1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Viktor Orban: "Kohli qëndron mbi ne"

aud/mak/rb (afp, dpa, rtr)20 Prill 2016

Viktor Orban viziton Helmut Kohlin. Për të dy - shenjë e miqësisë së tyre. Kritikët shohin në këtë takim një ofezë ndaj kancelares Angela Merkel. Dy politikanët konservatorë dolën me një deklaratë të përbashkët shtypi.

https://p.dw.com/p/1IYjh
Viktor Orban zu Besuch bei Altkanzler Helmut Kohl
Fotografi: picture-alliance/dpa/D. Biskup

Pas 80 minutave në shtëpinë njëkatëshe në Oggersheim të ish-kancelarit Helmut Kohl, kryeministri i Hungarisë doli me hapa të shpejtë para gazetarëve - sikur kishte për të përcjellë një mesazh të rëndësishëm. Por ajo që shqiptoi pastaj në mikrofona kryeministri që ngjall debate i Hungarisë, qe ajo që njerëzit e kishin pritur më pak.

Asnjë fjalë për politikën e refugjatëve të qeverisë federale gjermane nën Kancelaren Angela Merkel, asnjë fjalim në mbrojtje të izolimit kundër migrantëve. Para gazetarëve Orbani u shpreh vetëm për miqësinë gjermano-hungareze dhe për meritat politike të Kohlit, i cili është "një vlerë e madhe për të gjithë Evropën" dhe që qëndron "mbi ne, politikanët aktualë". Ai nuk duhet tërhequr në debate politike - edhe përballë gjendjes jo të mirë të shëndetit, u lut Orban, hipi në një autobus të vogël të zi dhe u zhduk.

Për se folën në të vërtetë

Përmbajtjen e vërtetë të takimit të tyre, dy politikanët konservatorë e publikuan më vonë një deklaratë të përbashkët për shtypin. Në të ata theksojnë se në politikën e refugjatëve, ata nuk ndodhen në kundërshtim me politikën e Kancelares Angela Merkel, por janë krejtësisht të një mendimi me të përsa i përket synimit të saj. "Përpjekjet e Kancelares tregojnë në të njëjtin drejtim", thuhet në shkresë.

18.9.2000: Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban i dorëzon Helmut Kohlit në Parlamentin e Budapestit Medaljen e Artë të Hungarisë.
18.9.2000: Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban i dorëzon Helmut Kohlit në Parlamentin e Budapestit Medaljen e Artë të Hungarisë.Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Kisbenedek

Ajo që diskutohet nuk është nëse Evropa dhe shtetet e saj anëtare do të japin ndihmë, por për atë se ç'pamje mund të kishte një politikë e efektshme humanitare. Kohl dhe Orban deklaruan se bëhet fjalë që "në aspekte humanitare në një çështje ekzistenciale për miliona njerëz të gjendet rruga e mirë."

Viktor Orbani është gjithnjë e më i izoluar, për shkak të politikës së ashpër ndaj refugjatëve të vendit të tij. Hungaria ishte vendi i parë evropian që u izolua me gardhe dhe me ligje restriktive azili kundër refugjatëve. Në kuadrin evropian, Orbani konsiderohet kritik i ashpër dhe kundërshtar i Kancelares Merkel. Kështu Hungaria e refuzon kategorikisht pranimin e refugjatëve sipas një sistemi kuotash të BE.