçiçi në Ballkan”, theksoi Presidentja Osmani në Tiranë.  Ajo solli në vëmendje sesi nisi konflikti në Donbas ndërmjet separatistëve të mbështetur nga Rusia me forcat ukrainase dhe sesi u aneksua Krimeja nga Moska.

Në këtë kontekst ajo tha që "acarimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk e ka burimin nga situata në Veri të Kosovës por nga Serbia.

"Është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës. Nuk ka javë që dikush nga Serbia të mos gjuaje me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Kosovës. Duke zbatuar kështu me përpikëri planin që presidenti rus, Putin zbatoi në 2014-ën kundër Ukrainës. Vuçiç dhe Serbia po synojnë ta destabilizojnë të gjithë BP” tha ajo në konferencën e përbashkët për shtyp.

Osmani me fustan të kuq në të majtë pas një pulti dhe përpara flamurit të Kosovës.  Në të djathtë  është Begaj me kostum blu, këmishë të bardhë dhe kravatë të kuqe, pas një pulti  konference me stemën e presidencës dhe në sfond një bust të Skënderbeut ngjyrë ari dhe flamurin e Shqipërisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në konferencë shtypi me presidentin e Shqiërisë Bajram BegajFotografi: Albania Presidency, Press Office

Presidentja e Kosovës, Osmani theksoi se qëllimi i destabilizimit të BP është "atakimi i vlerave dhe i sistemit të vlerave mbi të cilët qëndrojnë BE dhe NATO”.

Presidenti Begaj: Shqipëria dhe Kosova - faktorë stabiliteti në rajon.

Presidenti Begaj i cilësoi "strategjike marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës. "Karakteri strategjik i marrëdhënieve midis dy shteteve tona, është me rëndësi të patjetërsueshme dhe me një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike të gjithë rajonit, ” theksoi ai në konferencën e përbashkët për shtyp.

Ai vuri në dukje që "në kuadër të bashkëpunimit rajonal Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të mbeten vende kontribuuese të rëndësishme, për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm”.

Lidhur me situatën në veri të Kosovës Presidenti Begaj theksoi se "duhet një koordinim  më i ngushtë dhe më i mirë me partnerët tanë kryesorë, SHBA dhe BE.”

"Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur fuqishëm nga SHBA është rruga e vetme drejt paqes, normalizimit të marrëdhënieve dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, përfshi OKB” tha ai.

Vjosa Osmani me fustan të kuq në të majtë dhe Edi Rama me kostum blu dhe kravatë të larme përpara flamuri të Kosovës, Shqipërisë dhe BE-së.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke i dhënë dorën njëri-tjetrit, në Tiranë, më 4 shtator 2023. Fotografi: Albania Premiership, Press Office

Aspirata e përbashkët për anëtarësim në BE

Në ditën e parë të vizitës në Shqipëri, presidentja e Kosovës, Osmani, zhvilloi një bisedë kokë më kokë, pa praninë e mediave, me kryeministrin Edi Rama

"Kemi diskutuar rreth aspiratës së përbashkët europiane të Kosovës dhe Shqipërisë,” theksoi Presidentja Osmani median sociale. Kryeministri Rama e cilësoi bisedën me Presidenten Osmani " për të tashmen dhe të ardhmen e marrëdhënies së patjetërsueshme Kosovë-Shqipëri.”

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana