Virusi Corona: Të mbeturit në Amerikën Latine
18 Mars 2020Kur u fut të dielën në mëngjes në avion nga Lima për në Quito, 23-vjeçarja Kara nuk e dinte as vet nëse do të mund të arrijë në Evropë. Peruja ka anuluar të dielën fluturimet për në Evropë dhe nga Evropa - për 30 ditë. Për studenten gjermane nga Hamburgu ishte mundësia e vetme që të fluturojë për në Ecuador e pastaj të shikojë ndonjë mundësi për Evropë. "Në aeroportin e Limas më kanë thënë se është e mundur që të ketë fluturime nga Ekuadori për Evropë", thotë Kara. "Një bashkëpunëtore e shoqërisë ajrore Latam më tha se përgjegjësinë duhet ta marr vet, sepse mund të ndodhë që të mos ketë fluturime as nga Ekuadori. Por mund të ndodhë që në Quito të më fusin edhe në karantinë 14-ditëshe."
Gjermanja e re mendonte të gjejë ndonjë avion nga Ekuadori për në Spanjë. Ajo ka pasur fat dhe pa karantinë ka mundur të largohet nga Ekuadori. Dhe me të vërtetë ka mbërritur në Madrid.
Amerika Latine mbyll kufijtë
Fatin e Karës po e përjetojnë aktualisht shumë gjermanë që kanë mbetur jashtë vendit. Masat po ashpërsohen nga ora në orë, ndërsa në shumë vende është futur edhe obligimi i karantinës 14-ditëshe, para se ata të nisen për në Evropë.
Argjentina, Peru, Panamaja, Hondurasi dhe El Salvadori kanë mbyllur kufijtë. Haiti e ka mbyllur kufirin ndaj Republikës Dominikane, Kolumbia i ka mbyllur daljet në drejtim të Venezuelës. E të mërkurën Kili ka mbyllur kufijtë për të gjithë të huajt. Shumë prej këtyre vendeve kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme.
Për sipërmarrjet gjermane dhe për vizitorët e rëndomtë, kjo do të thotë një garë me kohën. Ata po përpiqen që në momentin e fundit të largohen nga këto vende, sepse shumë shpejt mund të mbyllen edhe shumë kufijë të tjerë. Ndërkohë që shumë linja fluturimesh janë anuluar ndërkohë.
Organizimi i avionëve
Shpresa e fundit për këta njerëz është mundësia që të organizohen fluturime enkas nga Gjermania. Lufthansa ka planifikuar 15 fluturime çarter për rreth 4.000 udhëtarë nga Barbadosi dhe Republika Dominikane. Por këta avionë do të shkojnë në drejtim të Amerikës Latine pa udhëtarë, ndërsa do të kthehen plot. Natyrisht që një udhëtim i tillë shkakton edhe humbje financiare. Për shumë persona, këto fluturime janë shpresa e fundit që të mos mbeten të mbyllur në këto vende, për një kohë të pacaktuar.