2015: Terror në Europë
23 Dhjetor 2015Viti 2015 filloi ashtu si përfundoi: me sulme terroriste në Paris. Në janar qenë në shënjestër revista satirike Charlie Hebdo dhe një supermarkt hebre. 17 vetë humbën jetën. Në nëntor terroristët islamikë vranë 130 vetë në zemër të Parisit dhe në Stade de France. Franca dhe e gjithë Europa reagon e shokuar. Në janar presidenti francez, Francois Holande, foli për një barbari monstruoze, tani në fund të vitit ai e sheh kombin në luftë kundër "Shtetit Islamik" në dukje gjithnjë e më i fuqishëm, që vepron në Siri, Irak dhe Afrikën e Veriut. "Ajo që ka ndodhur dje në Paris dhe në Stade de France, është një akt lufte", tha Hollande më 14 nëntor. "Në luftë kombi tani duhet të marrë vendimet e duhura. Akti luftarak u krye nga një ushtri terroriste e islamistëve të 'Daesh', kundër Francës dhe kundër vlerave, që ne mbrojmë në të gjithë botën, kundër çdo vendi të lirë."
Forcohen sulmet kundër "IS"
Politikanët evropianë dhe udhëheqësit e vendeve të G20, që u mblodhën në Turqi menjëherë pas sulmeve terroriste në Paris, premtuan solidaritet dhe ndihmë. Meqë si Turqia dhe Rusia ishin viktima të sulmeve shkatërruese të islamistëve, pas vitit të terrorit në fundin e tij u krijua një koalicion i vështirë të mendohej më parë, i cili do të veprojë bashkarisht kundër "Shtetit Islamik". Megjithatë lufta në Siri vazhdon të shkretojë gjithçka përreth. Ka disa hapa fillestarë për të negociuar një zgjidhje politike, por megjithë luftën kundër ushtrisë terroriste të "Shtetit Islamik" Shtetet e Bashkuara, Rusia, Arabia Saudite, Irani, Franca dhe Turqia ndjekin në rajon synime krejtësisht të ndryshme.
Gjermania pjesëmarrëse në luftë
Rreziku u bë i dukshëm pas goditjes së avionit rus nga aviacioni turk. Raportet e Turqisë dhe Rusisë janë ngrirë, por përshkallëzimi i mëtejshëm u pengua. Për Gjermaninë dhe aleatët e tjerë evropianë si Britania e Madhe apo Danimarka kjo do të thotë solidaritetin ta kthejnë në vepra. Këto shtete vënë në dispozicion forcat ajrore për luftën kundër "IS".
Kancelarja gjermane Angela Merkel i premtoi Francës ndihmë të pakufizuar. "Ne do të bëjmë çdo gjë të mundshme për të ndihmuar në kërkimin e autorëve dhe që së bashku të udhëheqim luftën kundër terroristëve." Ajo dërgoi menjëherë në Siri zbulues tornado, një anije të marinës dhe një avion për furnizimin me karburant. Edhe Gjermania është në shënjestër të terroristëve. Autoritetet e sigurisë e paralajmërojnë këtë prej kohësh. Në fund të vitit ndoshta më fort se kurrë. "Ne, miqtë gjermanë, ndjehemi aq pranë jush. Ne qajmë së bashku me ju", tha Angela Merkel në nëntor duke iu drejtuar francezëve.
Numër i madh sulmesh në Europë
Përveç sulmeve në Paris në Francë kryhen edhe disa sulme të tjera të vogla. Në prill një grua vdes nga plumbat e një atentatori, i cili donte të sulmonte një kishë të krishterë. Në qershor një fabrikë gazi në Lion shpëton për pak nga një sulm. Në gusht një atentator islamist kapet nga pasagjerët në trenin e shpejtësisë së lartë Thalys, para se të sulmojë. Më 18 nëntor një hebre u sulmua në rrugë me thikë.
Në Danimarkë në shkurt vdesin dy persona nga sulme në një qendër kulturore dhe një sinagogë. Danezët i shpallin luftë terrorit. Pas atentatit rabini kryesor i Danimarkës është i befasuar. "Hebrejtë danezë ishin pjesë e shoqërisë, një pjesë një e qindta. Kjo është arsyeja pse e kemi ndjerë në mënyrë të veçantë. Tani në qoftë se dikush vendos një lule para portës, atëherë jo për të treguar solidaritet me çifutët, por për shkak se është vrarë një danez", tha Jair Melchior për Deutsche Welle. Edhe në Berlin dhe Londër kryhen sulme me sfond terrorist. Sidomos Turqia dhe Rusia janë goditur rëndë. Në sulmet në Ankara dhe Suruc si dhe në rrëzimin e një avioni rus me pasagjerë mbi Sinai, vdesin qindra njerëz. Edhe ata viktima të islamistëve radikalë.
BE do të forcojë masat e sigurisë
Bashkimi Europian i premton Francës mbështetje ushtarake në bazë të nenit 42 të marrëveshjes së Lisbonës. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë. Ministrat e Brendshëm premtuan bashkëpunim më të mirë mes policisë dhe shërbimeve sekrete. Pasojat janë kontrolli më i fortë i udhëtimeve dhe i transfertave të parave. Por mullijtë e burokratëve bluajnë ngadalë. Në fillim të vitit dëgjohen të njëjtat pohime dhe kërkesa si në fund të vitit. Për zbatimin në ligjin praktik mund të duhen muaj, ndonjëherë vite.
Kufijtë e hapur brenda Evropës bien dyfish nën presion. Së pari për shkak të refugjatëve, që hyjnë prej muajsh në mënyrë të pakontrolluar, dhe së dyti nga fakti që terroristët mund të udhëtojnë lirisht me pasaportat e tyre të BE-së ose të përzihen me refugjatët dhe të vijnë nga Siria në Francë pa u dalluar. Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere kërkon që kufijtë e jashtëm të BE-së të mbrohen më mirë. "Disa mijëra 'luftëtarë të huaj', janë në Siri dhe luftojnë për të ashtuquajturin "Shtet Islamik". Që andej koordinohen sulmet terroriste në Evropë. Prandaj ne duhet të dimë se kush fluturon me avion në Evropë dhe kush kthehet përsëri në Europë, në mënyrë që të reagojmë", tha de Maiziere pas njërës nga shumë seancat e posaçme për luftën kundër terrorizmit. BE-ja dëshiron që të ruajë dhe të seleksionojë të dhënat e pasagjerëve. Do të krijohet një kontroll i përbashkët kufitar, sepse vendet si Greqia, Bullgaria dhe Italia janë të mbingarkuara.
Belgjika - qendra e terroristëve
I mbingarkuar është edhe fqinji verior i Francës. Gati të gjitha gjurmët e atentatorëve të Parisit të çojnë në Belgjikë. Në lagjen e Brukselit Molenbeek, prej kohësh e njohur si qendër te islamistëve, janë përgatitur me sa duket atentatet. Policia belge arrin që në operacionet në janar në Verviers dhe në nëntor në Bruksel të kapë disa ndihmës dhe të zbulojë një depo armësh. Por i dyshuari kryesor ikën. Në Bruksel metrotë, dyqanet, shkollat dhe universitetet qëndrojnë të mbyllura për disa ditë për arsye sigurie. Por pastaj kthehet përsëri normaliteti. Partitë grinden se kush është fajtor për mungesën e integrimit të fëmijëve të emigrantëve muslimanë. Belgjika lufton kundër reputacionit të saj në sektorin e sigurisë si një "shtet i dështuar", siç shkruan revista "Der Spiegel". Në rrugë patrullon në fund të vitit 2015 ushtria. A do të mbrojë kjo nga xhihadistët?